E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan; Zhvillohet Olimpiada Mbarëkombëtare e Matematikës



152 nxënës të shkollave 9-vjeçare nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi kanë qenë dje pjesëmarrës në edicionin e 14-të të Olimpiadës Mbarëkombëtare të Matematikës, organizuar në shkollën e mesme “Luigj Gurakuqi”, në qytetin e Elbasanit. Olimpiada është organizuar nga Klubi i Matematicienëve dhe Informatikës “Pascal” me qendër në Tetovë, i cili ka zgjedhur si vend pritës qytetin e Elbasanit në kuadër të 100-vjetorit të Shkollës Normale në këtë qytet. Kryetari i jurisë, Nexhat Kasa, tha: “Konkurrenca ishte e lartë, çka tregon për përgatitjen e mirë të nxënësve shqiptarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Mali i Zi”. Në përfundim të olimpiadës, për klasat e shtata vendin e parë e kanë fituar nxënësit përfaqësues të shkollave të qytetit të Shkodrës; për klasat e teta, Elbasani; ndërsa për klasat e nënta nxënësit nga Gjilani i Kosovës. Sipas organizatorëve, nxënësit pjesëmarrës shfaqën një përgatitje të lartë, gjë që tregon seriozitet në përgatitjen e tyre mësimore. Vitin tjetër, ky aktivitet do të mbahet në qytetin e Gostivarit, në Maqedoni.

Studimi

Diabeti dëmton kujtesën

Studime për diabetin kanë lënë të kuptohet se niveli i lartë i sheqerit në gjak mund të shtojë gjasat për prekje nga dementia, ndërsa tani studimi i ri tregon se edhe niveli i ulët i sheqerit mund të sjellë të njëjtat pasoja. Mjekët morën në shqyrtim mijëra pacientë me diabet të tipit dy dhe panë se ata që ishin shtruar në spital për shkak të nivelit të ulët të sheqerit në gjak, kishin më shumë gjasa për t’u prekur nga dementia. Studimi i ri lë të kuptohet se njerëzit me diabet të tipit 2 mund të ndeshen me një rrezik në rritje për t’u prekur nga dementia ndërsa moshohen.

Personat me nivele të larta sheqeri kanë më shumë gjasa të preken nga paaftësi në tru. Për here të parë, shkencëtarët tani kanë gjetur një lidhje midis nivelit të ulët të sheqerit në gjak dhe dementias tek diabetikët. Shkencëtarë nga Kaizer Permanente morën në shqyrtim mbi 16 mijë pensionistë me diabet të tipit 2. Ata vunë re se personat që kishin pasur probleme të rënda për shkak të nivelit të ulët të sheqerit dhe ishin shtruar në spital, kishin më shumë të ngjarë të prekeshin nga dementia. Vetëm një shtrim në spital për shkak të nivelit të ulët të sheqerit në gjak, shtonte 26 për qind rrezikun e prekjes nga dementia, ndërsa shtrimi 3 herë a më shumë në spital për shkak të nivelit të ulët të sheqerit në gjak, e rriste këtë rrezik në 94 për qind.

Niveli tepër i ulët i sheqerit, i njohur se hipoglycemia, mund të dobësojë shtresën mbrojtëse midis trurit dhe venave të gjakut. Në raste të rralla, dobësimi a dëmtimi i kësaj shtrese, si pasojë e hipoglycemisë, shkakton gjendjen e komës dhe dëmtim të përhershëm në tru.

Shkencëtarët thonë se studimi sugjeron që mjekët dhe pacientët duhet të tregohen të kujdesshëm me ilaçet e diabetit, si insulina, e cila mund të nxisë episode të nivelit të ulët të sheqerit, nëse doza e insulinës është shumë e lartë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›