E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spitalet , Vatër infeksionesh



E gjithë kjo situatë e krijuar duket se rëndon më së shumti mbi pacientët. “Viktimë” e infeksioneve spitalore duket se ka mbetur një pacient 47-vjeçar, i cili vazhdon të vuajë në gjendje shëndetësore tejet të rënduar. Ndërsa teksa pyet pacientë të tjerë mbi higjienën e spitaleve dhe pastrimin e ambienteve me detergjente, Baftie Ademi, nënë e një vajze 14–vjeçare të shtruar në QSUT, shprehet se “kemi frikë të përdorim çarçafë dhe mjetet e spitalit, çdo gjë e kam marrë nga shtëpia”. E ndërsa të tjerë në pamundësi financiare pranojnë edhe ato çarçafë që ofron spitali”. Deri ku do të shkojë situata në spitale? Flasin mjekë, specialistë të ISHP-së, DSHP-së, QSUT-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë

Shërbimit mjekësor shqiptar i shtohet një tjetër disfatë. Përveç mungesës së pajisjeve mjekësore dhe medikamenteve, kohët e fundit spitalet vuajnë edhe nga mungesa e higjienës. Infeksionet spitalore duket se kanë pushtuar nga brenda ambientet e brendshme të Qendrës më të madhe Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Gjithçka nisi para disa ditësh, ku katër pacientë pas ndërhyrjes kirurgjikale të kryer në zemër shfaqin shqetësime deri në përkeqësim të vazhdueshëm të gjendjes shëndetësore. Dyshimet e para bien mbi infektimin e tyre të mundshëm nga sallat e operacionit. Në këtë mënyrë tre salla operacioni në pavijonin e kardiokirurgjisë mbyllen për të nisur më pas inspektimin. Specialistë të Institutit të Shëndetit Publik dhe ata të QSUT ushtrojnë kontrollet e nevojshme. Pas dy ditësh zbulohet se sallat e operacionit janë të kontaminuara nga bakteri stafilokok dhe se përkeqësimi i pacientëve ka ardhur për këtë shkak. Sallat izolohen duke u marrë përsipër kryerje sa më të shpejtë të dezinfektimit dhe sterilizimit të tyre për të filluar më pas punën normalisht.

Por gjendja e njërit prej pacientëve të operuar vazhdon dhe përkeqësohet edhe pas operacionit. Menjëherë pas kësaj ai transportohet për në reanimacion. Gjendja e tij shëndetësore mbetet e njëjtë. Për këtë arsye specialistët e higjienës nisën kontrollet, dyshimet e tyre u konkretizuan më tej kur në reanimacion konstatuan një bakter akoma më të rrezikshëm se stafilokokun, pseudomonas.

Përplasje ISHP – QSUT

Situata merret nën kontroll nga ekipi i Institutit të Shëndetit Publik dhe ai Nazokomial në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Të dyja palët së bashku bënë një sondazh në sallat e operacionit në pavijonin e Kardiokirurgjisë. “Sondazhi u anketua nga qendra e QSUT–së ku u zbulua mikrobi stafilokok. Pas izolimit të ngarkesës mikrobiale në bashkëpunim me shefat e Kardiokirurgjisë u bë mbyllja për të bërë një dezinfektim. Pas dezinfektimit kjo qendër ka marrë në ekzaminim para 4-5 ditësh ku u konkludua me një ngarkesë mikrobiale gram negativ. E njëjta gjë u pohua edhe nga specialistët e ISHP-së të cilët morën në ekzaminim edhe ambientet e reanimacionit dhe u konstatua dhe më pas u izolua pseudomonasi, i cili zhvillohet në temperaturën 41-42 gradë celsius dhe jo në 4 gradë celsius. Nga identifikimi i këtij mikrobi kolonitë janë të mëdha në ngjyrë të gjelbër në blu dhe kjo vjen si rezultat i pigmentit të prodhuar”, - shprehet znj. Zaide Sulejmani, specialiste e infeksioneve spitalore në ISHP. Specialistja Sulejmani shpjegon se shkaqet e zhvillimit të këtyre lloje bakteresh vijnë si rezultat i mospastrimit, pra i jo sterilizimit (pasi në QSUT nuk kishte dezinfektant). Ndërkohë aktualisht spitalet janë pajisur me dezinfektant hexol i cili është një lloj dezinfektanti baktericid virurosid.

