Grabitet stacioni i pompave, fshati pa ujë
SARANDE - Stacioni i pompimit të ujësjellësit të fshatit Shelegar, rreth 4 km larg qytetit të Sarandës, ka rënë pre e keqbërësve. Ata kanë shkulur panelin kryesor të takimit të pompës, duke bërë që për disa ditë radhazi më shumë se 100 familje të këtij fshati të mbeten pa ujë. Prej së shtunës së kaluar më shumë se 100 familje në fshatin Shelegar, nuk furnizohen me ujë të pijshëm, kjo për faktin se stacioni i pompimit, që ndodhet në afërsi të fshatit Vromero, është bërë objekt i një vjedhjeje të qëllimshme për ta nxjerrë atë jashtë funksionit. Nga persona ende të paidentifikuar është depërtuar përmes dritares së stacionit, duke prerë hekurat e dritares dhe është hyrë në stacion. Aty ata kanë këputur panelin kryesor të takimit të pompës, madje është vjedhur edhe matësi i energjisë elektrike të këtij stacioni. Dëmi ekonomik i shkaktuar është në vlerën e 700–800 eurove, por dëmi më i madh është krijuar me ndërprerjen e furnizimit me ujë të pijshëm të banorëve të një fshati të tërë. Fshati Shelegar ka rreth 3.5 vjet që ka ngritur stacionin e pompimit dhe se e ka pasur të zgjidhur problemin e furnizimit të familjeve që kishte siguruar 24 orë ujë përgjatë ditës. Kjo falë një investimi nga Bashkia e Sarandës. Kryeplaku i fshatit Shelegar, Shaban Tushe tha se, pavarësisht qëllimit të keq të autorëve, është duke u punuar që çdo pajisje e marrë apo e dëmtuar të zëvendësohet në afatin më të shkurtër. Nga ana e tyre, organet e specializuara vazhdojnë të hetojnë për të zbuluar autorët. sh.d