E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrësi mbetet në rrethin e kuq për kultivimin e bimëve narkotike

Durrësi renditet në listën e qarqeve problematike përsa i përket situatës së kultivimit dhe shpërndarjes në treg të bimëve narkotike. Situata është përcaktuar problematike, pasi statistikat e vitit të kaluar dhe katër muajt e parë të këtij viti flasin për një rritje të ndjeshme të rasteve të evidentuara dhe të goditura. Ndërsa gjatë një dekade janë regjistruar në qark 31 raste të evidentimit të parcelave me kanabis sativa, 12 prej tyre me 3560 rrënjë të asgjësuara i përkasin vitit 2008. Ndërkohë, këtë vit në Durrës janë goditur 24 raste të shpërndarjes së hashashit dhe lëndëve narkotike. Ndonëse ekziston një ligj që parashikon penalizimin e drejtuesve vendorë dhe punonjësit e policisë së zonës ku gjendet e kultivuar bima, asnjëherë nuk është zbatuar. Drejtori i Policisë së Qarkut Durrës, Ilia Nasi e argumenton këtë mungesë penalizimesh me nevojën për bashkëpunim dhe të qenit ende në një fazë ndërgjegjësimi për këtë problem. Drejtori i policisë theksoi se përtej fitimit të shpejtë që siguron kultivimi dhe tregtimi i bimës së ndaluar ekziston burgu dhe mosgëzimi i të mirave materiale që sigurohen në këtë rrugë. Fshatrat e Ishmit, Shijakut, Manzës, Katundit të Ri në Durrës dhe Cudhisë, Niklës e Bubqit në Krujë renditen në zonat ku janë konstatuar parcela të tëra të kultivuara më kanabis. Shefi i sektorit të luftës kundër drogës në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, Sokol Sejfullari shtoi se nga përvoja e viteve të fundit, fenomenet dhe elementët kriminalë dhe veçanërisht kultivimi dhe trafikimi i lëndëve narkotike shfaqen më shumë në periudhat parazgjedhore, çka bashkë me zbatimin e ashpër të ligjit kërkon edhe më shumë bashkëpunim në territorin e të gjitha komunave të qarkut. Kultivimi i lëndëve narkotike është një akt kriminal dhe do të trajtohet si i tillë, ndërsa bëhet i domosdoshëm bashkëpunimi me institucionet e pushtetit vendor, shkollat, sistemin shëndetësor dhe organizatat jofitimprurëse. Sipas kreut të policisë së qarkut Durrës, duhet të merren masa emergjente, të cilat konsistojnë në rritjen e përgjegjësisë kundër kësaj dukurie me pasoja të rrezikshme për qytetin, në koordinimin e përpjekjeve të të gjithë institucioneve që ushtrojnë veprimtari kundër këtij fenomeni, me synim rritjen e efektivitetit në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike. Për këtë vit, për këto vepra penale rezultojnë 24 persona të arrestuar dhe që vuajnë dënimin me burg të dhënë nga gjykata e Durrësit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›