Ajo shton se brenda kësaj jave ose apo nga fillimi i javës tjetër dalin rezultatet mbi gjendjen sanitare të sallave dhe nëse rezulton i pastër atëherë do të hapen.

Specialistët qetësojnë popullatën duke theksuar se situata është nën kontroll dhe se në të gjitha vendet e botës ekzistojnë infeksionet spitalore që në të vërtetë janë infeksione sekondare.

Nga ana tjetër, mjekët e Kardiokirurgjisë shprehen se deri më tani nga ana e ISHP–së nuk janë pajisur me asnjë shkresë zyrtare, e cila i njofton mbi rezultatet e analizave të kryera në sallat e operacionit apo në atë të reanimacionit. Shefi i Kardiokirurgjisë, Arben Baboçi, pohon se “deri më tani ne nuk kemi shkresa zyrtare nga ISHP-ja mbi rezultatet e analizave mbi gjendjen e sallave të operacionit dhe se në këto salla është konstatuar mikrob dhe jo bakter”. Ai shton më tej se “bakteret gjenden kudo dhe janë të pashmangshme”. Sipas tij, sallat e Kardiokirurgjisë dezinfektohen çdo javë dhe ky pavijon është krenari kombëtare dhe sallat e saj janë të përshtatura sipas kushteve të BE-së. Në to punojnë edhe ekipe mjekësh të huaj, që vlerësojnë kualitetin dhe protokollet e mjekimit.

Deklarimet e kirurgëve më të njohur të QSUT–së bënë të qartë dje gjatë një konference për shtyp, e duke theksuar se në pavijonin e kardiokirurgjisë nuk ka virus vdekjeprurës.

Gjatë këtij viti në Kardiokirurgji (QSUT) janë operuar 250 persona dhe vdekshmëria nga infeksionet ka qenë 0.5 për qind. "Të operuarit e këtij viti kanë qenë nga mosha 4 muajsh deri në 80 vjeç dhe asnjë nuk ka vdekur", - tha Baboçi, duke kërkuar mos spekulim me emrin e vënë si "virozë vdekjeprurëse". Doktori kardiokirurg Arben Gjata, shprehet se “infeksionet spitalore janë pjesë përbërëse dhe fatkeqësisht dhe bashkëshoqëruese e kirurgjisë dhe sidomos kur flasim për infeksionet kirurgjikale. Në këto kushte që flasim, ka mungesa të theksuara të medikamenteve, të ilaçeve të sapunit dhe të detergjenteve. Ne punojmë në kushte shumë të vështira dhe të gjitha këto reflektohen shumë më tepër në kurrizin e pacientëve”. Mjekët e pranojnë gjendjen e rëndë të spitaleve, por thanë se nuk mund të përgjigjen për arsyet e mungesës së mjeteve higjienike të pavijoneve apo mungesën e medikamenteve.

Pacientë

E gjithë kjo situatë e krijuar duke se rëndon më së shumti mbi pacientët. “Viktimë” e infeksioneve spitalore duket se ka mbetur një pacient 47-vjeçar, i cili vazhdon të vuajë në gjendje shëndetësore tejet të rënduar. Ndërsa teksa pyet pacientë të tjerë mbi higjienën e spitaleve dhe pastrimin e ambienteve me detergjentë, Baftie Ademi, nënë e një vajze 14–vjeçare të shtruar në QSUT, shprehet se “kemi frikë të përdorim as çarçafë dhe as mjetet e spitalit. Çdo gjë e kam marrë nga shtëpia”. E ndërsa të tjerë në pamundësi financiare pranojnë edhe ato çarçafë që ofron spitali. “Vij nga Korça dhe e kam shtëpinë shumë larg që t’i marr nga shpia çarçafët dhe batanijet. Pranoj këto që më jep spitali”, –shprehet Nevruz Lame. Teksa rendim korridoreve të pavijoneve të ndryshme të QSUT-së në këto ditë të ngrohta vere, nuk mund të mos bjerë në sy dyer e dritare të hapura dhe ventilatorë të ndezur, ndërsa çezma rrjedh ujë të bollshëm në lavaman, si një ndër mënyrat e zgjedhura nga pacientët për të përballuar gjendjen në të cilën ata ndodhen.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›