E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këmbëngulin hartuesit, “Lidhja e Prizrenit kishte Kushtetutë”, kundërshtojnë historianët

Gafa / Pyetja e dytë e gabuar e Maturës pranohet nga AVA: Do ta rregullojmë

Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve ka pranuar se një nga dy pyetjet e Maturës Shtetërore ishte e gabuar dhe deklaroi se të gjithë maturantët do të marrin pikë të plota. Ndërkohë që këmbëngul se Lidhja e Prizrenit kishte Kushtetutë. Profesorët e Historisë kundërshtojnë dhe japin si argument Historinë e Popullit Shqiptar, ku saktësohet se Lidhja e Prizrenit kishte vetëm një Akt Vendimesh.

Ministria e Arsimit këmbëngul se Lidhja e Prizrenit kishte një Kushtetutë, ndërkohë që për pyetjen e dytë deklaroi se maturantët do të marrin pikën e humbur, pasi ishte një gabim teknik. Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve pranoi se një nga pyetjet ishte gabim, ndërkohë që për tjetrën deklaroi se ishte e saktë, ndonëse historianët kundërshtojnë këtë qëndrim.

MASH: Pyetja e parë, gabim teknik

Drejtori i Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve, z. Edmond Lulja, tha dje për “standard” se pyetja që nxirrte Balshën e Dytë si themelues të Principatës së Arbrit do të quhet e saktë për të gjithë maturantët. “Nuk e dimë se si është bërë një gabim i tillë. Hartuesi që ka ngatërruar këtë do të penalizohet, por me sa jam në dijeni, Progoni ka qenë alternativë dhe duhet të jetë ngatërruar diku nga fundi i procesit”, – deklaroi ai.

Ndërkohë, Ministria e Arsimit ka konfirmuar një fakt të këtillë, por ka mohuar zërat e historianëve për një gabim edhe në pyetjen për Lidhjen e Prizrenit.

Historianët dhe librat e historisë: Lidhja e Prizrenit nuk kishte Kushtetutë

Si zëdhënësja e kësaj ministrie, znj. Ermelinda Muho, edhe drejtori i AVA-së, z. Edmond Lulja, deklaruan se pyetja ishte e saktë. Por, historianët janë sërish kundër një qëndrimi të tillë. “Kjo është skandaloze, – tha gjatë një bisede telefonike me “standard’, prof. dr. Ferit Duka – nëse ka një përgjigje të saktë në këtë pyetje ajo është Akti i Vendimeve dhe kurrsesi Kushtetuta. Unë e quaj gabim”.

Kështu, profesorët dalin në një mendje për sa i përket këtij gabimi. Edhe prof. dr. Kasem Biçoku deklaroi se kjo ishte e pavërtetë. “Edhe kjo përgjigje është e gabuar”, – saktësoi ai. “Nëse i referoheni vëllimit të dytë të Historisë së Shqipërisë, së Akademisë së Shkencave, në faqen 157 do të gjeni se i vetmi akt që ka dalë nga Lidhja e Prizrenit nga ato që ishin parashtruar në pyetje ishte Akti i Vendimeve. Shqipëria nuk ka pasur Kushtetutë në shekullin XIX”.

Madje, kundër variantit të ministrisë, që penalizon 4 mijë maturantë, del edhe vetë libri “Historia e Popullit Shqiptar”, vëllimi i dytë, i Akademisë së Shkencave. Në këtë libër thuhet: “Aktet e para të Kuvendit të Përgjithshëm ishin: një peticion për çështjen shqiptare, dërguar Kongresit të Berlinit, një peticion, dërguar Portës së Lartë, Kararnameja (Akti i Vendimeve-Kanuni) dhe Talimati (Urdhëresa).” Sipas librit, akti nuk quhej Kushtetutë, por Akti i Vendimeve ose Kanuni.

Gafat

Pyetja e parë ka të bëjë me pyetjen numër 1 në variantin B të provimit dhe pyetjen numër 7 të variantit A, që u kërkon maturantëve themeluesin e Principatës së Arbrit. Zgjedhjet për maturantët janë: Gjini, Dhimitri (dy djemtë e themeluesit), Balsha II dhe Skënderbeu. Ndërkohë, çelësi i përgjigjeve nxjerr si themelues të Principatës së Arbrit Balshën e Dytë. Përgjigja e saktë në këtë pyetje është Progoni, ndërkohë që Balsha i Dytë ka jetuar dy shekuj pas themelimit të principatës së Arbrit.

Pyetja e dytë ishte: Programi bazë i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ka hyrë në histori me emrin: A) kushtetuta B) akti i pavarur C) akti i vendimeve D) akti i autonomisë. Në çelësin e përgjigjeve që publikoi ministria, varianti i saktë ishte varianti A, pra kushtetutë. Sipas historianëve varianti i saktë është përgjigja c.

Korrupsioni

Mjekë dhe pacientë, viktima të sistemit të pareformuar

Mjekët kanë preferuar ta deklarojnë të tillë veten duke i barasvleftësuar hallet e tyre me ato të pacientëve, duke i quajtur si viktima të këtij sistemi të pareformuar. Sipas tyre, situata në të cilën po kalon shëndetësia vjen si shkak i një sistemi shëndetësor të pa reforma, në të cilin operohet me ligj të vitit 1963 i firmosur nga Mehmet Shehu. Ky ligj e detyron mjekun të jetë barriera e vetvetes në përballjen me pagat e ulëta dhe dëshirën për të siguruar të ardhura të mjaftueshme.

Mjekë dhe kirurgë të njohur të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” përmes një konference për shtyp kanë pohuar se marrin bakshishet e pacientëve. Arben Baboçi, shef i pavijonit të Kardiokirurgjisë shprehet se “për shkak të financimit të ulët, për shkak të pagave të ulëta dhe një sërë arsyesh të tjera, bakshishi është i paevitueshëm. Prandaj themi që si ta kthejmë bakshishin nga të zi në të bardhë, ndaj them se kjo vjen përmes reformim të sistemit spitalor”.

Nisur edhe nga arrestimi i disa ditëve më parë të kirurgut urolog Kastriot Dautaj, mjekët deklaruan se ndryshimi nuk vjen duke goditur individë të veçantë, por duke bërë reforma të thella në sistemin e shëndetësisë, duke kërkuar futjen e sigurimeve shëndetësore në shëndetësi në mënyrë që shëndetësia të ketë financim të mjaftueshëm për të përballuar të gjitha nevojat e domosdoshme. Ndërsa Arben Gjata, kardiokirurg në QSUT, shprehet se “në qoftë se ne do ta vazhdojmë të lëmë pastërtinë e figurës së mjekut, ndershmëria individuale që ka çdonjëri dhe të ndërtojë jetën me 23 mijë lekë rrogë që ka një mjek i thjeshtë në QSUT, atëherë ai s’duhet të mbajë celular, duhet të vijë me biçikletë dhe rrobat duhet t’i blejë tek “gabi” se ndryshe nuk del”. Në këtë mënyrë mjekët kërkojnë sërish rishikim të reformave të bëra në shëndetësi si dhe ndryshimin e legjislacionit më të cilin funksionon akoma sistemi shëndetësor në vendin tonë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›