Shembet tavani i kopshtit, fatmirësisht shpëtojnë 90 fëmijët
Gjirokastër- Vetëm fati i ka shpëtuar jetët e vogëlushëve të një kopshti në qytetin e Gjirokastrës, pasi tavani i godinës është shembur plotësisht gjatë orëve të natës, kohë kur në godinë nuk kishte njeri. Ngjarja ka ndodhur në kopshtin numër 5, në lagjen ‘Zinxhira’ të qytetit, kur si shkak i amortizimit tavani i njërës prej dhomave të kopshtit është shembur gjatë natës, duke kërcënuar seriozisht jetën e 90 fëmije të këtij institucioni të arsimit parashkollor. Sipas drejtorit Rajonal të Arsimit në Gjirokastër, Arjan Pano, i cili mëngjesin e së hënës ka inspektuar nga afër situatën, ngjarja ka ndodhur gjatë orëve të natës. “Ishin edukatoret e kopshtit të cilat të shqetësuara më vendosën në dijeni se kur kishin hapur derën e kopshtit në mëngjes kishin vënë re që tavani i njërës prej dhomave ishte shembur i tëri”, thotë Pano. “Unë sapo hapa derën e kopshtit si zakonisht vura re se dhomat ishin mbushur me pluhur. E shqetësuar nxitova brenda kopshtit dhe pashë që dyshemeja e njërës prej dhomave ishte mbuluar nga copa të mëdha suvaje, ndërkohë që tavani ishte shembur plotësisht”, thotë një prej edukatoreve të kopshtit. Për edukatoret vetëm fati i ka shpëtuar vogëlushët, pasi në qoftë se ngjarja do të kishte ndodhur ditën do të ishte shndërruar në tragjedi, duke patur parasysh që në këtë kopsht janë regjistruar rreth 90 fëmijë. Si shkak i mungesës së investimeve prej vitesh, të tria dhomat e godinës njëkatëshe të këtij kopshti janë pothuajse jashtë funksionit, madje edukatoret thonë se një shembje tjetër e tavanit ka ndodhur edhe përpara një viti, por nuk ka qenë e përmasave të tilla. Drejtori i Arsimit, Arjan Pano, thotë se, duke parë situatën e rënduar të godinës, vazhdimisht i është kërkuar bashkisë së qytetit që të ndërhyjë me investime konkrete, por deri tani situata nuk ka ndryshuar. “Gjithë mbulesa prej betoni e kopshtit është mbuluar nga lagështia, si shkak i mungesës së investimeve”, thotë Pano. Nga ana e saj Drejtoria Arsimore, duke parë problematikat e godinës së kopshtit, ka vendosur mbylljen e tij deri në ndryshimin e gjendjes së mjediseve. Në lidhje me këtë ngjarje kanë reaguar edhe përfaqësues të Bashkisë së Gjirokastrës. Sipas tyre, vazhdimisht ata kanë prezantuar projekte konkrete për rikonstruksionin e godinës së kopshtit, por nuk kanë gjetur mbështetjen financiare të qeverisë. “Nisur edhe nga kjo ngjarje bashkia ka vendosur të ndërhyjë me fondet e veta për rikonstruksionin e plotë të godinës së kopshtit numër 5”, thonë përfaqësues të Bashkisë. Vazhdimisht gjendja fizike e godinave shkollore dhe e infrastrukturës mësimore kanë qenë pjesë e debateve të ashpra midis Bashkisë së Gjirokastrës dhe Drejtorisë Arsimore, të cilat fajësojnë njëra-tjetrën në lidhje me këto problematika.