E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjendet i vdekur në kroçerë turisti turk

Durrës

Ishte nisur në një udhëtim turistik me anijen gjigante “Dalmacia”, por sauna që ka bërë në Korinth të Greqisë duket se nuk i ka bërë mirë shëndetit të 73-vjeçarit. Ozgen Huseyin Erol, lindur e banues në Nesvehir Turqi, me kombësi e shtetësi turke, është gjendur i vdekur kur ka mbërritur në portin e Durrësit, ndërkohë që hetimet e policisë së qytetit bregdetar kanë nxjerrë në pah se bëhet fjalë për një vdekje për shkaqe natyrore. Një gjë e tillë është konfirmuar dje nga zëdhënësja e policisë së këtij qyteti, Ornela Cako, sipas së cilës, viktima kishte hipur në këtë anije më datë 12 të këtij muaji në Izmir Turqi për një udhëtim turistik prej 7 ditësh. Një ditë më pas, rreth orës 10:00, në kohën kur anija kishte mbërritur në kanalin e Korinthit në Greqi, personi në fjalë ka qenë duke bërë sauna në një dhomë të tragetit dhe është rrëzuar në tokë pa ndjenja. Me gjithë ndihmën e dhënë nga stafi mjekësor i anijes për gati 40 minuta, nuk është bërë i mundur rikthimi në jetë. Sipas itinerarit të lëvizjes rezulton se anija ndalesën e parë e ka pasur në portin e Durrësit. Nga kryerja e gjithë veprimeve të para hetimore rezultoi se vdekja e shtetasit turk ka ardhur si rezultat i moshës së vjetër dhe një bllokimi të frymëmarrjes.

Lushnje

Plagos 4 herë me thikë bashkëmoshatarin, i kishte 300 lekë borxh

Për 300 lekë të reja borxh të pakthyer, dy të rinj janë konfliktuar deri në tentativë vrasjeje. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:30 të së hënës, në qytetin e Lushnjes, ku si pasojë e një grindjeje ka mbetur i plagosur disa herë me thikë një 17 vjeçar, ndërsa bashkëmoshatari i tij, i cili ishte dhe autor i saj, është prangosur nga policia lokale nën akuzën e “vrasjes me dashje e mbetur në tentativë”. Sipas të dhënave të policisë lokale një ditë më parë, mësohet se në pranga është vënë 17-vjeçari Edison Lleshi, i cili dyshohet se ka goditur disa herë me thikë bashkëmoshatarin e tij, Paris Rizain. Sipas hetimeve të deritanishme, dy të rinjtë janë zënë për një 300-lekësh që i kishin njëri-tjetrit dhe më pas, pas disa akuzave që i kanë rezervuar herë njërit dhe herë tjetrit në debat e sipër gjithçka ka kaluar në dhunë fizike.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›