E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrebeshi i shiut përmbyt edhe Tiranën, kolektorët nuk funksionojnë

Shiu që nuk ka pushuar për 24 orë, ka sjellë probleme të shumta në kryeqytet. Një pjesë e ish-bllokut "Vasil Shanto", Babrrusë dhe Bregut të Lumit janë përmbytur si pasojë e reshjeve të dendura të shiut. Rrebeshi i shiut dhe reshjet e rëna gjatë 48 orëve të fundit kanë përmbytur dje në Tiranën e Re më shumë se 10 shtëpi. Qytetarët e alarmuar dhe tepër të shqetësuar kanë kërkuar ndihmë nga pushteti vendor për të rregulluar sa më shpejt situatën, si dhe për të ofruar ndihmë ekonomike për dëmet si pasojë e përmbytjes. Çdo vit, kur sasia e reshjeve kalon normat e "lejuara", në këto shtëpi uji futet brenda, duke përmbytur katet e para. Sipas banorëve, shkak i ujit të mbledhur janë kolektorët e mëdhenj mes lagjeve që janë bllokuar. Ndërtimet në masë, si dhe mosmarrja e lejeve të nevojshme nga kanalizimet për instalimin e tubacioneve të reja sjellin amulli dhe bllokime të herëpashershme. Pas ankesave të banorëve, pranë shkollës "Vasil Shanto" kanë mbërritur zjarrfikësit, të cilët me pompat e ujit kanë mbledhur sasi të konsiderueshme uji. Pajisjet, mobiliet e shtëpive, muret në katet përdhese janë dëmtuar nga uji dhe banorët të shqetësuar qëndrojnë me shpresën se koha do të jetë më e mirë dhe sasitë e reshjeve do ulen ditë pas dite. Sipas parashikimit të motit për javën, reshjet e shiut do të na shoqërojnë deri në fund të javës, megjithatë ato pritet të jenë më të rralla në ditët në vazhdim. Shirat që u rikthyen pasivisht ditën e mërkurë, duke përfshirë të gjithë vendin, do të vazhdojnë të paktën deri në fund të javës. Sipas "Meteoalb", sasitë më të mëdha të shirave janë regjistruar në veriperëndim dhe në zonën e ulët veriperëndimore, ndërsa pjesa tjetër e vendit do të përfshihet në sasi më të pakta shirash. Vranësirat dhe shirat, si edhe kthjellimet afatshkurtra, do të na shoqërojnë edhe gjatë ditës së sotme. Ditën e premte, por edhe në fundjavë, atmosfera do të jetë jostabël për sa i përket tablosë së reshjeve, por kjo pjesë e javës do të sjellë sasi të më pakta shirash, si edhe do të ketë më shumë orë të kthjellëta, sesa fillimi i javës. Sipas "Meteoalb", për sa u përket temperaturave të ajrit, ato do të kenë një rritje të lehtë dhe graduale deri të premten, kur pritet një rënie e ndjeshme e tyre, ndërsa në fundjavë do të jemi në masa ajrore, relativisht të ngrohta. Konkretisht, gjatë kësaj jave temperaturat në zona të ndryshme të vendit do të luhaten në vlerat e mëposhtme: Problematike do të mbetet shpejtësia e erës, e cila gjatë gjithë kësaj jave do të arrijë mesatarisht 45 km/h, por paraditen e së enjtes pritet që në det era të arrijë deri 60 km/h. Kjo do të bëjë që deti të jetë i dallgëzuar, me një maksimum të dallgëve prej 3.0 metra gjatë ditës së enjte në kanalin e Otrantos, ndërsa ditët e tjera dallgët do të arrijnë mesatarisht 2.0 metra. Reshjet e shiut që kanë përfshirë vendin tonë prej më shumë se 10 ditësh kanë zbutur temperaturat, por në të njëjtën kohë kanë sjellë anomali në qarkullimin rrugor, si dhe probleme të shumta si pasojë e amortizimit dhe problemeve të infrastrukturës së tubacioneve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›