E Diel, 1 Nëntor 2026

Pavarësia, me konsensus

19/02/2005  UNMIK-u është bërë pjesë e proceseve në Kosovë dhe jo vetëm vlerësues i tyre. SHBA-ja, e cila ka qenë udhëheqëse e gjithë procesit politik e ushtarak në Kosovë, duket se ka ruajtur njëtrajtshmërinë e gjykimit dhe të vlerësimit të zhvillimeve këtu. I vetmi faktor, i cili, ndoshta për shkak të ekzistimit të demokracive të vogla përbrenda saj, ende nuk ka konsensus të plotë për çështjen e pavarësisë së Kosovës, mbetet Evropa. Kjo është e natyrshme, qoftë nëse i referohemi të kaluarës politiko-historike të saj, qoftë praktikës politike tejet heterogjene të saj. Por, edhe aty duket se tashmë është thyer tabuja e njohjes së pavarësisë për Kosovën.

Mesi i viti 2005, e me këtë edhe koha për vlerësimin e arritjes së standardeve dhe për hapjen e bisedave për statusin final të Kosovës, po afrohet. Ajo çfarë shihet në lëvizjet politike të fundit të qendrave të vendimmarrjes (së paku në Evropë) është se ka ndryshime esenciale jo vetëm në idetë për statusin final të Kosovës, por edhe për procesin që do të ndiqet për zgjidhjen e kësaj çështjeje.

I. Evropa

Evropa ose, më mirë, disa shtete të saj, kohën e fundit kanë guxuar t’i shpalosin idetë e tyre për statusin e Kosovës. Por, sinjalet që vijnë prej andej jo vetëm që tregojnë se ende nuk ka një qëndrim të përbashkët evropian për Kosovën (si në shumicën e rasteve, kur Evropa duhet të vendosë për diçka), por edhe se Brukseli nuk është shndërruar ende në qendër të politikës evropiane. Të gjithë ata që i kanë përcjellë lëvizjet politike të këtyre qendrave e dinë fare mirë se Brukseli nuk është epiqendra e vendimmarrjes politike në Evropë, por qendër e më shumë projekteve politike nacionale, qendër reflektuese e heterogjenitetit të Evropës. Duket se programi politik (më shumë pragmatik) i disa shteteve për Evropën e bashkuar, do të kërkojë kohë për t’u formësuar. E rëndësishme është se qoftë veç e veç vendet e të saj, qoftë ajo pjesë e Evropës, e cila quhet “Bashkësi Evropiane” tashmë kanë filluar ta kuptojnë se nuk mund të shtiren sikur në një pjesë të Evropës nuk po ngjet asgjë; ato e kanë kuptuar se për perspektivën evropiane të vendeve të Evropës e kanë obligim që të jenë pjesë e procesit edhe nëse tradicionalisht nuk kanë qenë në gjendje asnjëherë që të udhëheqin çfarëdoqoftë në ato procese. Sidoqoftë, e rëndësishme është se sado i luhatshëm që të jetë qëndrimi evropian për statusin final të Kosovës, Brukseli ka filluar ta kuptojë se çështja e statusit të Kosovës është mbi të gjitha çështje e vullnetit të lirë të popullit të saj për vendimmarrje.

II. SHBA-të

Në anën tjetër, SHBA-ja, e cila ka qenë udhëheqëse e gjithë procesit politik e ushtarak në Kosovë, duket se ka ruajtur njëtrajtshmërinë e gjykimit dhe të vlerësimit të zhvillimeve në Kosovë. Dhe, kjo tashmë dihet.

III. UNMIK-u

Një faktor i tretë, sjellja e të cilit duket se është përcaktuese për zhvillimet në Kosovë dhe për vlerësimin pozitiv të standardeve, është UNMIK-u. Vetë përfaqësuesit e këtij institucioni, po mbi të gjitha sjellja e tyre karshi zhvillimeve në Kosovë, shënon një bashkërendim të aktiviteteve dhe të programeve, me qëllim të arritjes së rezultateve në vlerësimin e standardeve. E, standardet dihet se janë vënë për institucionet e përkohshme të Kosovës dhe për popullin e saj. Shndërrimi i UNMIK-ut në faktor të rëndësishëm jo vetëm për vlerësimin e ecurisë së standardeve, por edhe të realizimit të tyre, më duket se e ka këtë shpjegim: nacionalitetin në gjykim dhe vlefshmërinë e projekteve politike të institucioneve të Kosovës. Programi politik i institucioneve të Kosovës, parimet mbi të cilat është ndërtuar ky program dhe, sidomos, gatishmëria e tyre për t’i njohur vlerat morale të demokracisë, janë shenja se kërkesat që këto institucione i kanë parashtruar para UNMIK-ut dhe tërë bashkësisë ndërkombëtare janë kërkesa, të cilat jo vetëm që e synojnë realizimin praktik të disa vlerave të demokracisë, por janë pjesë e përhershme e ndërtimit të tyre. UNMIK-u është pjesë e proceseve në Kosovë dhe jo vlerësues i tyre. Ky qëndrim i UNMIK-ut ka pasur ndikim jo vetëm në sjelljen politike të përfaqësuesve të vendeve të ndryshme, pjesëmarrëse në jetën politike në Kosovë, por edhe në qendrat e vendimmarrjes në Bruksel dhe Nju Jork. Nëse OKB-ja ka një politikë të veten në Kosovë, dhe nëse kjo politikë (sikur që është e nënkuptueshme) do të artikulohej përmes përfaqësuesit të sekretarit të përgjithshëm të saj, z. Jesen-Petersen, atëherë duhet të presim që vetë UNMIK-u të jetë katalizator i zhvillimeve pozitive në vend, madje, në faktor të rëndësishëm ose, tek e fundit, edhe si pjesë e realizimit të standardeve politike.

Duket se të gjitha qëndrimet e faktorit ndërkombëtar në Kosovë, të përfaqësuar mjaft mirë nga z.Jesen-Petersen e, nëpërmjet tij, edhe qëndrimi i OKB-së, pastaj programi politik i institucioneve të Kosovës, si program që nuk nënkupton e as ka qëllim që të mbërrijë disa standarde të demokracisë, por që të tregojë se është sendërtues i demokracisë morale botërore, si dhe qëndrimet morale të politikës amerikane, janë në favor të arritjes së një konsensusi të heshtur për pavarësinë e Kosovës. I vetmi faktor, i cili, qoftë edhe për shkak të ekzistimit të demokracive të vogla përbrenda saj, ende nuk ka konsensus të plotë për çështjen e pavarësisë së Kosovës, mbetet Evropa. Kjo është e natyrshme, qoftë nëse i referohemi të kaluarës politiko-historike të saj, qoftë praktikës politike tejet heterogjene të saj. Por, zëri i arsyes ka trokitur edhe në dyert e saj. Fatmirësisht, pavarësia e Kosovës nuk është më çështje tabu për disa politikanë evropianë, sikundër që shumë shpejt nuk do të jetë as për të tjerët.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›