E Shtunë, 31 Tetor 2026

Enver Hoxha: Të martoj Valbonën, pastaj të vdes

 

Tanimë është bërë gjyshi i një mbese dhe tre nipave. Pas Valbonës, pinjollëve Hoxha iu shtuan edhe Ermali, Shpati e Shkëlzeni. Dalëngadalë Enver Hoxha ndjen se po jeton vitet e fundit të jetës, ndoshta kjo është edhe arsyeja pse ngutej të fiksonte gjithçka nga marrëdhëniet e tij me nipërit dhe mbesat. Një anë e panjohur e ish-diktatorit Enver Hoxha u zbulua përmes ditarit të tij “Gjyshi i Valbonës”, i botuar vetëm pak kohë më parë, ku vendin e udhëheqësit e zë gjyshi, që dorëzohet para çdo kapriçoje të të vegjëlve e sidomos të Valbonës, mbesës së tij të vetme dhe gëzimit të parë. Zemra ia do që ta shohë nuse, të rrojë edhe ca vjet e pastaj, le të mbyllë sytë. Pasi dera e Hoxhajve u mbush me zërat e nipërve, vëmendja e tij nis e shpërndahet nga pak gjithandej, por duket se Boi (Valbona) është unike për të. Një moment emocional në jetën e tij, duket se ka qenë edhe ardhja në jetë e vëllait të Valbonës, Shpatit, i cili mori pseudonimin e tij gjatë viteve të Luftës Antifashiste, me të cilin vulosi vendime të rëndësishme për kohën. Në letrat e veçuara mes shumë syresh, flitet pak edhe për periudhën e vështirë të asgjësimit të “grupit puçist të naftës” në vitin 1975, apo për tërmetin e vitit 1979 në veri të Shqipërisë dhe mënyrën se si u përballua situata. Al.mi
Durrës, e mërkurë, 23 korrik 1975
...Valbona ka qenë gëzimi i madh për mua, për Nexhmijen dhe për të gjithë. E gjithë shtëpia qesh kur vjen ajo, qesh tenda në breg të detit, tenda para shtëpisë. Po të na shihte ndonjë jashtë familjes me Valbonën do të na thoshte: “Jua mori mendtë kjo çupë e vogël!”. Jo vetëm nuk na i mori mendtë xhani i vogël, por na shtoi jetën. S’kam kaluar në Durrës kurrë pushime kaq të bukura, të gëzuara. Këtë gjë ma krijoi Valbona. Nuk e kam ndjerë veten kaq mirë, edhe kur kanë qenë të vegjël Iliri, Sokoli e Pranvera.
Këta i kam dashur shumë, po ku ta di unë, pleqëria ta shton dashurinë për fëmijët e fëmijëve. Valbona ma bën jetën të gëzuar. Ky vit ishte i rëndë për mua, pasi luftova tok me shokët kundër armiqsh të egër të partisë dhe të popullit: Beqir Ballukut, Hito Çakos, Petrit Dumes, Abdyl Këllezit, Koço Theodhosit dhe sabotatorëve të naftës, por ardhja në jetë e Valbonës, rritja e saj dita me ditë, deri sa u bë dhe shkuam në plazh të më lehtësonte, më çlodhte. Harroja për disa kohë në ditë, mërzitë e qederet dhe punoja me zell, më me vitalitet...
Vlorë, 8 mars 1977
E shtrenjta ime!
E dashura e zemrës sime Valbona!
Sot më 8 mars, kur ti më mbush dy vjet, u ngrita me një gëzim të madh, u rrova, u lava, dhe erdha drejt në dhomën tënde, të të puthja, të të përqafoja, të të uroja! Dëgjova zërin tënd të ëmbël, si i bilbilit që këndon thellë në mëngjes në pranverë, por kur vajta në dhomën tënde pashë që zoçka kishte lënë folenë e vet dhe kishte ikur tek ajo e prindërve të saj.
