E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabiti motoçikletën, policia e ndalon pas dy orësh

Gjirokastër- Nuk ka zgjatur shumë “kënaqësia” e vjedhjes së një motoçiklete nga një i ri në qytetin e Gjirokastrës, pasi ai është ndaluar shumë shpejt nga policia, ndërkohë që i është sekuestruar edhe motori i grabitur. Sipas burimeve zyrtare në Drejtorinë e Policisë në Gjirokastër, specialistët e Parandalimit dhe Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Gjirokastër kanë bërë arrestimin në flagrancë të 18-vjeçarit H.R., lindur dhe banues në Delvinë, për veprën penale të “vjedhje”. Ai dyshohet se në orët e para duke u gdhirë dita e hënë ka vjedhur në lagjen “18 Shtatori” të qytetit Gjirokastër një motoçikletë, që i përkiste banorit të qytetit me iniciale K.L “Por si shkak i zhurmës së shkaktuar, ai është pikasur nga pronari i motorit, i cili ka kërkuar ndihmën tonë”, thonë burime policore në Gjirokastër. Pas njoftimit të marrë, Patrulla e Përgjithshme e Komisariatit të Policisë Gjirokastër është vënë në ndjekje të autorit të vjedhjes. Kur i riu ka konstatuar se po e ndiqte policia është fshehur në një rrugicë për t’i shpëtuar efektivave blu. “Pas kontrolleve të shumta të bëra nga ana jonë, autori ka lëvizur në një rrugë dytësore për t’i shpëtuar ndjekjes, por s’ka mundur dot të largohet, pasi në dalje të qytetit është arrestuar nga agjentët antikrim të komisariatit të Gjirokastrës”, thonë burimet policore. Gjithashtu, policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe motoçikletën e vjedhur. Sipas policisë së Gjirokastrës, veprimet për ndalimin e vjedhësit të motorit zgjatën vetëm dy orë nga grabitja e motoçikletës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›