E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të dënuarit, ankesa me postë Avokatit të Popullit



TIRANË- Të burgosurit tashmë kanë mundësi t’i drejtohen direkt Avokatit të Popullit për çdo ankesë që ka lidhje me trajtimin e tyre. Kjo garantohet nga vendosja e një kutie postare nga institucioni i Avokatit të Popullit në ambientet e Burgut të Vaqarrit. Gjatë përurimit të projektit, ku ishte i pranishëm ministri i Drejtësisë Alibeaj dhe Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Boch, Avokati i Popullit Dobjani tha se ky projekt ndërmerret për respektimin e të drejtave të të burgosurve. “Gjithmonë do të ketë akuza dhe pretendimi nga institucioni i Avokatit të Popullit për përmirësimin e gjendjes së të burgosurve në burgje dhe në insititucione të paraburgimit në Shqipëri, që gjërat të rregullohen”, - u shpreh Dobjani. Më tej, ai shtoi: “Institucionet duhet të marrin masa që gjendja e të burgosurve, e të paraburgosurve dhe e të ndaluarve nëpër komisariatet e policisë të rregullohet dhe ata të gëzojnë të drejtat që u jep ligji, Kushtetuta e Shqipërisë dhe aktet ndërkombëtare”. Lidhur me projektin e vendosjes së kutive postare në burgje, Dobjani tha: “Të burgosurit kanë komunikuar edhe më parë me ne, me anë të letrave, por ne kishim dyshimin që ato jo gjithmonë përfundonin te ne. Ndaj dhe ne, me anë të këtij projekti, u sigurojmë atyre privatësinë e plotë. 80 kuti postare do të vendosen në të gjitha burgjet, institucionet e burgimit dhe të paraburgimit në Shqipëri”. Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Boch, theksoi: “Mënyra se si një vend trajton personat me liri të kufizuar flet shumë për forcën e demokracisë dhe institucioneve demokratike të atij vendi”. Për këtë arsye, ai tha se do t’u bënte thirrje autoriteteve shqiptare të kenë një interes më aktiv për reformën në burgje dhe të drejtën e të burgosurve, duke marrë të gjitha masat e nevojshme për të bërë rehabilitimin dhe riintegrimin e tyre, një qëllim i rëndësishëm për t’u arritur nga shoqëria shqiptare. Ndërsa ministri Alibeaj tha: “Reforma në sistemin e burgjeve ka për bazë filozofinë e riintegrimit të personave të privuar nga liria”. Sipas tij, qeveria, si përgjegjëse e kësaj filozofie, ka marrë të gjithë angazhimin për përmirësimin e kushteve dhe trajtimin e të dënuarve. Ministri theksoi rëndësinë e investimeve të bëra dhe që do të bëhen në sistemin e burgjeve për përmirësimin e kushteve të të dënuarve.

19 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›