Punësimi i të dënuarve, risi në rregulloren e re të burgjeve
Rregullorja u miratua pak ditë më parë. Të dënuarve të punësuar, sigurime shoqërore dhe shëndetësore nga bizneset
Disa ditë më parë, Ministria e Drejtësisë miratoi me ndryshimet e propozuara “Rregulloren e burgjeve”. Në këtë rregullore shihen si risi dy elementë mjaft të rëndësishëm për të dënuarit dhe të paraburgosurit, arsimimi dhe punësimi, një shqetësim i ngritur herë pas here edhe nga këta të fundit në grevat e zhvilluara gjatë vitit të kaluar. Gjithashtu, në këtë rregullore përcaktohet qartësisht se si mund të punësohet një i dënuar, kontrata e punës mes tij dhe punëdhënësit dhe përcaktimi i rrogës jo më poshtë nga paga minimale e përcaktuar nga Këshilli i Ministrave. Në këtë rrogë parashikohet të ketë mbajtje të tatimeve, sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, si dhe mbajtje 20% e rrogës në rast shmangieje gjatë kohës së punësimit. Përmes punësimit, ekspertët e burgjeve kanë menduar që të nxitet aktivizimi i të burgosurve, si dhe aftësitë e tyre për një jetë normale pas lirimit. Të burgosurit duhet të punojnë në përputhje me aftësitë fizike, shëndetësore dhe psikologjike. Ekspertët mendojnë që aktet ligjore dhe nënligjore që shërbejnë për mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë në punë, mirëqenies sociale dhe kohëzgjatjen e punës si dhe ato që rregullojnë marrëdhëniet e punës, me përjashtim të ushtrimit të drejtës së grevës dhe të pjesëmarrjes në sindikata, zbatohen njëlloj edhe për të burgosurit. Sipas ekspertëve që kanë përgatitur ndryshimet e rregullores, puna e të burgosurve nuk ka karakter dënimi. Në këtë draft parashikohet të punësohen edhe personat e dënuar me probleme psikike. Rastet kur parashikohet punësimi i tyre janë vetëm kur kjo u shërben qëllimeve terapeutike. Vërtetimi i gjendjes së treguar në këtë pikë do të bëhet kundrejt raportit mjekësor përkatës, të lëshuar sipas legjislacionit në fuqi. Bazuar në nenin 77 të kësaj rregulloreje, drejtori i institucionit të ekzekutimit të dënimeve penale, ku do të zhvillohet aktiviteti i punës, sigurohet që i burgosuri të punojë duke pasur parasysh formimin profesional, aftësitë fizike dhe mendore të tij. Me urdhër të drejtorit të IEVP-së, të burgosurit i kërkohet të marrë pjesë në parandalimin e katastrofave natyrore, epidemike, aksidenteve ose eliminimin e pasojave të tyre.
Kur mund të punësohen personat e burgosur
1. Kur ka lidhur kontratë pune me institucionin e ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim;
2. Kur ka lidhur kontratë pune me persona të tretë juridikë, vendas apo të huaj, për punë e cila mund të kryhet brenda ambienteve të institucionit të ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim apo jashtë institucionit;
3. Duke u vetëpunësuar.