E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrësi bëhet gati për Festivalin e Filmit, 27 filma premierë

DURRES- Për një javë qyteti bregdetar i Durrësit do të kthehet në qëndër të vëmendjes së festivalit Ndërkombëtar të Filmit, një eveniment i cili shënon edicionin e tij të katërt. Yje të kinemasë hollivudiane, italiane, ballkanike dhe per here të parë ato të kinemasë turke do të shkelin në tapetin e kuq në 27 gusht, datë e cila përkon me ngritjen e siparit të këtij festivali. Edicioni do të promovojë vepra të rëndësishme dhe inovative të kinematografisë moderne botërore duke ja servirur publikut vendas.

Siparin e festivalit do ta çele filmi turk, “Honey” (Mjalte), fitues i Ariut të Artë në Festivalin e Berlinit 2010. Filmi do të shfaqet në qiell të hapur në amfiteatrin romak. Risi e këtij edicicioni është edhe prezantimi i filmave në Pogradec, Vlorë dhe Sarandë në datat 3 , 4, dhe 5 shtator. Mbrëmjet do t’i dedikohen jo vetëm filmit kompetitiv, por dhe mikut të nderit, që këtë vit është kinemaja dhe kultura e USA dhe Turqisë.

Gjatë këtij festivali do të ketë dy seksione konkuruese "Vizione bashkëkohore" me 10 filma që konkurojnë për "Gladiatorin e artë", çmimi më i madh i këtij festivali, si dhe seksioni "Botë balkanike", me 6 filma që vijnë nga vende të ndryshme të hapësirës së gadishullit tonë.

Më 1 shtator në amfiteatër dhe në teatrin "Aleksandër Moisiu" do të shfaqen filmat e regjisorit Francis Ford Coppola "Tetro" dhe "Rini pa rini", të cilat do të prezantohen nga vetë regjisori i shquar i Hollivudit.

Gjatë festivalit që ka si president nderi regjisorin e shquar shqiptar të kinemasë, Dhimitër Anagnosti, janë parashikuar edhe seksionet e Dokumentarit të gjatë dhe Filmit të studentëve shqiptarë, të cilët do të konkurojnë për çmimin "Bukuroshja e Durrësit".

Festivali do t'i akordojë Çmimin e Karrierës aktorit të mirënjohur të teatrit dhe kinemasë Vangjush Furrxhiu (pas vdekjes). I njejti çmim do t'i jepet regjisorit amerikan Coppola si "Novator i madh i kinemasë moderne". Aktores italiane Claudia Cardinale do t'i jepet Çmimi i Argjendtë i Durrësit si "Ikona e kinemasë italiane".
(s.g/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›