“Fason” prangos kryedoganierin dhe vartësin e tij, u vinin “gjoba” biznesmenëve
BERAT – Kryedoganieri dhe vartësi i tij prej kohësh u vinin “gjoba” biznesmenëve të Beratit, por më në fund janë prangosur në kushtet e flagrancës. Kanë qenë dy oficerë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të mbërritur nga Tirana në mesditën e djeshme që i kanë kërkuar prokurorit të rrethit të Beratit kryerjen e veprimeve të shpejta dhe të ngutshme për ndalimin e Hodo Hasanit, me detyrë kryetar i degës së Doganës Berat, si dhe Shaban Danushit, inspektor në këtë institucion. Pas kësaj, prokurori i rrethit, Xhemal Saliaj, si dhe një nga ekspertët e organit të akuzës, janë angazhuar në kryerjen e procedurave të shpejta, gjë që më pas u ka hapur rrugë dy oficerëve të Ministrisë, të cilët, në bashkëpunim me drejtuesit e policisë së qarkut, arrestuan në flagrancë shtetasit Hodo Hasani 45 vjeç dhe Shaban Danushi 43 vjeç. Dy zyrtarët e prangosur janë banorë në lagjen "Donika Kastrioti". Ndalimi i tyre u bë sepse në datën 13.03.2008, në orën 16:00, u kapën në flagrancë në rrugën nacionale, në hyrje të qytetit të Beratit, përpara portës kryesore të kompanisë "CENTER SHQIPTARE" sh.p.k, pasi kishin marrë një sasi parash ryshfet në këmbim të krijimit të lehtësirave joligjore doganore. Këta punonjës të doganës u kanë marrë në mënyrë sistematike përfitime të tilla subjekteve tregtare që ushtrojnë aktivitetin në këtë qark. Nga kontrolli fizik dhe kontrolli i mjeteve të tyre u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 120 mijë lekë, 300 euro, 3 celularë, 2 automjete, një e markës "Mitsubishi Pajero", në pronësi të degës së Doganës së Beratit, me targa BR 0875 B, si dhe një makinë tip "Volkswagen Golf", me targa BR 1999 B dhe një praktikë doganore që i implikon ata në veprimet korruptive. Gjatë kontrollit të ushtruar nga policia në banesat e kryetarit dhe inspektorit të doganës u gjet dhe u sekuestrua edhe një shumë prej 150 000 lekësh. Për hetime të mëtejshme, materialet iu referuan Policisë së Rrethit Gjyqësor Berat.
Eneida Petova
14 Mars 2008