E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta, sot peshkatarët bllokojnë Portin e Durrësit

• Peshkatarët bllokojnë Portin e Durrësit. Dita e dytë e protestës së tyre ka qenë ekstreme, pasi sipas drejtuesve të saj, të gjitha peshkarexhat do të mbajnë portin më të madh të vendit të bllokuar për disa orë.Ky është kërcënimi që komisioni grevist i peshkimit në Durrës bëri dje publikisht, në mënyrë që kabineti i Ridvan Bodes të rishikojë edhe një herë skemën e naftës. Gjatë pasdites së të premtes anëtari i komisionit grevist Fadil Kërtalli ka depozituar në Kapitaneri një paralajmërim për bllokimin e basenit ujor. Institucioni i Kapitanerisë ka marrë në dorëzim kërkesën paralajmëruese se “me hir apo pahir” porti do të bllokohet nga peshkarexhat, pavarësisht faktit se deri vonë nuk ka kthyer asnjë përgjigje zyrtare, ç’ka nënkupton se për njerëzit që administrojnë detin ky hap është ilegal. Sipas grevistëve nëse qeveria do të heshtë edhe përballë bllokimit të Portit atëherë për peshkatarët shqiptarë rrugëzgjidhja e vetme mbetet një eksod drejt Italisë, i cili do të ishte diskreditues në sytë e botës për Tiranën zyrtare. Burime nga greva saktësojnë se mbi 100 peshkarexha do të paralizojnë në orët e para të mëngjesit trafikun detar në Portin më të madh të Shqipërisë. “Pushtimi” i peshkarexhave në basenin ujor cilësohet vetëm si një hap i parë i protestës, e cila tashmë ka mbledhur rreth saj mbi 2 mijë peshkatarë. “Do bllokojmë tragetet dhe anijet e mallrave deri sa të na japin një përgjigje të pranueshme për naftën. Nëse ky hap nuk mjafton do të fillojmë eksodin me motive ekonomike drejt Barit”, deklaroi Kërtalli. Edhe gjatë verës së kaluar peshkarexhat e Durrësit bllokuan trafikun detar. Ky hap i kushtoi kryesisë së grevës ndjekje penale nga Prokuroria, por pavarësisht këtij fakti peshkatarët durrsakë shprehen se “nuk i tremben asgjëje kur diskutohet buka e fëmijëve të tyre”. Peshkatarët janë më të bashkuar se kurrë në këto momente duke e zyrtarizuar Durrësin si kryeqendrën e revoltës që tashmë ka përfshirë edhe Sarandën, Vlorën dhe Shëngjinin. Në portin e dytë më të rëndësishëm nga rëndësia, në atë të Vlorës dje u mblodhën 250 peshkatarë, të cilët protestuan për shkak të mosfurnizimit me karburant me çmimin e akcizës. Ata janë ankuar se prej muajsh janë pa punë dhe nuk kanë asnjë burim tjetër të ardhurash për të mbajtur familjet e tyre. Nëse nuk gjejnë zgjidhje ata kanë kërcënuar për bllokimin e Portit të Vlorës.                    o.u/q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›