Durrësi përmbytet nga 2 orë stuhi
DURRES/ OERD ULQINI
Durrësi i nënshtrohet për dy orë një stuhie të fortë të natyrës tropikale. Shiu i “çmendur” i mëngjesit e shndërron Durrësin në versionin më të shëmtuar të Venecias. Jeta e qytetit-port u paralizua krejtësisht nga forca madhore e natyrës, krejt e pazakontë për muajin korrik. “Lumenj” të tërë u ngritën për disa minuta duke shfrytëzuar si shtretër rrugët pa sistem kullimi. Situata u duk dramatike në Shkozet, Kënetë dhe Porto-Romano, zona këtë të cilat “viktimizohen” nga reshjet e para të shiut. Shtabi i emergjencës i ngritur në qytet dëshmon për dhjetëra shtëpi të përmbytura. Fatmirësisht, rreth orës 08:00 të mëngjesit shiu pushon së rëni duke rikthyer normalitetin në jetën e qytetit. Për disa orë qyteti i Durrësit dhe rrethinat e tij Manëz, Sukth, Shijak etj. janë vënë nën pushtetin e ujërave. Disa prej shesheve kryesore të Durrësit si stacioni i trenit, rrethrrotullimi i Shkozetit e zona të tjera i ngjanin liqeneve artificiale. Situata në Shkozet ishte më e rënduar, kjo dhe për pasojë të rrugës kryesore në rikonstruksion e sipër. Gropat e hapura gjatë punës së makinerive të rënda u mbushën me ujë, duke bërë që mjetet, të çdo tonazhi qofshin të fundoseshin papritur.
Këto reshje qershori rinxorën në pah dobësitë e sistemit kullues të qytetit, i cili në 15 vjet e ka pesëfishuar popullsinë e tij, si pasojë e dyndjeve demografike. Por kundrejt këtyre të dhënave përsa i përket sistemit kullues nuk është kryer asnjë investim serioz. Infrastruktura e vetme kulluese i takon viteve të para të diktaturës, kur u ngritën në Durrës dy hidrovore. në Hamallaj dhe Porto-Romano. Nga funksionimi i tyre varet derdhja në det e ujërave që përmbytin qytetin. Ndërkohë shirat dhe llumi që shkiste nga kodër-vila kanë vërshuar furishëm rrugëve të qytetit duke bllokuar trafikun e makinave dhe kalimin e këmbësorëve. Dy hidrovorët e vetëm të Qarkut ai i Porto-Romanos dhe ai i Hamallajt janë duke punuar me maksimumin e kapacitetit të tyre. Kështu bëjnë të ditur burime nga bordi kullues. Në bazë të tyre gjatë orëve të mëngjesit në qarkun e Durrësit janë përmbytur afro 50 ha tokë bujqësore, por për fat ndërprerja e shiut si dhe etja e tokës e tharë nga nxehtësia e korrikut normalizoi situatën. Ndërkohë, nuk ka pasur probleme me tragetet, ndërsa për shkak të shiut u bllokua zbrazja e hambarëve me drithëra.