E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrësi vendoset në lëvizje, gati përballimi i fluksit të sezonit



Burime nga agjencitë detare që operojnë me tragetet e linjave me Italinë, thanë dje për “standard” se “afro 20 mijë pasagjerë me mjetet e tyre, pritet të zbarkojnë në fundjavë e në vazhdim, duke nisur kështu fluksi i ardhjes së tyre drejt vendlindjes, për të kaluar pushimet e verës në vendin e tyre të lindjes”.

Përgatitja

Dogana, Policia e Portit dhe APD janë gati si asnjëherë tjetër për pritjen e mijëra bashkatdhetarëve tanë që pritet të vijnë me linjat e trageteve nga Italia. Tri institucionet kryesore dhe përgjegjëse për fluksin e emigrantëve, porti, dogana dhe Policia Portuale, kanë marrë masat radikale dhe janë gati për përballimin me sukses të një situate të tillë.

Duke folur për “standard”, drejtori ekzekutiv i APD-së, Eduart Ndreu, tha: “Bazuar në informacionet nga agjencitë tona detare dhe portet italiane, rezulton se këtë fundjavë në port do të mbërrijnë rreth 20 mijë pasagjerë me tragete, prej të cilëve njëri do të sjellë edhe afro 1500 makina, gjë e cila na vuri përballë masave urgjente, duke deklaruar se jemi gati të përballemi me çdo situatë të rënduar, mbi të gjitha porti ka gati një infrastrukturë moderne e cila është realizuar këtë vit me një financim nga qeveria dhe BB-ja”.

Fluksi

Për të përballuar fluksin e pasagjerëve në policia, porti dhe dogana, kanë marrë masa për çeljen e 20 sporteleve shtesë si për pasagjerët ashtu dhe për ata që vijnë me automjete. Kështu, në gatishmëri janë vënë sportele të pajisura me teknikë dhe me personel policor të instruktuar për përballimin e situatave të tilla.

Sipas kreut të Policisë së Portit, z. Elvia Kalamishi: “Masat janë marrë të tilla që një pasagjeri që del nga trageti, të mos i duhet të qëndrojë në port më shumë se 20 minuta”. Ndërkohë, në databezin e Policisë Kufitare janë pasqyruar të gjithë personat në kërkim ndërkombëtar dhe të atyre të shpallur në kërkim të brendshëm si dhe të gjitha automjetet e vjedhura e që janë në kërkim nga Interpoli.

Pala italiane, “OK” me palën shqiptare. Interesimit të Policisë së Portit të Durrësit për pritjen e emigrantëve tanë i janë përgjigjur edhe homologët e tyre italianë të Barit. Personeli doganor dhe APD janë në gatishmëri të plotë. Edhe Dogana e Durrësit ka marrë masa për pritjen e fluksit të emigrantëve. Në bashkëpunim me policinë do të realizohet ndarja e kamionëve të tonazhit të rëndë nga makinat e vogla të emigrantëve në mënyrë që këta të fundit ti shmangen procedurave të gjata doganore me të cilat përballen kamionët e mallrave.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›