Durrësi gdhihet nën ujë, probleme edhe në portin detar
Durrësi është gdhirë nën ujë. Rrugët, sheshet, shtëpitë, katet e para të pallateve janë përmbytur në 24 orët e fundit, gjatë të cilave reshjet e shiut nuk kanë pushuar. Në shumë shtëpi uji ka hyrë brenda, duke dëmtuar edhe pajisjet e tyre. Në Portin detar të Durrësit anijet kanë mbyllur hambarët, pasi përpunimi i ngarkesave të tyre është pezulluar për shkak të motit, ndërsa Kapitaneria ka udhëzuar ekuipazhet e anijeve të forcojnë gatishmërinë, pasi parashikohet një përkeqësim i situatës detare. Reshjet e dendura të shiut, që kanë shkaktuar përmbytje të rrugëve dhe shesheve në lagje të ndryshme të Durrësit, kanë krijuar vështirësi në qarkullimin e këmbësorëve dhe një trafik tejet të rënduar automjetesh. Më e vështirë është paraqitur situata në lagjet periferike, si dhe në disa fshatra. Probleme ka pasur edhe në qarkullimin e automjeteve në superstradën Durrës-Tiranë, ku përmbysja e një autoboti si pasojë e asfaltit të lagët ka krijuar trafik dhe vonesa të theksuara në lëvizje. Reshjet kanë qenë të papërballueshme nga sistemi kullues, jo vetëm për shkak të sasisë së tyre, por dhe të mosfunksionimit të mirë të infrastrukturës kulluese dhe mungesës së infrastrukturës në sheshet pranë pallateve. Si pasojë, shumë persona janë detyruar të mbyllen në shtëpi, ose të qëndrojnë në pritje të pushimit të shiut për të rimarrë aktivitetin normal të ditës së tyre, që gjithsesi është cenuar. Në disa zona janë shfaqur edhe ofruesit e kurrizit për të siguruar kalimin nga njëra anë e rrugës në tjetrën, kundrejt pak të hollave, por edhe falas. Kryqëzimi te Lagjja e Re, ai pranë stadiumit "Niko Dovana" të Durrësit, sheshi pranë stacionit të trenit, zona të tëra në Plazh dhe Shkozet e ish-kënetë dhe shumë ambiente pranë shkollave kanë qenë të bllokuara nga uji. Lagjja 18 dhe ajo "Stan" janë të tjera zona të prekura nga përmbytjet që pasojnë çdo rënie shiu mbi qytetin-port. E rëndë është paraqitur situata dhe në lagjen kodrinore dhe rrugën kryesore "Aleksandër Goga", pranë Mauzoleumit të Dëshmorëve dhe në kryqëzimet e rrugëve që lidhin Lagjen 5 me ato 12 dhe 18. Sprapsja e ujërave të larta, me rënien disi të sasisë së shiut, sjell në rrugë, trotuare dhe në katet e para të pallateve vërshimin e baltës. Reshjet e vazhdueshme të shiut kanë shkaktuar probleme edhe në Portin detar të Durrësit. Kompanitë e ngarkim-shkarkimit në portin më të madh të vendit e kanë ndërprerë punën në pritje të pushimit të reshjeve. Elektrovinçat gjithashtu. Përpunimi i mallrave në anijet që ndodhen në kalata është ndërprerë. Siç ndodh rëndom, edhe këtë herë shiu ka qetësuar detin, duke mundësuar një lundrim pa probleme për tragetet dhe anijet, të cilat kanë respektuar oraret dhe në disa raste kanë mbërritur edhe më shpejt. Kjo situatë është mundësuar nga një det me forcë 4-5 ballë, ndërsa shpejtësia e erës nuk i ka kaluar 5 metrat për sekondë. Megjithatë, në Kapitaneri bëjnë të ditur se situata në port pritet të rëndohet.