Mediu: Nuk largohemi nga koalicioni
• Partia Republikane nuk do të dalë nga koalicioni, pavarësisht mosmarrëveshjeve me Partinë Demokratike për sistemin e ri zgjedhor.Këtë e ka bërë të ditur dje kryetari i PR-së, Fatmir Mediu, i cili në një prononcim për mediat ka bërë të ditur se vullneti i maxhorancës është për ta zgjidhur në mënyrë të përbashkët këtë çështje. “Unë po them se vullneti i maxhorancës është i plotë për të gjetur një zgjidhje të përbashkët, që nuk besoj se do të vijë puna për të diskutuar për të dalë nga koalicioni. E di që ka dëshira për të dalë nga koalicioni”, theksoi Mediu. Lidhur me diskutimin brenda koalicionit për reformën zgjedhore, kreu i republikanëve, njëherësh ministër i Mbrojtjes në kabinetin qeveritar, bëri të ditur se gjatë ditës së sotme mund të ketë një mbledhje të Berishës me aleatët, për të zyrtarizuar qëndrimin e maxhorancës përballë draftit të paraqitur nga Partia Socialiste. Mediu nuk ka lënë mënjanë edhe ironinë për deputetë të caktuar të së djathtës. “Shpresoj që nesër (sot) të kemi një diskutim të përbashkët të të gjithë kryetarëve të partive të koalicionin për këtë çështje. I kam kërkuar Kryeministrit Berisha që mendimtarët e Partisë Demokratike që mbrojnë tezën e Partisë Socialiste, të dalin dhe të na referojnë për të na treguar për sistemin, për anët e mira dhe ato që pretendojnë për sistemet, qoftë edhe për rregullimet e nevojshme, ashtu si edhe ne të biem argumentet tona”, theksoi më tej Mediu. Lidhur me ndryshimet e mundshme kushtetuese, kreu i PR-së tha se nuk është kundër tyre, por shtoi se nëse ato bëhen vetëm për interesa konjukturale të momentit, nuk do t’i shërbenin vendit.