Durrësi, gati për takimin e 55 bashkive
• DURRES - Durrësi përgatitet të presë konferencën e të gjitha bashkive që lagen nga Adriatiku dhe Joni.Kjo nismë përfshin një gamë të gjerë shtetesh si Shqipëria, Italia, Kroacia, Sllovenia, Bosnje Hercegovina, Greqia dhe Mali i Zi. Me këtë rast në bashkinë e qytetit bregdetar u zhvillua një takim i nivelit të lartë me përfaqësues të bashkive të Peskarës, San Benedetos, Riminit dhe Splitit. Në cilësinë e pritësit veç Vangjush Dakos, ishte ulur në tryezë edhe kryebashkiaku i Lezhës. Dako ka deklaruar se “takimi i Durrësit synon të përgatisë konferencën e vendeve të lagura nga Adriatiku e Joni, takim ky që do të zhvillohet më datë 30 gusht të këtij viti në qytetin tonë”. Aktualisht presidencën e radhës së kësaj nisme e ka Bashkia e Peskarës, ndërsa në muajin shtator ky rol do t’i takojë Durrësit në bazë të rotacionit. Takimi i Durrësit i ka hapur rrugën projekteve të përbashkëta zhvilluese në fushën e turizmit arkeologjik, historik dhe klimaterik me të cilat Adriatiku dhe Joni tërheqin turistë nga të katër anët e globit. “Qyteti ynë do të marrë në shtator të këtij viti presidencën e radhës dhe kjo do të thotë që do të ketë më shumë projekte për investime në Durrës”, u shpreh kryebashkiaku. o.u