E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pazaret me kartë krediti, tani në të gjithë vendin

20/02/2005  Me një kartë elektronike mund të paguash pushimet pa marrë një çantë me para me vete

Sezoni turistik 2005 do të ketë lehtësira për pushuesit, të cilët nuk do të kenë nevojë të marrin një çantë me para me vete, por mund të përfitojnë nga terminalet POS të shpërndara në pjesën më të madhe të zonave turistike të vendit. Rreth 100 terminalet POS të para janë instaluar në hotele, restorante apo butike në kryeqytet dhe pikat më të njohura turistike të vendit. Historia e mungesës së sasisë së nevojshme të parave cash në momentin kur duhet të blesh ndonjë gjë, ka përfunduar për të paktën 15 mijë zotëruesit e kartës cashtronik, të cilët mund të aplikojnë menjëherë për Master Card. “Ne kemi marrë licensën për kartë krediti dhe debiti dhe Master Card, duke i dhënë mundësinë gjithë komunitetit të huaj, që ka një kartë krediti të tillë, të tërheqë paratë në ATM-të tona, por dhe në terminalet POS”, tha në lidhje me këtë shërbim të ri, Suela Bokshi, drejtoreshë e Operacioneve në “ProCredit Bank”. Kështu, në rast se do të paguash drekën në një restorant në Vlorë, apo kostumin në një butik në Tiranë, klienti ka nevojë vetëm të ketë një kartë debiti ose një kartë krediti me vete. Vlera e parave që ke në kartën elektronike zbrazet dhe kalon automatikisht në llogarinë që kanë restorantet apo hotelet, të instaluar terminalin POS. Për këtë, banka mban një komision fare të vogël, që për specialistët e “Pro Credit” është i papërfillshëm. “Interesi i transaksionit do të jetë fare i ulët, sepse bëhet fjalë për blerje, që mund të jenë dhe me shuma fare të vogla, si 2 apo 10 euro dhe interesi i blerësve është që të mos harxhojnë shumë për komisionin”, ka shpjeguar Bokshi koston financiare të pagesës me kartë.

Kështu, sipas të dhënave të fundit, 100 terminalet POS të vendosura në disa pika në të gjithë vendin, janë në funksion të plotë dhe subjektet që i kanë pranuar kanë lidhur kontratat me “Pro Credit”. Por duket se së shpejti numri i tyre do të arrijë në 400 terminale, ndërkohë që projekti i “Pro Credit” është që të barazojë numrin e terminaleve në Shqipëri me ato në Kosovë. Aktualisht, në Kosovë janë në punë 1200 terminale POS, me të cilat mund të bësh shumë lloj pagesash. Përdorimi gjerësisht i terminaleve POS, konsiderohet si një mjet mjaft efikas për luftën kundër parasë cash. Ajo redukton në mënyrë të ndjeshme qarkullimin e lirë të parasë dhe kanalizon në rrugë bankare dhe paratë që qytetarët përdorin për konsum të përditshëm. Kështu konsiderohet si një nisje e mbarë që terminalet POS i kanë pranuar me mjaft interes, jo vetëm hotelet dhe restorantet luksoze, por dhe agjencitë turistike, butiqe apo dhe markete ushqimore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›