Por duke të pritur poshtë, po të shkruaj këto radhë zemra ime, do të pres të të puth, të të puth dhe të të uroj të më rrosh 100 vjeç me mamin, babin dhe vëllanë e “kaqe” që do të vijë. Të rrojë dhe gjyshi (se nëna Mija do të rrojë) sa të më bëhesh 20 vjeç, që të të gëzojë dhe të të shohë nuse, pastaj le të vdesë. Jam i sigurt se do të rrojë dhe do ta arrijë atë ditë të lumtur. Duke pritur këtë ditë, që sot do të jenë disa gjëra të bukura për “nusen e vogël”. Kur të rritesh, gjyshi do të blejë edhe fustan, edhe këpucë, edhe libra, edhe “kem” (krem), edhe një pushkë, edhe një kazmë. Të gjitha do të t’i blejë me radhë. Po tash, besoj se më mirë do të zënë vend çokollatat, “kokakatat” me lajthi. E di unë, edhe babi Toli, edhe mako e dinë, që m’i sollën që nga Parisi. Të fortë janë këta që duruan deri tani, që nuk t’i dhanë. Por gjyshit i erdhi mirë, pse do të t’i japë copa-copa në gojën tënde të “kaqe”.
Po e lë letrën përgjysmë se më erdhe poshtë në sallon, si një yllkë e ndritur, me një fustan të bukur!
E dashura ime Boi, të përqafova ty, Makon, Tolin dhe pasandaj të vura bizhuteritë (lodra). Të vara në qafë rruzat e bardhë, byzylykun dhe vëthët. Sa e bukur m’u bëre! Nur, xhani im! Të çova te nënë Mia dhe asaj sikur i hyri dielli në odë, nuse e bukur si dielli i sotëm që ndrit ndër portokalle më je bërë në ditëlindjen tënde! Xhiruam film nën portokalle, morëm fotografi që t’i kemi nga kujtimet tona më të mira. Ti je e vogël, nuk do t’i kujtosh këto ditë kaq të lumtura të gjyshit tënd që të do shumë, por kur të rritesh, këndo këtë letër dhe do të marrësh një të një mijtën e ndjenjave të gjyshit për ty, pse është e zorshme Bo të t’i shkruaj ato çka ndjej unë për ty, unë gjyshi Hoxha i Valbonës së dashur.
Pogradec, e enjte, 1 korrik 1977
Sot në mëngjes, në orën 8, Sokoli u kthye në Tiranë. Pasi bëra shëtitjen e mëngjesit më doli përpara vajza e dashur, Valbona me një tufë të madhe me karafila dhe më tha: “Babi Toli, babi Toli shkoi në Tiranë”.
Mirë moj vajzë e dashur, - i thashë, - le të shkojë. Ai do të vejë te Liliana, ti këtu ke gjyshin, ke nënë Mijen, ke gjithë këtë kopsht të madh me lule, ne sot do vemi në Volorekë, do marrim edhe breshkën”. Shoferi im i ka gjetur një breshkë, e ka pastruar, i ka llakuar kafkën dhe Valbonës i duket sikur i kanë dhënë diçka të çuditshme. “Moj çupkë, i them, - kij mendjen mos të të quajnë “breshkaxheshë”, pse breshkaxhinj ne quanim fashistët italianë, kurse ti je shqiptare, je trime, se breshkaxhinjtë ishin frikamanë”. Ku i kupton Valbona e vogël këto gjëra, megjithatë unë i them...
Pogradec, e martë, 9 gusht 1977
Pushimet në Pogradec iu afruan fundit. Nesër do të largohemi dhe do të kthehemi kush në Tiranë, kush në Durrës. Unë do të shkoj në Durrës me Pranverën, me Dritanin dhe me Klemin, po ashtu edhe Liloja me Teutën dhe Ermalin, kurse Nexhmija do të jetë “mbi kalë”, edhe në Durrës, edhe në Tiranë, për arsye të nënës dhe të Lilianës, deri sa të na çlirohet kjo e fundit nga barra dhe të na sjellë një gëzim tjetër, një djalë, ose një çupë, ç’të jetë. Për ne kjo do të jetë një lumturi e madhe, do të na bëhen katër “lule”, katër kalamaj.
Po gëzimi im i madh që po iki është se do të vijë edhe Valbona në Durrës. Kam dy javë që nuk e kam parë vajzën dhe në telefon ajo nuk dëshiron të më flasë, duket se po më mban mëri që e lashë dhe shkoi në Tiranë. Ajo është djalli vetë, por do ta gjej në Durrës.
Durrës, e diel,
14 gusht 1977
Të përqafoj dhe të puth, vajza ime e dashur, për gëzimin e madh dhe të papërshkruar që na shkaktove, kur morëm lajmin e shumëpritur të çlirimit tënd me lehtësi dhe me shëndet të plotë nga barra. Na dhe një dhuratë mjaft të çmuar, djalin e dashur, Shpatin. Të na rrosh sa malet, ti, Sokoli, Valbona dhe Shpati si dhe të gjithë të dashurit e zemrave tona.
