Vdes në aksident 45-vjeçarja, i shoqi në gjendje të rëndë
Kamioni aksidenton bashkëshortët, vdes gruaja, burri rëndë në spital. Ngjarja ka ndodhur dje në aksin Prrenjas-Pogradec, në fshatin Rrajcë. Një kamion tip Benz, me targë LB 1867 A, i drejtuar nga Fation Shahini, 21 vjeç, ka përplasur bashkëshortët Feride dhe Sefedin Tarushi, përkatësisht 45 dhe 47 vjeç, me banim në fshatin Rrajcë, të cilët kanë qenë kalimtarë. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie, të cilët kanë bërë ndalimin e drejtuesit të automjetit, si dhe kanë nisur punën për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit. Ndërkohë që personi i plagosur është dërguar për kurim në spital.
Efektivat e Qarkullimit Rrugor në Gjirokastër kanë ndaluar një drejtues mjeti nga Saranda, i cili kishte aksidentuar për vdekje një kalimtar dhe më pas ishte larguar menjëherë nga vendngjarja. Sipas burimeve zyrtare, në Njësinë Rajonale të Qarkullimit Rrugor, nga ana e bluve të rrugores është bërë ndalimi i 48- vjeçarit, Sotir Beka nga Saranda, për veprat penale “shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor” dhe ”largim nga vendi i ngjarjes”. I ndaluari dyshohet se mbrëmjen e datës 18 mars 2011, ndërsa udhëtonte në rrugën kombëtare Gjirokastër-Sarandë, me automjetin tip Volkswagen, me targa AA 963 AE, në vendin e quajtur varrezat e qytetit Gjirokastër, ka përplasur për vdekje kalimtarin Agathokli Çajupi, nga Zagoria, Gjirokastër dhe më pas është larguar menjëherë nga vendngjarja. Trupi i pajetë i të ndjerit është gjetur anës rrugës nga kalimtarë të rastit të cilët kanë vendosur në dijeni policinë lokale. Për gati 25 ditë specialistët e Qarkullimit Rrugor në Gjirokastër kanë hetuar në mënyrë intensive, në lidhje me identifikimin dhe më pas ndalimin e drejtuesit të mjetit që shkaktoi këtë aksident me pasojë vdekje. Në përfundim të hetimeve u bë i mundur identifikimi i mjetit, i cili ishte blerë në një pikë distributorësh të shpërndarjes së makinave dhe më pas ndalimi i shoferit të tij. Madje thonë burime në grupin hetimor, për të humbur gjurmët shoferi i ndaluar e kishte riparuar mjetin duke i ndërruar të gjitha pjesët e dëmtuara nga aksidenti.