Durrsaku i treti në Olimpiadën Botërore të zhvilluar në Itali
DURRËS Në ambientet e Qendrës Kulturore të Fëmijëve në Durrës është zhvilluar ceremonia e ndarjes së çmimeve për fituesit e Olimpiadës Botërore të Matematikës dhe asaj rajonale. Në ceremoninë e rastit asistonin përfaqësues nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, drejtues të pushtetit lokal dhe drejtorisë arsimore të Durrësit. Shqipëria ka qenë surpriza e radhës në Olimpiadën Botërore “Kangurou” të Italisë, një garë matematike ku marrin pjesë mbi 47 shtete nga e gjithë bota me pjesëmarrës mbi 5 milion fëmijë, prej të cilëve talenti nga Durrësi, Gledis Kallco doli i treti, ndonëse konkuroi në një moshë 3 vjet më të madhe se ai. Sipas Prof. Clemente Zanco president i “Kangourou della matematica” për Italinë, ai e ka emërtuar Gledis Kallcon si surprizë të olimpiadës për rezultatin e tij dhe moshën e tij të vogël, duke u rreshtuar në 5 më të mirët e Italisë. Në bisedë me Myzafer Begteshin, nismëtarin dhe realizuesin e këtij veprimi të mrekullueshëm, ai thotë se ndjehet i kënaqur për rezultatet që kemi arritur në olimpiadat ndërkombëtare dhe kjo është arritur në bashkëpunim me kolegët e mi të përkushtuar. Krahas Gledis Kallcos, i cili vitet e fundit është fituesi i disa olimpiadave, në Olimpiadën Botërore “kangurou” në Itali, një prezantim të mirë bëri dhe talenti tjetër i matematikës, Olsi Leka, i cili u përfshi në 10 më të mirët e botës. Menjëherë pas kësaj olimpiade, në Preshevë u organizua olimpiada rajonale e talenteve të matematikës, me pjesëmarrës nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Serbia, Rumania, Bullgaria etj. Në këtë Olimpiadë, Gledis Kallco, nxënësi i shkollës 9-vjeçare, “Vincens Prendushi”, fitoi së bashku me nxënësen Boriana Gjura të shkollës 9-vjeçare jopublike “Turgut Ozal” 100 pikët maksimale, duke marrë dhe medaljet e arta. A.K.