Konflikti për pronat, përleshje në Vlorë
Sërish tensione për pronat në Vlorë. Mëngjesin e djeshëm, në zonën e Ujit të Ftohtë, ka pasur një përplasje që për pak ka përfunduar në gjakderdhje. “Molla e sherrit” ka qenë një sipërfaqe toke pranë vilave qeveritare, ku aktualisht kanë nisur punimet për ndërtimin e një kompleksi banimi. Nga njëra anë kanë qenë familjet e ish-punonjësve të Ndërmarrjes Bujqësore Vlorë dhe nga ana tjetër investitorët e ndërtuesit që presin të fillojnë zbatimin e lejes së ndërtimit për kompleks pallatesh 4 – 5-katësh.
Të parët pretendojnë se janë pronarë të tokës në bazë të ligjit nr. 7501, ndërkohë që pala tjetër ka përfituar lejen e ndërtimit. Realisht toka në fjalë figuron të jetë në procese gjyqësore mes palëve, ndërkohë që ndërtuesit kanë kufizuar hapësirën prej rreth 45 mijë m2 tokë në total.
Gjatë fundjavës toka është rrethuar me gardh dhe banorët janë penguar të hyjnë në të. Ish-punonjësit e Ndërmarrjes Bujqësore, pasi kanë parë se toka është zaptuar nga gardhi rrethues kanë kërkuar ndërhyrjen e policisë, e cila ka mbërritur në vendngjarje dhe pasi kanë dëgjuar dhe shqetësimin e njërës palë ka thirrur dhe palët e investitorëve për gardhin rrethues.
Me ardhjen e ndërtuesve aty ka nisur debati, që fillimisht ka nisur me fyerje dhe më pas ka kaluar në përplasjet fizike dhe grushte. Policia nuk ka mundur të ndalë sherrin, por ka kërkuar ndërhyrjen e forcave të tjera policore për të shoqëruar më pas dhe disa nga ish-punonjësit, si dhe ndërtuesit. Palët janë marrë në pyetje dhe më pas janë lënë të lirë.
Ligji 7501 ka sjellë probleme në gjithë zonën e bregdetit, ku punonjës të ish-ndërmarrjeve bujqësore nga Vlora në Orikum e më gjerë kanë përfituar prona dhe, nga ana tjetër, qëndrojnë pronarët që i kanë përfituar me certifikata të vjetra apo në forma të ndryshme.
Ndërkohë, në Orikum dje është protestuar sërish për njohjen e të drejtës së pronës të fituar nga ligji nr. 7501.
#