Durrësi del nga harta e kultivimit të cannabis sativa
Prefekti i Durrësit dhe Krujës Genci Alizoti është shprehur se shifrat e raportuara gjatë vitit 2010 për evidentimin dhe asgjësimin e bimës cannabis sativa janë mjaft të ulëta, krahasuar me ato që janë regjistruar gjatë vitit 2009
Durrës Qarku i Durrësit nuk është më pjesë e hartës së zonave ku kultivohet bima narkotike cannabis sativa. Kjo gjë është deklaruar dje në prefekturën e Durrësit, në një takim që shërbeu për konstituimin e shtabit të ri të luftës kundër kultivimit të bimëve narkotike. Prefekti i Durrësit dhe Krujës Genci Alizoti është shprehur se shifrat e raportuara gjatë vitit 2010 për evidentimin dhe asgjësimin e bimës cannabis sativa janë mjaft të ulëta, krahasuar me ato që janë regjistruar gjatë vitit 2009. Sipas të njëjtave burime bëhet e ditur se për gjatë gjithë vitit 2010 janë gjetur dhe asgjesuar vetëm 862 rrënjë, nga 34 759 rrënjë që janë asgjësuar gjatë vitit 2009. Prefekti Alizoti ka deklaruar pas publikimit të shifrave se tashmë qarku i Durrësit nuk është më pjesë e hartës së zonave të nxehta ku kultivohet lënda narkotike e llojit cannabis sativa. Në takim ka qenë i pranishëm edhe numri 2 i drejtorisë së përgjithshme të policisë së shtetit Agron Kuliçaj, i cili ka deklaruar se lufta kundër narkotikëve vazhdon të mbetet një nga prioritetet e ministrisë së Brendshme dhe qeverisë, por pavarësisht punës së mirë që është bërë gjatë vitit të kaluar, vazhdojmë të mbetemi fenomen shqetësues në drejtim të kultivimit të bimëve narkotike. Kuliçaj ka shtuar se zonat ku tashmë kultivohet kjo bimë narkotike janë zhvendosur drejt zonave më të thella malore, ndonëse këto zona janë reduktuar ndjeshëm. Ndonëse vendi gjendet tashmë është në fushatë elektorale, Kuliçaj është shprehur se kjo gjë nuk do të ndikojë për të penguar punën tonë në këtë drejtim. Qarku i Durrësit ka qenë problem në drejtim të kultivimit të bimës narkotike cannabis sativa në zonën e Krujës, më së shumti në fshatrat e thellë të kësaj zone. Drejtori i policisë së qarkut Durrës Aleks Hajdari është shprehur se problem kanë qenë fshatrat Brus, Zallë, Cudhi dhe Mazhë e Madhe, por tani ky problem është reduktuar ndjeshëm.
Aleks Kalemasi