E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përdhunon 20-vjeçaren pasi e ftoi për kafe

Policia e Durrësit prangos për përdhunim Ismail Hakën . Vajza denoncoi 25-vjeçarin, autori arrestohet pas 12 orësh

DURRËS – Pranimi i ftesës për të pirë një kafe me personin që nuk e njihte aq mirë i ka kushtuar shtrenjtë një vajze 20-vjeçare nga qyteti i Durrësit. Pasi kanë qëndruar në një nga lokalet përgjatë plazhit, vajza është përdhunuar nga shoqëruesi, i cili më pas është prangosur nga policia. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se mbrëmjen e së hënës është bërë e mundur që të identifikohet dhe arrestohet shtetasi Ismail Haka, ndaj të cilit kishte mbërritur një denoncim për kryerje të marrëdhënieve seksuale me dhunë. Sipas tyre, Haka, 25 vjeç, është banor i Lagjes Nr. 4 në qytetin bregdetar.
Ngjarja
Pasditen e së dielës, Ismail Haka ka ftuar për kafe një vajzë, të cilën e kishte njohur kohët e fundit. Ata kanë shkuar me makinën e 25-vjeçarit Haka në një lokal në zonën e Plazhit. Pasi kanë qëndruar përreth dy orë në kafene, ata kanë shkuar drejt makinës për t’u kthyer në qytetin e Durrësit. Por, sipas burimeve zyrtare të policisë, rreth orës 19.00, Haka ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me 20-vjeçaren, banore në qytetin bregdetar. Nga dëshmia e dhënë prej viktimës, Haka e ka përdhunuar vajzën brenda në makinën e tij dhe më pas është larguar duke e lënë në mes të rrugës.
Arrestimi
Menjëherë pasi është kthyer në shtëpi, 20-vjeçarja është drejtuar për në Komisariatin e Durrësit ku ka bërë denoncimin për personin që ushtroi dhunë seksuale ndaj saj. Burimet policore sqarojnë se ngjarja është vlerësuar maksimalisht nga Struktura kundër Krimeve ndaj Personit. Fillimisht u bë e mundur zbardhja e identitetit të autorit të dyshuar të ngjarjes, i cili nuk njihej me emrin e vërtetë nga e dëmtuara. “Më pas u realizua kapja e shtetasit në fjalë dhe u kryen një sërë veprimesh hetimore në drejtim të dokumentimit të rastit”, - pohojnë burimet policore. Sipas tyre, materialet procedurale për shtetasin Ismail Haka i kaluan për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit të Durrësit, pasi 25-vjeçari akuzohet për veprën penale të “kryerjes së marrëdhënieve seksuale me dhunë”. Në Policinë e Qarkut të Durrësit ka pasur një rritje të ndjeshme të denoncimeve për këtë vepër penale. Pak javë më parë përfundoi në pranga një adoleshent, pasi në bashkëpunim me shokët e tij përdhunoi një adoleshente në periferi të qytetit të Laçit.

19 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›