E Diel, 1 Nëntor 2026

Dushk-izimi i zgjedhjeve në Shqipëri

20/02/2005  Një nga defektet e sistemit ekzistues elektoral, i cili mund të sjellë pasoja për zgjedhjet e kësaj vere, është hapësira, që partitë politike kanë për të trafikuar vota te njëra-tjetra. Fenomeni që ndodhi në zonën 60 të Lushnjës, 4 vjet më parë, i pagëzuar me emrin “fenomeni dushk”, mund të shtrihet në të gjithë “pyllin“ e politikës shqiptare dhe potencialisht përbën një rrezik për devijimin e vullnetit politik edhe në këto zgjedhje. Çfarë po ndodh realisht? Nuk ka diskutim që dy partitë kryesore politike, që luftojnë për vendin e parë në këto zgjedhje, vazhdojnë të mbeten PS dhe PD. Statistikat elektorale të viteve të fundit, tregojnë se asnjëra prej këtyre dy partive nuk do të arrijë numrin e nevojshëm të vendeve në parlament, për të krijuar qeverinë e ardhshme.

Në luftën që po zhvillohet sot, ndërmjet dy partive më të mëdha politike në Shqipëri, ka dy elementë thelbësorë: së pari, luftohet qoftë edhe relativisht për vendin e parë (sipas Kushtetutës, Presidenti duhet t’i drejtohet partisë që ka fituar më shumë vende në parlament për të formuar qeverinë, gjë që do të thotë që dalja parti e parë është shumë e rëndësishme) dhe së dyti, luftohet për të garantuar shumicën absolute me koalicion (mund të dalësh parti e parë dhe të mos garantosh dot aleancën e domosdoshme për të krijuar qeverinë dhe në këtë rast Presidenti i drejtohet partisë së dytë). Të dy këto elementë, janë të lidhura drejtpërsëdrejti me sistemin elektoral që ekziston sot në Shqipëri, ku konkurrohet drejtpërsëdrejti në 100 zona, ndërsa 40 mandate shpërndahen në proporcional me numrin e të gjithë deputetëve.

Lidhur me elementin e parë, padyshim që çdo gjë do të zgjidhet nga maxhoritari (pra konkurrimi i drejtpërdrejtë), i cili do të përcaktojë se cila do të jetë partia e parë në zgjedhje. Siç u tha kjo gjë mund të mos zgjidhë gjithçka, lidhur me formimin e koalicionit qeveritar, i cili më së shumti pritet të përcaktohet pikërisht nga pjesa e dytë, pra proporcionali. Duke qenë kështu në kushtet e një kodi që lejon hapësira të pakufizuara, mund të ndodhë që PS-ja të luftojë në maxhoritar për vete, duke siguruar mbështetjen e plotë të aleatëve të vegjël, ndërsa të shpërndajë një pjesë të votave të saj për këta aleatë, duke siguruar futjen e tyre në parlament nëpërmjet proporcionalit, me qëllimin për të mos humbur asnjë votë të majtë. Normalisht 4-5 partitë aleate të PS-së, të marra së bashku, mund të arrijnë diku te 7-8% (ose përqindje kjo afërsisht e barabartë me 10 deputetë) ndërsa asnjëra prej tyre nuk e ka të sigurtë hyrjen në parlament, nëse do të konkurronte e vetme. Nëse do të konkurrohej veçmas dhe asnjëra prej tyre nuk do të kapërcente pragun electoral, kjo përqindje do të shkonte proporcionalisht për të gjitha partitë, dmth., edhe për të djathtën, gjë që do të thotë që PS-ja do të humbiste të paktën 5 deputetë aleatë të saj.

Për ta ruajtur këtë përqindjen e aleatëve të vegjël në të majtë, PS-së do t’i duhet që të kalkulojë të paktë 6-7% të votave të saj, për t’i çuar tek aleatët, njëlloj siç bëri në komunën e Dushkut 4 vjet më parë. Kjo lloj skeme është propozuar deri më tash verbalisht nga një pjesë e aleatëve të PS-së, të cilët vetëm kështu, mund të garantojnë të paktën 3 deputetë në parlament.

E njëjta gjë mund të ndodhte edhe në të djathtë (unë mora si shembull të majtën, pasi në këmpin e majtë është hedhur një ide e tillë). Edhe në këtë pjesë të spektrit ekzistojnë sot 3-4 parti aleate të PD-së që së bashku shkojnë edhe ato diku te 6-7% (pjesa tjetër janë grupuar në LZHK), por që veçmas asnjëra prej tyre nuk ka siguri në kapërcimin e pragut elektoral. Edhe e djathta mund të bëjë të njëtën gjë me aleatët e saj, pra edhe ajo mund të ndërtonte një skemë trafikimi votash për aletatët diku te kufijtë 5-6%. Por edhe risku për PD-në është i njëjtë.

