E Diel, 1 Nëntor 2026

Pse këmbëngulet për dobësimin e Rugovës?

19/02/2005  Presidenti Rugova është figura më emblematike e Kosovës, ndërsa këmbëngulja për dorëheqjen e tij nga posti i kryetarit të partisë, që është rast i pashembullt në praktikën politike ndërkombëtare, është përpjekje e qëllimit e defaktorizimit të LDK-së dhe të Rugovës.

“Dorëheqja” e presidentit Rugova nga posti i kryetarit të LDK-së është bërë problemi fundamental për një pjesë të partive politike dhe për jo pak gazeta të Kosovës. Mediat e shkruara dhe një pjesë e mediave elektronike i rrahin këtij teli thuajse është ky problemi më i madh i shqiptarëve të Kosovës! Fatkeqësisht me këtë çështje, që nuk do të duhej të ishte preokupim i tyre dhe as të bëjnë presion politik, kohë më parë janë marrë edhe përfaqësuesit e Grupit të Kontaktit, duke ia ‘sugjeruar’ Rugovës afatin kur duhet ta lëshojë postin e kryetarit të partisë. Me një kumtesë që e lëshuan për opinion pastaj u trimëruan “analistët” kujdestarë që e presin me kënaqësi perverse çdo presion që i bëhet kryetari të Kosovës dhe kryetarit të LDK-së, ndërsa një pjesë e tyre pastaj fillojnë spekulimet se kush duhet të jetë në vend të Rugovës, cilat janë meritat, që në një mënyrë apo tjetër këto propozime u ngjajnë fontanës së dëshirave.

Presioni ndaj LDK-së dhe presioni ndaj kryetarit Rugova është shumë më i hershëm nga disa qarqe dhe nga disa faktorë. Ka filluar menjëherë pas luftës në format më të ndryshme. Vrasjet politike, dhuna ndaj veprimtarëve të LDK-së dhe presioni me frikë, u kalua me heshtje dhe shikohej ndërmjet gishtërinjve nga faktorët që duhej të merreshin me sigurimin e qetësisë në Kosovë. Para zgjedhjeve të para e të dyta me rregullore të OSBE-së u krijuan një varg mekanizmash, duke u përpjekur që në asnjë mënyrë LDK-ja të mos e ketë shumicën e votave në Kuvend. Në fushatën e parë, por as në fushatën e mëvonshme, nuk iu dha mundësia që në kuadër të zgjedhjeve parlamentare, të bëhet edhe fushata për zgjedhjet presidenciale. Do të ishte kjo një formë e legjitimimit shumë më të fuqishëm të presidentit Rugova, ndërsa partia e tij e kërkonte një mundësi të këtillë, ashtu sikurse që bëhet në gjithë botën e traditës demokratike. Por përpiluesit e rregullores për zgjedhjet më së paku e donin një personalitet të fortë, që do të ishte katalizator i shqiptarëve dhe që do të zgjidhej drejtpërdrejt nga votuesit. Pavarësisht nga këto ndërskamca politike, Rugova dhe LDK-ja mori shumicën e votave të shqiptarëve, prandaj është faktor i pashmangshëm i bisedimeve tash dhe në të ardhmen. Në vend që të kihet parasysh ky fakt i pamohueshëm, filloi një presion i madh medial e politik që kryetari i Kosovës të japë dorëheqje nga posti partiak. Kështu, doli në sipërfaqe një nen shumë i kontestueshëm, të cilin ata që duan e citojnë sipas dëshirës. Në fakt edhe pse Kornizën Kushtetuese e kanë përpiluar ndërkombëtarët në asnjë nen nuk thuhet se kryetari i Kosovës duhet të japë dorëheqje nga posti partiak, por sugjerohet se ai nuk mund të ketë edhe një post tjetër qeveritar. Shembuj kur kryetari i shtetit apo kryeministri mund të jetë edhe kryetar i partisë, ka me dhjetëra në Evropën Perëndimore. Helmut Koli ishte mbi 18 vjet kryetar i Demokristianëve të Gjermanisë dhe kryeministër i këtij shteti. Demokristianët gjermanë e kishin figurë emblematike, ndërsa më rënien e tij, fatkeqësisht, për këtë parti aq të merituar për zhvillimin e ekonomisë gjermane dëgjohet më pak. Fransua Miterani, po ashtu një figurë tjetër emblematike e një shteti me traditë demokratike, ishte president i shtetit dhe kryetar i partisë së vet. Britanikëve asnjëherë nuk u ka shkuar ndër mend që kryeministrin e zgjedhur me vota, ta shkarkojnë nga posti i kryetarit të partisë. Në këtë post ishte ish-kryeministrja Margaret Theçer, në këtë post ishte edhe Toni Bleri. Pse atëherë te ne bëhet një përjashtim i tillë?!

Jemi të vetëdijshëm se jemi nën administrim ndërkombëtar, jemi të vetëdijshëm se duhet të jemi kooperativë me faktorët ndërkombëtarë. Mirëpo, pavarësisht këtij fakti, kemi përshtypjen se diktatet i tejkalojnë rregullat e protektoratit dhe sikur po i qasen kësaj çështjeje dhe disa çështjeve të tjera politike me paragjykimet kolonialiste.

Dorëheqja e presidentit Rugova nga posti i kryetarit të LDK-së, pavarësisht nga presionet do të ishte defaktorizim i madh i partisë më të fuqishme të shqiptarëve dhe një përpjekje për të krijuar një LDK më të dobët, apo të barabartë me partitë e tjera. Një barazi e tillë e dhunshme, natyrisht se do të krijonte probleme shumë të mëdha. E para, nuk do të dihej se cili është ai faktor me të cilin do të bisedonin faktorët relevantë ndërkombëtar. E dyta, do të kishim kriza të vazhdueshme qeveritare dhe një shtet tejet të dobët e me dridhje të fuqishme. E treta, do të dilnin në sipërfaqe “shpëtimtarët” të cilët nuk e kanë simpatinë e elektoratit, por e kanë simpatinë e disa qarqeve ndërkombëtare që kërkojnë kompromise, të cilat mund të jenë shumë të dëmshme për shqiptarët e Kosovës. Janë edhe shumë arsye të tjera që dëshmojnë se presioni i paarsyeshëm dhe i paligjshëm për dorëheqje nga posti i partisë, është një diktat i pakuptueshëm dhe larg rregullave të demokracisë së mirëfilltë. Me presione krijohen acarime, por nuk ndihmohet demokracia as nuk ngrihen institucionet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›