E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrësi me rrugë të reja



Projektet, flet kryetari i baskisë, Dako

Qeveria lëvron fondet për tri rrugë kyçe

Tri rrugë strategjike për qytetin e Durrësit do të shtrohen falë lëvrimit të fondeve nga qeveria. Burime pranë Bashkisë së Durrësit thanë dje për “standard” se “çelja e fondit nga qeveria për ndërtimin e rrugëve në Durrës, mundësojë çlirimin e trafikut dhe rrisë lëvizjen e njerëzve dhe mjeteve, duke i dhënë tjetër frymëmarrje qytetit”. Nga ana e saj, bashkia ka dorëzuar në kohë rekord, pranë ministrive përkatëse projektet për këto rrugë me shpresë çeljen e fondeve.

Investimi

Drejtuesit e saj kanë vendosur që t’u drejtohen edhe bankave për të siguruar prej tyre kredi shtesë në mënyrë që të mundësohet ndërtimi i këtyre akseve të cilat konsiderohen si mjaft të rëndësishëm për zhvillimin e qytetit. Janë 3 projekte të bëra realitet, bëhet fjalë për rrugën e tregut, për atë të Spitallës, si dhe për rrugën që shtrihet përgjatë kanalit të plazhit. Nga ana e tij, kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako tha: “Bashkia, pasi ka përfunduar në fund të vitit të shkuar projektet për ndërtimin e këtyre rrugëve, të tri projektet i kemi dorëzuar pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve në Ministrinë e Transporteve që ka mundësuar sigurimin e fondeve nga ana e buxhetit të shtetit”. Vitin që shkoi gjatë vizitave të tij në Durrës, Kryeministri Berisha premtoi fonde për tri prej tyre, për rrugën e tregut, të plazhit dhe Spitallës, dhe duket se ky premtim po bëhet realitet. Rruga e Tregut është e gjatë 1,2 km dhe lidh zonën e ish-Kënetës me pjesën tjetër të qytetit dhe të gjithë këtë pjesë me hyrjen e qytetit. Realizimi i projektit kërkoi 1,5 milion dollarë. Ndërsa rruga që shtrihet përgjatë kanalit të plazhit është e gjatë 3 km dhe kërkoi 2,3 milionë dollarë. Rruga e tretë, është ajo e Spitallës, e gjatë 2,8 km. Ndërtimi i saj kërkoi 2,6 milionë dollarë. Nga ana e tij kryetari i bashkisë, Dako, tha: “Bashkia ka vendosur për të realizuar projekte të tjera për ndërtimin e disa rrugëve të tjera dhe për këtë qëllim veç parave nga buxheti i shtetit, do t’u drejtohemi edhe bankave për të siguruar prej tyre kredi me terma të butë”.

Rrugët

Ndërkohë, gjatë vitit 2009, ka në plan rikonstruksionin e disa rrugëve të brendshme të cilat janë të garantuara me fonde nga buxheti i brendshëm i bashkisë. Akset më kryesore që do t’u nënshtrohen punimeve janë rruga “Neki Libohova” me gjatësi 800 m, vlera e projektit 50 milionë lekë; rruga “Kristaq Rama” me gjatësi 250 metra, me vlerë 17 milion lekë. Rruga “Donika” me gjatësi 5000 metra, me vlerë 25 milionë lekë; rruga “Çajupi”, gjatësi 200 metra me vlerë 15 milionë lekë; rruga “Egnatia” me gjatësi 300 metra me vlerë 20 milion lekë; si dhe katër rrugë në Shkozet dhe në periferinë e qytetit në ish-Kënetë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›