E Shtunë, 31 Tetor 2026

Identifikohen dy shokët e studentit që u kap me 108 kg marijuanë



GJIROKASTËR - Prokuroria e Gjirokastrës ka arritur të identifikojë dy prej pjesëtarëve të grupit të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, të cilëve mbrëmjen e së dielës policia u sekuestroi 108 kg marijuanë. Burime zyrtare nga Prokuroria e Gjirokastrës pohuan se grupi hetimor ka identifikuar dy njerëz të përfshirë në këtë rast trafikimi të lëndës narkotike dhe se shumë shpejt ata do të ndalohen nga policia e Gjirokastrës. Fillimisht policia ndaloi si të dyshuar për këtë ngjarje 24-vjeçarin Klodian Basha, student i vitit të tretë në degën e ekonomisë, në universitetin “Eqrem Çabej", të Gjirokastrës. Basha u kap pranë fshatit Kakavijë, rreth 25 kilometra larg Gjirokastrës, ndërsa droga e sekuestruar do të kalohej për në Greqi. Prokuroria bëri të ditur se pas hetimeve të para u siguruan të dhënat e nevojshme edhe për dy të dyshuar të tjerë, si të përfshirë në këtë rrjet, por emrat e tyre nuk bëhen të ditura për shkak të hetimeve. Organet e hetimit në Gjirokastër, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, kanë çelur tri ditët e fundit çështje penale për shtatë të dyshuar për “trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike”. Gjatë kësaj periudhe, policia kufitare e Gjirokastrës ka bllokuar në vijën e gjelbër të kufirit 168 kg marijuanë, e cila do të kalohej për në Greqi.

Box 1
Mbeten në qeli 5 delvinotët, u kapën me 286 kg Cannabis

SARANDË - Prokuroria e Sarandës akuzoi dje pasdite për “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike” pesë të arrestuar para katër ditësh nga Policia e Sarandës, në kuadër të operacionit të koduar “Kundërpërgjigjja e parë”. Të arrestuarit, të cilëve iu sekuestruan 286.1 kg lëndë narkotike dhe një armë automatike “Kallashnikov”, ishin akuzuar fillimisht nga policia për “trafik të lëndëve narkotike”. Po dje është dhënë masa e sigurisë për të ndaluarit Aleksandër Draçi, Arben dhe Gramoz Tahiraj, Lavdërim Tozo dhe Fetah Muhameti. Ata u ndaluan të premten e kaluar nga Policia e Sarandës në Qafën e Soronesë, në aksin rrugor Pllakë-Xarrë, teksa udhëtonin në dy automjete: në një furgon me targa të Delvinës, ku u gjetën 11 çanta me 286.1 kg Cannabis Sattiva dhe në një makinë tjetër, që, sipas policisë, kishte për detyrë të shoqëronte furgonin e ngarkuar me lëndë narkotike.

Apeli lë në burg këshilltarin bashkiak të Vlorës

VLORË - Gjykata e Apelit ka vendosur dënimin me 1 vit burg për Thanas Lalucin, ish-drejtor i Bankës së Kursimeve në qytetin e Vlorës, aktualisht anëtar i këshillit bashkiak dhe kryetar i Partisë Demokracia Sociale për Vlorën. Pas Gjykatës së Shkallës së Parë, e cila i kishte dhënë këtë dënim, ka qenë ajo e Apelit që ka vendosur këtë masë ndaj Lalucit, por duke i shtuar edhe një gjobë prej 5 milionë lekësh të vjetra, masë e marrë nga 3 gjyqtarët e ardhur nga Gjirokastra në bazë të kërkesës së prokurorit të Apelit Aleksandër Goga. Historia që implikon Lalucin daton në prill të vitit 2002, kohë në të cilën ish-drejtori ka lidhur kontratën e shitblerjes së sipërfaqes së truallit të transferuar në pronësi të Bankës së Kursimeve për mosshlyerje të kredisë. Kjo kontratë ishte lidhur me një shtetas dhe, sipas saj, blerësi ka përfituar pronësinë mbi këtë sipërfaqe kundrejt një shume prej 3 milionë e 400 mijë lekësh. Pikërisht kjo procedurë shitblerjeje nga ana e ish-drejtorit Laluci është cilësuar e paligjshme, pasi veprime të tilla mund të kryheshin vetëm nga Agjencia e Trajtimit të Kredive. Akuza që rëndonte ndaj tij është ajo e shpërdorimit të detyrës, që ka sjellë për pasojë dëme të konsiderueshme ekonomike të interesave të shtetit.

SHKURT

Dhuna në familje, babai denoncon djalin

DURRËS – Dhuna sistematike që ka ushtruar djali ka detyruar prindin që ta denoncojë në polici. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se dy ditë më parë shtetasi Y. A. ka bërë kallëzim pranë Seksionit të Mbrojtjes së të Miturve dhe Dhunës në Familje për djalin e tij. Sipas denoncimit të 69-vjeçarit, i biri e ka dhunuar psikologjikisht në vazhdimësi dhe e ka kërcënuar duke i kërkuar para.

42-vjeçari me depresion i jep fund jetës

KRUJË – Një 42-vjeçar, baba i tre fëmijëve, në kushtet e varfërisë dhe depresionit të thellë, i ka dhënë fund jetës duke u vetëvrarë me çiften që mbante në shtëpi. Burimet zyrtare të policisë vendore bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi dy ditë më parë, rreth orës 12.00. Shtetasi Sh.M., banues në Komunën e Thumanës, në Rrethin e Krujës, është vetëvrarë në shtëpinë e tij me armën e gjahut. Sipas tyre, pas veprimeve të para hetimore rezultoi se 42-vjeçari vuante nga depresioni për të cilin kurohej në vazhdimësi.

Vetëplagoset me kallashnikov 16-vjeçarja

KUKËS - Një adoleshente është vetëplagosur aksidentalisht me një kallashnikov teksa ndodhej në banesën e saj. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Kukësit bëjnë të ditur se në orët e vona të së hënës është lënduar me armë zjarri shtetësja E.C.. Sipas tyre, e vetëplagosura ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. 16-vjeçarja, pasi ka gjetur në një vend të fshehtë të banesës automatikun “Kallashnikov”, e ka shkrehur në trupin e saj, duke marrë plagë të rënda në pjesë të ndryshme të trupit. Nga ana e policisë kanë nisur hetimet për të faktuar nëse ishte akt i qëllimshëm apo plagosje e ndodhur në rrethana aksidentale.

19 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›