E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dushk. Vihet në provë vota e lirë në Shqipëri

12/12/2004  Duket se klima në dukje e qetë në komunën e Dushkut, ka sjellë një përplasje të fuqishme mes dy forcave politike të majta, Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Procesi zgjedhor i ditës së sotme në Dushk, është cilësuar si një test për forcat politike, të cilat duan të sigurojnë sa më shumë vota të këtij elektorati. Kjo është cilësuar si një test për Shqipërinë në garantimin e një procesi të lirë dhe demokratik. Ndërkohë zgjedhjet në Dushk, prej më shumë se tri javëve kanë mbledhur gjithë tensionin dhe emocionet e forcave politike, duke u bërë kështu një rrezik për një mbarëvajtje, sipas standardeve të kërkuara zgjedhore. Votimi i ditës së sotme në 12 qendra votimi, nga 7280 zgjedhës, në këtë komunë për të zgjedhur 17 anëtarë të këshillit komunar, është shndërruar tashmë arena e debateve politike, ku të gjitha palët bëjnë deklarata diametralisht të kundërta për njëra-tjetrën. Palët kanë sulmuar njëra-tjetrën për përpjekje në manipulimin e votimit. Dje mbasdite ka mbaruar procedura e shpërndarjes së materialeve zgjedhore, ku, sipas kryetarit të komisionit zonal të qendrave të votimit, Agim Kadriu, i kontaktuar nga "Metropol", gjendja është e qetë. Sipas tij, janë marrë në dorëzim të gjitha materialet nga KZQV-ja kryesore nën shoqërimin e forcave të policisë. Gjithashtu procesin e sotëm do ta monitorojnë përfaqësues të OSBE-së dhe të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Deputeti i LSI-së, Ndre Legisi, ka denoncuar para mediave presionin policor që po ushtrohet, duke rrezikuar votën e lirë të banorëve të kësaj zone. Votimi në zonën e Dushkut është konsideruar tepër i diskutueshën dhe për faktin se në vitin 2001 opozita ka theksuar se Nano me një formulë të dyshimtë ka arritur të fusë në Kuvend 12 deputetë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›