Durrësi nderon Ben Çetën, mjekun e famshëm të qytetit
DURRES / OERD ULQINI
Bashkia ka vlerësuar me titullin e lartë "Qytetar Nderi" i Durrësit mjekun e njohur kardiolog, Benjamin Çeta. Ai është vëllai i të ndjerit Anton Çeta, i njohur për pajtimin e gjaqeve në të gjithë Kosovën.
Titulli me motivacionin "për merita të veçanta në shërbim të komunitetit dhe kontributin e dhënë në fushën e kardiologjisë", i është akorduar doktorit me konsensus të plotë nga Këshilli Bashkiak. Benjamin Çeta, 71 vjeç, është propozuar nga një grup intelektualësh të qytetit për të marrë këtë vlerësim. Në një ceremoni mbresëlënëse, të gjithë thanë fjalën e tyre për doktorin e zemrës, që i shërbeu plot përkushtim mijëra pacientëve. Aktori Mirush Kabashi recitoi një poezi në nder të kardiologut të shquar. Momenti më kulmor i mbrëmjes ishte dhënia e titullit nga kryebashkiaku Vangjush Dako. Në fjalën e tij, doktori Benjamin Çeta nuk i përmbajti dot emocionet për këtë vlerësim që i ka bërë qyteti i Durrësit.
Benjamin Çeta ka lindur në Tiranë më 21 mars të vitit 1937. Pas vdekjes aksidentale të së atit Lazër në vitin 1940, Beni vetëm tre vjeç zhvendoset në Durrës ku jeton tek daja. Ndërsa vëllai i tij Anton dhe motra e vogël shkuan për të jetuar te tezja e tyre në Prizren. Dashuria e Benit për dijen do të shpërblehej në vitin 1959 me laureimin për mjekësi në universitetin e Tiranës. Një vit më vonë dhe specializimi në fushën e kardiologjisë. Në vitin 1961, pas një përvoje të shkurtër në Rrogozhinë ai nisi punë si mjek kardiolog në spitalin e Durrësit. Rreth 20 vite më vonë, në vitin 1981, mjeku u arrestua nga regjimi komunist për "agjitacion dhe propagandë kundër pushtetit popullor", me motivacionin absurd të "simpatisë për Perëndimin". Vuajti plot pesë vjet në burgjet famëkeqe të Bulqizës, Qafë-Barit dhe të Shënkollit, duke iu larguar qytetit të dashur, të cilin e përshkonte çdo ditë me biçikletën e tij.
Sot, në shtëpinë e Ben Çetës, e cila ndodhet në zemër të Durrësit ka gjithnjë njerëz. Ai i kryen vizitat në shtëpi. Vazhdon të japë receta, të cilat shihen nga pacientët si çudibërëse. Të sëmurët nuk janë vetëm pacientë, por edhe miq të ngushtë të doktorit. Ata qëndrojnë me orë të tëra në shtëpinë e Benit, duke treguar histori të ndryshme. Doktorit i pëlqen shumë shakaja. Ai ka një sens shumë të hollë humori. Gjithçka ka arritur në mjekësi ia dedikon çekut, Karel Kubot. "Ai ishte një ndër specialistët më të mirë të zemrës në Evropën Lindore. Pata fatin të punoj me të. Ai u tregua i pakursyer me mua si student, duke më dhënë gjithçka dinte për të fshehtat dhe sëmundjet e zemrës. Atij do t'i jem mirënjohës përjetë", thotë doktori.
Anton Çeta, histori në Kosovë
Vëllai i kardiologut, Anton Çeta ishte vetëm një fëmijë kur la Shqipërinë. Jeta e mëtejshme e Antonit do të ishte një gur themeltar për pavarësimin e Kosovës. Nisma e tij për pajtimin e gjaqeve nuk ishte gjë tjetër, veçse parathënia e pavarësisë. Me një durim dhe guxim të jashtëzakonshëm ai filloi të pajtonte fiset kosovare dhe të shuante mes tyre hasmëritë shekullore të lëna nga kanuni. Mësohet se dy vëllezërit janë takuar shumë rrallë me njëri-tjetrin, të kushtëzuar nga faktorët politikë, si në Shqipëri ashtu dhe në Kosovë, atëherë pjesë e ish-Jugosllavisë. Pavarësisht se Anton Çeta ishte kthyer në një simbol kombëtar të pajtimit në Kosovë, vëllai i tij i vogël Benjamini nuk arriti dot t'i shpëtonte prangave të diktaturës.