Lilianë e dashur, e prisnim me padurim këtë ditë dhe këtë lajm të gëzuar! Sihariqin e parë na e dha nëna, nëna-Dhuratës, kjo Sano. Sanua erdhi me vrap dhe më dha lajmin: “Djalë, djalë!”, - bërtiti.
Që në mëngjes e morëm vesh që shkove në maternitet. Nexhmija po përgatitej të vinte në Tiranë. Unë si burrë që nuk i di këto çështje, pyeta Pranverën: “Do presim ditë?”.
“Çfarë ditë, - më tha Pranvera, - në drekë të datës 13 gusht kemi sihariqin”. Dhe nuk pritëm drekën, po na mbuloi gëzimi i madh më parë, e puth njërin, e puth tjetrin. S’dinim ç’të bënim tjetër, as ti, as Sokolin, as Valbonën nuk i kishim pranë, po ju kishim në zemër dhe ju puthnim nga larg derisa të takoheshim së shpejti. Boi na gëzoi që na erdhi, dhe e shqyem duke e puthur, na dukej sikur ju puthnim ju të treve.
Liliana dhe Sokol i dashur, Shpati të më rrojë sa malet, ta rritim të gëzuar, ta bëjmë të ditur, punëtor dhe trim. U gëzova aq shumë që ju i vutë emrin e luftës së gjyshit të tij, Shpati. Ky emër është shumë më i dashur për mua se dhe ai i Valbonës, pse me emrin e Shpatit kam firmosur dokumentet kryesore dhe sidomos dokumentin e thirrjes së kryengritjes së përgjithshme. Ta trashëgojë këtë emër, ta ruajë të pastër dhe pa njolla. Ne jemi të bindur për këtë, se fëmijët tanë të gjithë do të rriten si ushtarë besnikë të popullit.
Liliana e dashur, mendjen e kemi aty te ju. Sot na thanë se ti je mirë dhe Shpati lëshoi klithmat e të uriturit, donte “çuçu”. Boi është shumë mirë. Tash e kisha në prehër dhe i flisja për ty dhe për Shpatin. I thosha se do vemi te mako dhe Shpati. Sa i mirë është Shpati! Ajo më pyeste: “Ku Mako, ku Shpati?”
I tha Nexhmija: “Në klinikë”. Boi tha: “Jo klinikë”.
“Jo xhan, - thashë unë, - Mako, Shpati, Toli janë në shtëpi në Tiranë edhe ne do vemi t’i puthim!”
Liliana e dashur, s’na pritet sa të kthehesh në gjirin e familjes. Ç’më mban mua, u bëra katër herë gjysh dhe ku e ke se çdo na vinë të tjerë.
Po shpejt do të piqemi. Ju puth me mall të treve.
I juaji
Enver!
Tiranë, mars 1979
Të dashur Liliana, Valbona dhe Sokol!
Që nga martesa tënde Toli, kaluan 5 vjet dhe erdhën në shtëpi 5 pushkë; në 5-vjeçarin tjetër edhe 5 dhe në 5-vjeçarin e tretë edhe 5 të tjerë. Siç e shihni e shtova numrin nga 9 e bëra 15. Vetëm Anea ime bëri 8-9! Kurse Liliana, Teuta dhe Pranvera janë tre, shkojmë sipas matematikës së zhvilluar.
E të vijmë Boi i dashur te ceremonia e vënies së emrit të djalit të dytë të Ilirit. Këtë ceremoni nuk e kam bërë për ju, por dialektika e shpjegon (Ti nuk e kupton këtë fjalë, por mami tënd e kupton). Gjyshi vazhdon: Çun i dashur, Shkëlzen është një nga malet më të lartë e më kreshnikë të atdheut! Ai i ka rrënjët thellë në tokën shqiptare dhe kokën lart në re dhe andej ai shikon jo vetëm Shqipërinë Socialiste, por edhe tokat tona të Kosovës, të Malit të Zi dhe të Maqedonisë. Prandaj dhe ti çuni im, të rrosh sa mali që të vura emrin, të jesh trim, t’i mbash këmbët fort në tokën e atdheut, kokën mos e mbaj lart si të Malit, se kjo e drejtë i takon vetëm Shqipërisë. Ti të jesh i thjeshtë, trim, ushtar besnik i popullit dhe i Partisë.
