E Diel, 1 Nëntor 2026

Largimi i FMN, Bode: Nuk tërhiqemi

 

Fabiola Çela

Qeveria shqiptare ka mundur të menaxhojë në mënyrën e duhur krizën botërore të çmimeve të ushqimeve si dhe krizën financiare. Në një situatë të tillë, krerët e qeverisë nuk e kanë parë të arsyeshme që të zgjasin marrëveshjen me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Tashmë marrëdhëniet me fondin do t'i përkasin një tjetër stadi, pasi financat shqiptare kanë mundur të përballojnë këto kriza. Në një intervistë për "Zërin e Amerikës", kreu i Financave shqiptare, Ridvan Bode, ka shpjeguar marrëdhëniet e reja që do të ketë qeveria shqiptare me FMN-së. Gjatë intervistës së tij, Bode ka theksuar se deficiti buxhetor në 2009-ën do të ulet vetëm me një pikë përqindje. Një vendim i tillë është marrë në kundërshtim me këshillat e dhëna nga misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Misioni
Vitin e ardhshëm përfundon marrëveshja mes qeverisë shqiptare dhe FMN-së. Në përfundim të kësaj marrëveshje, qeveria shqiptare nuk do të kërkojë zgjatjen e këtij misioni. "Nuk e kemi parashikuar që të zgjatet si program. Ne e kemi parashikuar që ky program të mbyllet në janar të këtij viti. Por në një fazë të mëvonshme ka dhe një marrëveshje tjetër që është stand by. Kjo marrëveshje zbatohet në momente të caktuara, por Shqipëria nuk është rasti për të zbatuar këtë marrëveshje", ka thënë dje ministri Bode. Sipas tij, qeveria shqiptare ka demonstruar se ka kapacitetet e duhura për të përballuar krizat. "Ne patëm dy goditje krizash. E para erdhi si pasojë e rritjes së çmimeve. Kjo krizë u përballua me sukses dhe ne kemi nivelin më të ulët të inflacionit në rajon prej 2.5 për qind. Edhe te kriza financiare ne përsëri jemi më  mirë se vendet e tjera. Pra, kjo do të thotë që Shqipëria i ka kapacitetet e duhura për të menaxhuar, por kjo nuk do të thotë se ne nuk do të bashkëpunojmë me FMN-në apo me Bankën Botërore", ka thënë ministri i Financave.
Deficiti buxhetor
Financimi i shpenzimeve për investime, sipas FMN-së, nuk duhet të dalë zbuluar më shumë se 3.5 për qind të GDP-së. Por duket se objektivi i fondit është shumë larg parashikimit të Bodes. "Shqipëria nuk është një vend i deficiteve të larta. Ne këtë vit jemi në një periudhë të investimeve publike të mëdha. Brenda një periudhe trevjeçare ne kemi mundësuar investime publike sa 22 për qind e GDP-së. Kurse i gjithë deficiti buxhetor shkon 9.8 për qind, pra sa gjysma e investimeve publike. Deficiti buxhetor është shumë më i ulët në krahasim me qeveritë e mëparshme, ku niveli i deficitit buxhetor arrinte nga 6 deri në 8 për qind të GDP-së", ka thënë ministri. Për vitin 2008, niveli i deficitit buxhetor do të jetë 5.2 për qind. Ndërsa në 2009-ën niveli i deficitit buxhetor do të ulet me 1 pikë përqindje. E thënë ndryshe, niveli i deficitit buxhetor në 2009-ën do të jetë më i lartë se çka rekomanduar FMN-ja. "Shqetësimi i FMN-së nuk ka të bëjë me faktin se ne kemi deficit të madh, por me faktin se ne programojmë deficit të lartë e nuk e realizojmë dhe kjo ka ndodhur dhe më parë. Por tani kanë ndryshuar rregullat e lojës, pasi më parë FMN-ja mbikëqyrte borxhin e brendshëm dhe nivelin e kredive tregtare, tashmë nuk ka më diferenca, pasi i përmbledh në një të vetme dhe ne jemi të detyruar të adoptohemi me këtë kërkesë të re", është shprehur ministri i Financave shqiptare.

Këshillat e misionit të FMN-së para largimit

Para mbylljes së misionit, drejtuesit e saj i kanë kërkuar me ngulm qeverisë që të ketë kujdes deficitin buxhetor. Në deklaratën e tyre, ata i kanë këshilluar qeverisë që të rishikojë me kujdes shpenzimet aktuale. Edhe këtë vit qeveria ka një shumë të konsiderueshme parash për investime, por realizimi i tyre duhet të jetë më i lartë. Për këtë arsye qeveria duhet të shikojë me imtësi shpenzimet aktuale dhe nëse është e nevojshme të hartojë një buxhet të tretë suplementar. "Për të ruajtur stabilitetin marko-ekonomik, sidomos në klimën aktuale të trazuar në mjedisin financiar botëror, është e domosdoshme të evitohet stimuli fiskal në 2009-ën. Në situatën aktuale ne kemi rekomanduar kufizimin e deficitit në 2009-ën në nivelin 3-3 ½ për qind e PBB-së. Në të ardhmen dhe pasi programi i FMN-së të ketë përfunduar, ne i inkurajojmë autoritetet që t'i përmbahen një objektivi të qartë fiskal, që do të ankorojë politikat dhe do të ndihmojë në aksesin e synuar në tregjet ndërkombëtare të kapitalit", thuhet në deklaratën e FMN-së. Përveç uljes së deficitit buxhetor, misioni i FMN-së i ka këshilluar qeverisë shqiptare që të mos ulë taksën e sigurimeve shoqërore për biznesin, këshillë e cila nuk u mor parasysh nga pala shqiptare.

Fullani: Qëndrimi i FMN-së i rëndësishëm

Qëndrimi i misionit të FMN-së është shumë i rëndësishëm për financat shqiptare. Kështu është shprehur në një intervistë të dhënë dy ditë më parë për "Zërin e Amerikës", kreu i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani. Pyetjes se në cilin kamp pozicionohet në zgjatjen apo jo të programit të FMN-së në Shqipëri, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë i është përgjigjur: "Unë besoj që nuk ka pasur asnjëherë kampe. Unë personalisht besoj që Fondi Monetar Ndërkombëtar është certifikuesi më i mirë i bilanceve kombëtare shqiptare i statistikave tona, është garantuesi i politikave tona makro-financiare dhe padiskutim është garantuesi më i mirë për ta shoqëruar Shqipërinë drejt portave evropiane". Në këtë mënyrë, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë ka theksuar edhe një herë rëndësinë e misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar në Shqipëri. Por, pavarësisht kësaj, misioni i FMN-së është parashikuar që të përfundojë vitin e ardhshëm dhe qeveria nuk do të kërkojë zgjatjen e kësaj marrëveshjeje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›