Statistikat, Inspektorati i Lushnjës prishi 250 objekte pa leje
LUSHNJE - Inspektorati i Ndërtimit pranë Bashkisë së Lushnjës ka zbatuar në periudhën janar-tetor rreth 250 vendime për prishjen e objekteve të ndërtuara në mënyrë të jashtëligjshme. Këto objekte, kryesisht garazhe, mure rrethuese dhe pika tregtimi me pakicë, ndodheshin në të gjitha lagjet e qytetit dhe pengonin investimet publike të planifikuara nga Bashkia. Sipas kryetarit të Bashkisë, Albert Sanxhaku, të gjitha prishjet u bënë duke respektuar procedurat ligjore dhe qytetarët ishin lajmëruar për vendimin sipas afateve, duke iu paraqitur dhe kërkesën për dokumentet e pronësisë së truallit dhe objekteve. Ai shtoi se qytetarëve u është lënë dhe koha për prishjen vullnetare. Sipas kryebashkiakut, objektet pa leje i përkasin periudhës pas nisjes së procesit të legalizimit.
Nis stina e dimrit, bie dëborë në juglindje të vendit
KORÇË – Dita e djeshme ka regjistruar rënien e reshjeve të borës për herë të parë, duke shënuar kështu fillimin e stinës së dimrit. Burimet zyrtare raportojnë se pjesa juglindore e vendit u përfshi të martën nga reshjet e dëborës, trashësia e së cilës arriti deri në 4 centimetra. Sipas tyre, kjo nuk ka shkaktuar probleme në qarkullimin e mjeteve apo bllokimin e akseve rrugore. "Trashësia e dëborës ka qenë minimale gjë që nuk ka shkaktuar probleme për qarkullimin e mjeteve dhe për bllokimin e akseve rrugore", - tha drejtori i Zyrës së Emergjencave Civile, Dhori Çekrezi . Sipas tij, reshjet e dëborës në juglindje të vendit janë regjistruar në 3 milimetra. "Reshjet kanë qenë të pakta edhe në qafat që njihen si problematike si në Qafë-Thanë dhe Qafën e Qarrit. Nuk ka asnjë zonë të thellë malore të izoluar, pasi edhe trashësia maksimale e dëborës nuk i ka kaluar 3-4 centimetra", - u shpreh Theodhori. Në të gjithë vendin pati një ulje të ndjeshme të temperaturave, të cilat ishin 5 gradë më poshtë sesa dy ditë më parë. Burimet zyrtare në Shërbimin Meteorologjik të Ushtrisë raportojnë se gjatë ditës së sotme do të ketë një rritje të vogël të temperaturave. “Masat e ajrit që qarkullojnë janë të paqëndrueshme, të lagëta dhe të freskëta. Moti parashikohet të jetë me vranësira mesatare dhe të dendura, të shoqëruara me reshje lokale, kryesisht në zonat juglindore të vendit”, - thonë ekspertët e këtij shërbimi. Sipas tyre, “era do të fryjë me shpejtësi 3-9 m/sek në drejtimin jugperëndim-juglindje.
TEMPERATURAT
Tirana 9 dhe 16
Shkodër 5 dhe 14
Durrës 9 dhe 16
Lezhë 6 dhe 12
Kuçovë 5 dhe 16
Gjirokastër 7 dhe 11
Elbasan 7 dhe 16
Kukës 5 dhe 10
Peshkopi 3 dhe 8
Korçë 6 dhe 8
Vlorë 10 dhe 16
Sarandë 10 dhe 16
19 Nentor 2008