Kermabon: “EULEX do të shtrihet në të gjithë Kosovën”
Shefi i Misionit të BE-së për policinë dhe drejtësinë në Kosovë, Iv de Kermabon, gjatë vizitës së tij në Prishtinë u shpreh se synimi i misionit të Bashkimit Europian është që në të gjithë Kosovën të respektohet rendi dhe ligji. Kermabon bëri të ditur se policia, gjykatësit dhe prokurorët ndërkombëtarë të misionit do të veprojnë në të gjithë rajonin e Kosovës, megjithatë e nevojshme është edhe mbështetja e qytetarëve që misioni të ketë sukses.
“Synimi im është që të punoj në tërë Kosovën dhe misioni i EULEX-it do të shtrihet në tërë Kosovën dhe do të punojë për të gjithë qytetarët pa dallim etnik. Por, fillimisht u duhet shpjeguar njerëzve në terren se çfarë është ky mision dhe unë jam i bindur se ata do ta kuptojnë se misioni është në të mirën e tyre, pra për të përmirësuar rendin dhe ligjin në Kosovë”, -tha
Kermabon. “Ju e dini se rendi dhe ligji janë elementët bazë për funksionimin e një shoqërie demokratike dhe ne duhet ta përmirësojmë rendin dhe ligjin në Kosovë, por kjo mund të bëhet vetëm edhe me ndihmën e institucioneve të Kosovës. Misioni i EULEX-it në thelb do të monitorojë dhe ndihmojë institucionet e Kosovës në vendosjen e rendit dhe ligjit, mirëpo natyrisht nëse është nevoja edhe mund të marrë vendime”, - tha Iv De Kermabon.
Ndërsa udhëheqësit politikë kosovarë thanë se siguria, paqja dhe stabiliteti janë faktorët kryesorë që e bëjnë Kosovën të ecë përpara.
14 Mars 2008