E Hënë, 2 Nëntor 2026

PD do të pranojë rezultatin e zgjedhjeve

12/12/2004  Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar dje se do të njohë çdo rezultat zgjedhor, në rast se do të dalë nga zgjedhjet e lira dhe tç ndershme. Në Pallatin e Kongreseve, PD-ja hapi dje fazën e parë të fushatës elektorale, gjatë një spektakli të organizuar në përvjetorin e 14 të demokracisë në Shqipëri. Gjatë fjalës së tij, lideri demokrat Sali Berisha bëri një rezyme të 14 viteve pluralizëm, duke theksuar se zgjedhjet e qershorit do të jenë vendimtare për të ardhmen e vendit. Sipas tij, opozita nuk do të lejojë një tjetër manipulim zgjedhor, por do të njohë çdo rezultat që del prej zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. "PD shkon drejt zgjedhjeve, pasi ka konsumuar të gjitha kompromiset politike. Ne do të njohim çdo rezultat që del nga zgjedhjet e lira dhe të njohura nga institucionet ndërkombëtare. Po i them Fatos Nanos, se po preke zgjedhjet, ora do të duket javë", tha Berisha.

Nano-Moisiu

Për demokratët, bashkëpunëtor në shkatërrimin e zgjedhjeve është dhe Presidenti Moisiu. Duke bërë një paralelizëm mes krerëve të sotëm të qeverisë dhe atyre të kohës së diktaturës, Berisha tha se "Shqipëria sot, ashtu dhe si para viteve '90-të, ka binomin Nano-Moisiu, të ngjashëm me binomin Enver Hoxha dhe Haxhi Lleshi. "Kryekleptoktrati lartëson çdo ditë me muratorët e tij të korrupsionit murin e krimit dhe të korrupsionit, duke mbyllur çdo ditë dyert e hapura të perëndimit për shqiptarët. Nano si Kryeministër i PPSH-së dallon me Nanon Kryeministër i PS-së, aq sa dallojnë dy gjysmat e një pike uji të turbullt të ndarë më dysh. Është qëndrimi i tij armiqësor hakmarrës, primitiv ndaj pluralizmit politik". Sipas tij, Shqipçria nuk integrohet në BE për shkak të qeverisjes aktuale që nuk i ofron standardet që ka përcaktuar BE-ja apo NATO për këtë qëllim, por standardet që ofrojnë presidentët e botës së tretë.

Programi

Në zbatimin e programit për ecjen përpara të ekonomisë dhe zhvillimit, një ndihmesë të madhe për PD-në duhet të japë mendimi intelektual. Sipas kreut demokrat, kjo shtresë e shoqërisë është pjesë e rëndësishme e programit. Rritja e nivelit ekonomik të shqiptarëve, arritja e standardeve të BE-së, si dhe thithja e investimeve, integrimi në BE, do të jenë pikat kryesore në rast fitoreje të opozitës aktuale. Nga ana tjetër, Berisha ka theksuar dhe një herç se punonjësit e administratës shtetërore në rast fitoreje nuk do të preken. "Vlera të mëdha për PD-në kanë institucionet. Ne nuk përjashtojmë askënd dhe dua të siguroj këtu qindra e mijëra punonjës të administrtës, se PD-ja është për luftën kundër krimit të organizuar monopoleve dhe mbrojtjes së interesave dhe sigurisë kombëtare. Puna e tyre në funksion të shtetit ligjor do të vlerësohet në maksimum", tha Berisha. Sipas tij, PD-ja ka dalë e fituar në zgjedhjet lokale, ndaj kryedemokrati u shpreh i bindur se, logoja e PD-së do të dalë fituese dhe në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2005.

Selia blu tri orë festë me elektoratin

"Rruga e Shpresës", është slogani që ka zgjedhur PD-ja në fazën e parë të fushatës elektorale që ka nisur dje në orën 11.00 në Pallatin e Kongreseve në tingujt muzikorë, flamujtë dhe nën prezencën të më shumë se 5 mijë spektatorëve. Spektakli i organizuar ndryshe këtë herë nga PD-ja, ishte paralajmëruar kohë më parë në mediat për këtë eveniment. Në këtë koncert morën pjesë grupet dhe këngëtarët më të njohur shqiptarë, prezenca e të cilëve paralajmëroi se PD-ja këtë herë ka zgjedhur një tjetër rrugë për organizimin e fushatës elektorale dhe prezantimin e programit të saj. Aleksandër Gjoka, 'Ritmi i Rrugës', Anjeza Shahini, Rovena Dilo etj., ishin këtë herë të ftuarit specialë të PD-së, të cilët në ndryshim me herët e tjera sollën një atmosferë që ishte larg fjalimeve propagandistike dhe partiake që zhvillohen në këto raste. Dalja me një fytyrë të re të PD-së në këto zgjedhje, u pa më qartë dhe në daljen e Kryetarit të PD-së, Berisha, në mes të fëmijëve të veshur me kostume popullore dhe mes fishekzjarreve të skenës së Pallatit të Kongreseve. Ndërsa pasdite, takimi koktej i zhvilluar në kujtim të përvjetorit të 14 të formimit të PD-së, filloi rreth orës 18.00 në hollin e Pallatit të Kongreseve. Partia Demokratike kishte ftuar në festë studentët e dhjetorit '90-të, por edhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe aleatë të saj. Fjalën e hapjes në pritjen e mbajtur pasdite e mbajti kryetari i PD-së, Berisha, që cilësoi formimin e PD-së si datën e hyrjes së pluralizmit në Shqipëri. "Në PD ka vlera të mëdha dhe të shkëlqyera, por sot në institucionet e shoqërisë civile, në katedrat e universiteteve është sfondi perëndimor i kombit, është nektari i reformave tona. Shkrirja e këtij nektari me programin e PD-sç do të japë plazmën e rivitalizimit të shoqërisë shqiptare", tha Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›