E Diel, 1 Nëntor 2026

(Kundër) spiunët

20/02/2005  Në shkurt të 1991-shit, ditën e rrëzimit të monumentit të diktatorit në Tiranë, i siguruar më në fund që komunizmi kishte marrë tatëposhtën përgjithmonë, një fshatari im, asokohe afër të shtatëdhjetave, kur mori lajmin, deklaroi në sy të dy miqve, që i çuan haberin: “Tani jam filani (përmendi emrin e vet), filani ballist, sot jam i lirë, se këta (komunistët) edhe spiun më bënë”.

Ndërsa javën e shkuar, një kushëri që jeton ende në fshat, më tregoi për një grindje midis dy pleqve, që kishte përfunduar kështu: i nxehur X-i i kishte thënë Y-it, “Ik, ik se t’vajti dita t’marrç rrogën”. Për të pranishmit që e njohin njeriun që po shpotitej, nuk qe e vështirë ta kuptonin përse bëhej fjalë, megjithëse ai ua fshiu vet dyshimet edhe më të rinjve që nuk kanë shumë njohje për periudhën e para nëntëdhjetës. I damkosuri u betua e stërbetua, me terma që nuk mund të shkruhen, se nuk kishte qenë bashkëpunëtor i sigurimit. Po kush e hante atë kokërr ulliri!

Të dyja këto episode të vërteta nga jeta e një dy njerëzve të thjeshtë përcjellin në mënyrën më të çiltër përfitimet dhe pasojat nga hapja e dosjeve.

Personazhi i episodit të parë, ai që e pranoi që kishte qenë bashkëpunëtor (e hapi dosjen e vet pa ia kërkuar kush) jetoi i nderuar deri ditën e tij të fundit dhe e shkuara e vet nuk ia ndryshoi hiç marrëdhëniet me njerëzit përreth, sepse ka kohëra kur sinqeriteti, pavarësisht sa e hidhur është ajo që thua, është më i çmuar se floriri. Ndërsa i dyti, e sa e sa si ai, siç duket edhe nga dialogu që është zhvilluar, nga mungesa e kurajos për të pranuar të vërtetën, i vuan ende pasojat. Nuk është e lehtë, po të kemi parasysh fshatrat e Labërisë, të të thuhet “spiun” në meçlis.

Të gjithë ata që kanë frikë nga hapja e dosjeve, sado e lartë dhe e dhimbshme të ketë qenë kostua e informacioneve që kanë dhënë, në qoftë se do të kishin patur kurajon të dilnin hapur – personat publikë të kishin kërkuar falje publike – (insistoj, edhe në rastet kur veprimet e tyre kanë ndikuar që dikush të vritet) publiku do t’i kishte mirëkuptuar.

Ata që kanë bashkëpunuar, kanë qenë të shtyrë nga një apo më shumë arsye, qoftë edhe injoranca – më këtë nënkuptohet përkushtimi i verbër për t’i shërbyer partisë – kanë qenë të detyruar nga rrethana të caktuara e aq më tepër që për atë kohë veprimtaria e tyre nuk ishte krim. Ndërsa, kur pas kaq vitesh, vazhdon ende të heshtet, kjo është një gjendje që nuk duhet kaluar me indeferencën që mediat e përcollën lajmin e rrëzimit të projektligjit për hapjen e dosjeve në Komisionin e Ligjeve.

Dhe kjo është arsyeja që Kadareja, i vetmi personalitet publik, që u prononcua për mediat mbi këtë çështje, nga intervista në intervistë (njëra te gazeta Albania e tjetra te Metropoli) e ngrinte tonin e zemërimit, megjithëse – dhe është e kuptueshme – jo aq ashpër sa reagon në biseda private. Kadareja ka të drejtë të ndjehet i revoltuar. Amerika dhe Evropa e paguajnë me mijëra dollarë që ai të japë leksione në universitetet e tyre, ndërsa ne, që kemi rastin ta gjejmë edhe në kafenetë më modeste shkrimtarin, që mund të bisedojmë me të pa harxhuar një kacidhe, që mund të fitojmë nga vlerat, madje duke na i paguar ai kafen, presim veç atë medaljen e Nobël-it ta varim në xhaketën kombëtare.

Një grup intelektualësh botuan një promemorie pak ditë më parë e dhanë konferencë shtypi për vjedhjen e përkthimeve, dhe, jo vetëm ata, por gjithë grupimet e tjera intelektuale, nuk e kanë parë të arsyeshme të bëjnë ndonjë deklaratë në mbështetje të Kadaresë për hapjen e dosjeve.

Dhe së fundi, Parlamenti mund të nxjerrë gjithfarë arsyesh për rrëzimin e një ligji të tillë, por duke iu referuar koefiçientit kombëtar të bashkëpunëtorëve, askush nuk mund t’i heqë dyshimet se një e treta e tij nuk e ka shumë me qejf ta zhvesh veten nga favoret që ofron puna në errësirë, ndërsa pjesa tjetër trembet se mos “dyzetëkëmbëshi” çon “devijimet” e tyre në kanalet përkatëse.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›