Panair turizmi për nisjen e sezonit
Për herë të parë në Durrës organizohet një panair në funksion të turizmit. Organizatore e këtij eventi është bashkia e qytetit, e cila synon që të ekspozojë kapacitetet dhe cilësinë e të gjitha shërbimeve që ofrojnë bizneset e këtij sektori dhe pushteti vendor për mbarëvajtjen e sezonit veror. Durrësi i hapi dyert panairit për turizmin “Verë 2009”. Bashkia e Durrësit ftoi të gjithë aktorët që të ekspozojnë në pavijonet e panairit gjithçka që ofrojnë për një sezon turistik të mbarë. Panairi është organizuar në pallatin e sportit “Ramazan Njala”. Në këtë veprimtari marrin pjesë 50 subjekte të llojeve të ndryshme, të cilat lidhen me turizmin.
Nëpër pavijonet e panairit kanë ekspozuar shërbimet e tyre hotelet dhe vilat e plazhit, restorantet, linjat e produkteve ushqimore dhe të pijeve, agjencitë turistike dhe ato detare, si dhe pushteti vendor me shërbimet në infrastrukturë, në sistemin shëndetësor e të tjera shërbime. Veç vlerave të informacionit për treguesit turistikë të Durrësit, panairi ka edhe vlera të tjera, jo vetëm me karakter ekonomik, por edhe social. Subjektet pjesëmarrëse kanë mundësinë e kooperimit mes tyre për shërbime të ndryshme, por banorët e Durrësit mund të njihen me vendet e punës sezonale që ofrojnë bizneset e sektorit turistik, sikurse janë nevojat për kamerierë, kuzhinierë, sanitarë, lulishtarë, punonjës parkingjesh, punëtorë për pishinat, për plazhet private e të tjera të kësaj natyre. Panairi do të qëndrojë i hapur për 3 ditë me radhë. Që ditën e parë ai tërhoqi një numër të madh vizitorësh. Disa ditë përpara këtij aktiviteti bashkia çeli zyrtarisht sezonin turistik me anë të një ceremonie me karakter artistik.
Zyrë për mbrojtjen e fëmijëve në Bashkinë e Durrësit
Është promovuar në Bashkinë e Durrësit strategjia dhe plani i veprimit për fëmijët e qytetit të Durrësit, i pari dokument në nivel bashkie në vend si dhe përurimi i zyrës për fëmijë të cilët do të krijojnë bazën e të dhënave, të monitorojnë dhe raportojnë për të drejtat e fëmijëve. Në këtë promovim merrte pjesë kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, dhe përfaqësuesi i UNICEF-it Detlef Palm. Sektori i Zhvillimit të Politikave në Departamentin e Koordinim-Zhvillimit, në mbështetje të strategjisë së zhvillimit ekonomik të bashkisë dhe vizionit të kryetarit të saj, kërkoi të bashkëpunonte me UNICEF-in, duke e parë si një partner dinjitoz për të zbatuar më mirë politikat për mbrojtjen dhe mbështetjen e të drejtave të fëmijëve. Falë mbështetjes financiare që dha UNICEF-i, është hartuar strategjia për fëmijët e Bashkisë Durrës. Hartimi i këtij dokumenti politikash për fëmijët është kurorëzim i punës të vazhdueshme advokuese që ka bërë Aleanca për Fëmijët, Rajoni Durrës, Këshilli i Shërbimeve Sociale, një rrjet i organizatave jofitimprurëse për të drejtat e fëmijëve. Kjo strategji për fëmijët synon në vetvete që të përcaktojë përparësitë e punës për zbatimin e të drejtave të fëmijëve në qytetin e Durrësit, si dhe të bashkërendojë punën ndërmjet aktorëve të ndryshëm në nivel vendor. Strategjia është munduar që të gërshetojë politikat kombëtare me ato vendore ekzistuese në mënyrë që të bëhet pjesë integrale e institucioneve dhe aktorëve vendorë. Ndër sfidat kryesore të strategjisë janë që të përcaktojë përparësitë për të drejtat e fëmijëve në Bashkinë e Durrësit për periudhën 2008-2011, të koordinojë dhe përfshijë të gjithë aktorët vendorë për përmirësimin e situatës së të drejtave të fëmijëve si dhe të integrojë e përfshijë në politikat sektoriale vendore, përparësitë për të drejtat e fëmijëve. Në fjalën e tij, kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, deklaroi: “Si kryetar i Bashkisë së Durrësit, është privilegj për institucionin tim që të promovoj strategjinë e parë për fëmijë në Bashkinë e Durrësit dhe planin përkatës të veprimit për vitet 2008-2011. Kjo kënaqësi merr vlera të dyfishta, për më tepër që ky dokument politikash është i pari i këtij lloji në nivel vendor. Të drejtat e fëmijëve në Shqipëri, pas ratifikimit të Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve, po bëhen gjithnjë e më shumë pjesë e axhendës në zhvillimin e politikave kombëtare dhe kuadrit ligjor e institucional. Këto reforma nuk do të kishin kuptim në rast se nuk do të reflektohen në nivel vendor, aty ku edhe problemet janë më të prekshme dhe më afër komunitetit. Respektimi dhe garantimi i të drejtave të fëmijëve kanë qenë gjithnjë në vëmendje të Bashkisë së Durrësit dhe aktorëve të tjerë institucionalë vendorë.