Por një lojë e tillë ka një rrezik: ajo mund të rezultojë pa sukses për partinë (kuptohet bëhet fjalë për njërën prej dy partive të mëdha) që do të humbasë maxhoritarin, për shkak se në këtë lloj loje pritet të mos përfshihen LSI në të majtë dhe LZHK në të djathtë, de facto faktorët e tretë dhe të katërt relevantë politikë në Shqipëri, të cilët që janë në gjendje ta kapërcejnë pa probleme pragun elektoral dhe të përfitojnë në proporcional. Pra rreziku qëndron në faktin se ajo parti, ndër dy më të mëdhatë, që do të humbiste maxhoritarin, potencialisht mund të rrezikonte të merrte më pak vende sesa proporcionali real i vet, sikur një pjesë e tij do të shpërndahej për aleatët.

Nëse do të bëhëj një hesap i këtyre përqindjeve që përmendëm, në vend që të “digjeshin” rreth 10 parti të vogla (në të majtë dhe në të djathtë) dmth., afro 14-15% e votave (rreth 20 deputetë) të shkonte për partitë relevante, siç ndodh në të gjithë botën, dmth., qeverisja të ishte më solide dhe më e qëndrueshme, po kaq përqind dmth., afro 12-13% të tjera duhet të trafikohen nga partitë e mëdha te të voglat (afro 20 deputetë). Pra, i bie që afro 40 deputetë të parlamentit të ardhshëm të jenë përfaqësues të partive të vogla, të trafikuar në parlament, nëpërmjet devijimit të vullnetit politik në të gjithë Shqipërinë.

Kjo gjë nënkupton as më pak dhe as më shumë, por një “dushk” të madh që do të shkaktonte dushk-izimin e plotë të zgjedhjeve. Më e keqja është se në këtë mes nuk ka asgjë të paligjshme. Pra, gjithçka zhvillohet bazuar në një trafik të ligjshëm të votave, pikërisht për shkak të hapësirave të pakuptueshme që lejon Kodi Elektoral, i cili nuk i përgjigjet sa duhet realitetit politik shqiptar. E vetmja zgjidhje për të eliminuar këtë hapësirë spekulative (pavarësisht se dikush mund ta quajë normale dhe brenda lojës politike) do të ishte unifikimi i votës së kandidatit me votën e partisë (të mos ketë votim për partitë, por vetëm për kandidatët), dmth., përqindja e partive të llogaritet aq sa e kandidatëve të tyre. Kjo zgjidhje ka qenë e mundshme për t’u arritur pa ndërhyrë në Kushtetutë, pra vetëm nëpërmjet ndryshimit të Kodin Zgjedhhor. Por Kodi tani është miratuar, madje me konsensus dhe ndryshimi i tij është i palejueshëm në periudhën 6 muaj para zgjedhjeve.

Në kushtet kur partitë kryesore po zihen për një zonë elektorale, ndërkohë që jemi përpara një fenomeni të rrezikshëm për zgjedhjet, duket se dushk-izimi ose jo i këtyre zgjedhjeve është krejtësisht një problem politik. Koha për zgjidhjet teknike ka mbaruar dhe gjithçka do të varet në vullnetin dhe moralin e vetë partive të mëdha. Çështja shtrohet nëse do të kemi një parlament të konsoliduar, me 4-5 grupe parlamentare kompakte (jo të krijuara në mënyrë absurde si sot) apo do të kemi një përsëritje të parlamentit të mëparshëm, me grupe të vockla “treshe”, ku njëri rri para dhe dy të tjerët prapa, ndërsa prapa të treve qëndrojnë interesa krejt personale që nuk kanë asnjë lidhje me interesat e qytetarëve? Do të kemi deputetë dinjitozë apo njerëz me mandat të fituar nëpërmjet pazaresh jo përfaqësuese dhe që në momente kyçe shesin edhe partinë e tyre edhe alternativën e tyre, pse jo, edhe lëkurën e tyre?

Siç po duken bathët, PS-ja është gati për dushk-izimin e zgjedhjeve, projektin e ka gati nga aleatët e pa-takatshëm, ndërsa PD-ja me siguri që në një rast të tillë do t’i përgjigjet me të njëjtën monedhë, sepse s’ka rrugë tjetër. Në fund të fundit, as PS-ja dhe as PD-ja nuk do të humbin shumë aq sa do të humbë vetë Shqipëria. Dhe përgjegjësia politike me siguri do të mbetet tek ai që, i pari, do ta konsiderojë hartën elektorale, si një pyll të madh, ku mund të vegjetojnë derrat e politikës, në kurriz të qytetarëve shqiptarë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›