Gjyshi vazhdoi: Këtë rrugë të lumturisë na e hapi Valbona që na erdhi e para plot fufurima, e pastër, e kulluar, e bukur si ajo. Kështu je ti Boi, apo të të them uji i kulluar i Valbonës (që figuron edhe në Historinë e Partisë). Valbona duhet të sillte dhe erën e bjeshkëve dhe na erdhi Ermali. Por Ermali dhe Valbona s’rronin dot pa dritë dhe na erdhi Dritani. I gjithë ky vend dhe ky popull i dashur i joni, duhej çliruar “me shpatë”. Lufta për çlirim u bë në malet si shpatë, prandaj erdhi edhe Shpati (edhe ky emër figuron në Historinë e Partisë, me këtë emër u nënshkruan urdhrat e sulmit të përgjithshëm që solli çlirimin).
Dhe gjyshi vazhdoi: Shqipëria socialiste u zbukurua, populli u shtua, u kulturua, rron i lumtur. Që të shihen këto përparime duhet të hipësh në majën më të lartë të malit me dritë dhe ja na erdhi dhe Shkëlzeni...
19 prill 1979
...Fatkeqësitë e tërmetit, ua thamë në telefon. Ishte një tërmet shumë i fortë. Në Tiranë mbajti me orë në dorë 50-55 sekonda; s’kishte të mbaruar. Menjëherë më erdhën lajmet, katastrofa ishte në Shkodër dhe në Lezhë. Qytetin e Shkodrës e kapi vala e madhe 10-11 shkallë Merkali. Më e madhe se e Shkupit dhe Friuli-Xhulia (Itali). Rrafshoi tre kooperativa të Bregut të Bunës. Me 80% rrafshoi një sërë fshatrash të Bushatit, krejt Bahçallëkun, në të hyrë të Shkodrës etj. Qyteti i vjetër i Lezhës, nën shesh e deri në buzë të Drinit, krejt. Pati 35 viktima, pse që herët kishin shkuar në aksion. Të plagosur kishte mbi 350, disa shumë rëndë (4-5). Po bëhen përpjekje të shpëtohen edhe këta.
Morali i popullit kur ra tërmeti, ishte shumë i lartë, asnjë fije paniku. Brenda katër orëve nga sizma, çdo gjë ishte sistemuar, çadra të ushtrisë, kasolle me plastmas, ushqime. Të plagosurit u çuan në spitale. Tërë populli u ngrit në këmbë. Të gjithë sekretarët e parë të rretheve që nga fundi i Sarandës, u gjendën në drekë në vendet e tërmetit, për të marrë porositë e nevojave që duhej të dërgonin. Që atë ditë u nisën ndihmat, karvanët me specialistë, materiale vullnetare. E gjithë Shqipëria në këmbë! Morëm vendim që afro 10 mijë shtëpi etj., të ndërtohen me plan, e më të bukura, deri në 1 tetor. Do t’i ndërtojmë më parë, por e caktuam këtë datë që të jemi brenda. Tërmeti u ndje në të gjithë Shqipërinë e Veriut. Disa dëme jo të mëdha ka pasur edhe në Mat, Peshkopi, Kukës dhe Tropojë. U ndje katër ballë edhe në Vlorë, por pa dëme. Në Gjirokastër, Korçë, Kolonjë, Pogradec, nuk u ndje. Asnjë fabrikë apo uzinë dhe asnjë shtëpi e re nuk lëvizi asnjë grimë. Çdo gjë e re i rezistoi tërmetit të rëndë. Por tashmë situata është normale, kurajë, entuziazëm, besim, dashuri për Partinë dhe punë e tejfishuar kudo.
Kjo ishte një provë alarmante aksidenti natyror, që vetëm te ne mund të arrihet me këtë shpejtësi, në këtë unitet.
Ne jemi të gjithë mirë, me gëzim po ju presim të na vini shëndoshë e mirë. Si ngaherë, ne mbahemi, mblidhemi në sallën e bukës, bisedojmë bëjmë shakara, ju kujtojmë ju, bëj nga një tavëll me Klemin, më mund, e mund, si të qëllojë. Kur venë fëmija në dhoma për të fjetur, shkoj i shoh, i puth, iki shumë herë fshehurazi si kaçakët se s’më lenë.
Ditën po punoj si zakonisht, pasdreke lexoj dhe studioj. Në krevat kur dua të fle, lexoj librat që më dërguat ju.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›