E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbytja rrezikon 12 shtëpi, bllokohet rruga e Dukagjinit

Ashtu si në gjithë vendin, edhe në Qarkun e Shkodrës reshjet e shiut gjatë 24 orëve të fundit kanë krijuar mjaft probleme kryesisht në zonat fushore. Konkretisht, situata më problematike është në zonën e Bushatit, në vendin e quajtur Kryebushat, pranë rrugës nacionale Shkodër-Lezhë, ku 12 shtëpi janë izoluar nga uji që është ngjitur deri në 80 cm. Ndërkohë, është përmbytur një sipërfaqe prej 30 hektarësh tokë bujqësore. Reshjet e shiut që vazhdojnë të bien rrezikojnë që këto shtëpi të përmbyten krejtësisht. Shkak për këtë situatë të krijuar është bërë bllokimi i kanalit në të cilin shkarkohen të gjitha ujërat e bardha të zonës së Kryebushatit. Dëmet më të mëdha në këtë zonë janë shkaktuar në infrastrukturën rurale, si dhe në ushqimin e bagëtive. Ndërkohë reshjet e shiut në Qarkun e Shkodër kanë krijuar përmbytje të tokave edhe në zonën e Hajmelit, ndërsa kanë shkaktuar rrëshqitje dheu në rrugën e Dukagjinit, e cila është e pakalueshme.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›