E Diel, 1 Nëntor 2026

Solidariteti fizik

19/02/2005  Viti 2004, mund të hyjë në librat e historisë, si viti i zgjerimit më të madh të BE-së. Dhjetë shtete iu bashkuan BE-së, ndërsa dy të tjera përfunduan bisedimet për asociim.

Por, kjo nuk ka qenë një ngjarje afatshkurtër. Gjatë kësaj gjysme shekulli, BE është zgjeruar pesë herë dhe ky proces do të vazhdojë.

Vendimet e marra në fund të vitit 2004, për të filluar bisedimet më Turqinë dhe Kroacinë për përfshirjen e tyre në BE, janë dëshmi e qartë për këtë.

Shpresoj, se deri në fund të mandatit tim, si komisar për zgjerim, edhe shumë vende të tjera në rajon të jenë më afër BE.

Qëllmi im është që deri në vitin 2009, në BE të jenë rreth 27 shtete, bashkë me vendet e Ballkanit Perëndimor…

Zgjerimi i përket njërës prej fushave politike më të suksesshme. BE zgjeron në mënyrë progresive zonën e vet të paqes e demokracisë, më gjerë sesa kontinenti evropian. Pas hyrjes se dhjetë anëtarëve të rinj në maj, BE tani po zgjerohet nga Atlantiku në Karpate, nga Laponia e Veriut, deri në brigjet lindore të Mesdheut.

Shpesh më pyesin se ku janë kufijtë përfundimtarë të Evropës!

Përgjigjja ime, është se harta e Evropës ndodhet në kokë, e jo më tokë. Gjeografia jep kuadrin, por në themel janë vlerat ato që e përbëjnë kufijtë e Evropës. Zgjerimi i BE-së është çështje e zgjerimit të vlerave evropiane, dhe më themelorja nga të gjitha është liria dhe solidariteti, toleranca dhe të drejtat njerëzore, demokracia dhe sundimi i ligjit.

Në përputhje me marrëveshjet e BE-së, që përbëjnë bazën e së drejtës, dyert e BE janë të hapura “për të gjitha shtetet evropiane që respektojnë vlerat e saj dhe i kushtohen promovimit të përbashkët të këtyre vlerave”.

Por, kushtet e vëna për përfshirje në BE, i kalojnë përcaktimet e marrëveshjeve.

Janë katër kritere kryesore që duhet t’i përmbushin shtetet, për të marrë miratimin e popullit dhe qeverive evropiane.

-Së pari, vendi duhet të këtë orientim drejt Evropës, që matet me vullnetin e popullit për t’u përfshirë në BE. Duket se turqit e kanë këtë orientim, ndërsa norvegjezëve duket se u mungon, edhe për kundër faktit se Norvegjia mund t’i përmbushë shumicën e kritereve që sot.

Përfshirja në BE kërkon harmonizimin e përpjekjeve për disa vite, për të arritur që liderët politikë të mund të sigurojnë, se qytetarët e tyre e mbështesin fort këtë orientim. Hyrja në BE mund të ndryshojë shtetin. Ai bëhet pjesë e një bashkësi të gjerë, që ndikon në ligjshmërine dhe institucionet e tij.

Vetëm elita, nuk mund ta sigurojë legjitimitetin e këtij vendimi. Atë duhet ta mbështesin qytetarët.

Për këtë arsye, shoqëria civile është pjesë esenciale e procesit të përfshirjes në BE. Para nesh është një detyrë e madhe, për të sqaruar qytetarët se çfarë përfaqëson përfshirja në BE. Kjo nuk është marrëveshje, të cilën e nënshkruajnë politikanët ose ndryshime për të cilat vendosin teknokratët.

Jo. Hyrja në BE paraqet ndryshim të gjithë sistemit politik dhe rendit qeverisës, që ndikon në gjithë shoqërinë. Ky proces i transformimit duhet të rrjedhë nga baza në majë dhe e kundërta. BE nuk është një aleancë ushtarake e ngjashme me NATO-n… Përkundrazi, ai paraqet një bashkim të politikave të përbashkëta, bashkim të drejtave dhe bashkim të vlerave.

Parakushti i dytë, është se ai shtet që do të jetë anëtare e BE, duhet të respektojë vlerat evropaine, dhe çfarë është më esenciale, të jetë i aftë të jetojë në përputhje me to. Kjo lidhet kryesisht me sundimin e të drejtës në të gjitha sferat e jetës. Detyrat kryesore në këtë fushë janë çrrënjosja e korrupsionit dhe e krimit të organizuar si dhe respektimi dhe mbrojtja e pakicave.

Shtetet që i bashkohen BE-së duhet të jetojnë në përputhje me detyrimet ndërkombëtare, përfshirë dhe gjetjen dhe dorëzimin e kriminelëve të luftës dhe bashkëpunimin e plotë me Gjykatën e Hagës. Ky është kushti bazë për përparim në rrugën e initegrimeve evropiane.

Kjo do të thotë se Kroacia duhet të bëjë bashkëpunim të plotë me Tribunalin e Hagës, para sesa me të të fillohen bisedimet për përfshirjen e saj në BE.

Bosnja e Hercegovina duhet të përimrësojnë arritjet e deritanishme, që të mund të ecë më përpara në procesin e përafrimit. Serbia dhe Mali i Zi, duhet po ashtu të përmbushin detyrimet ndërkombëtare.

BE është bashkësi e bazuar në drejtësi dhe jo në forcë. Shtete të mëdha dhe të vogla jetojnë përkrah njëri-tjetrit në BE. Të gjithë popujt duhet të jenë të respektuar. Në vend të politikës “së forcave të ekuilibruara”, sundon ligji në aktivitetet e brendshme dhe të jashtme të BE-së.

Ky është bashkim i shteteve, që kanë rënë dakord të bashkojnë sovranitetet dhe të respektojnë ligjet e përbashkëta që të rrisin ndikimin e vet në botë.

Këtë parim të sundimit të së drejtës, duhet ta përvetësojë çdo shtet që dëshiron të përfshihet në BE.

Përfshirja në BE, paraqet zbatimin e vlerave evropiane në jetën e përditshme.

Fjala “vlera” tingëllon si e paqartë, por është qartësuar në marrëveshjen e re për Kushtetutën e BE-së.

Kjo përfshin demokracinë, sundimin e të drejtave dhe mbrojtjen e pakicave. Këto janë parakushtet bazë për afrim të marrëdhënieve me BE-në.

Që t’i pranojnë këto, shtetet kandidate duhet të arrijnë repsektimin e këtyre vlerave në shoqëritë e tyre. Kështu për shembull, policët të respektojnë të drejtat e njeriut në rastet e arrestimeve, gjykatat të jenë të pavarura, mësuesit të mos diskriminojnë fëmijët me origjinë tjetër etnike dhe ushtarët të respektojnë rregullat e luftës.

Parakushti i tretë, është që të gjithë anëtarët e BE duhet të kryejnë edhe detyrimet që rrjedhin nga anëtarësia dhe të mos shfrytëzojnë vetëm privilegjet e tij.

Kandidatët potencialë duhet të tregojnë se kanë kapacitete administrative për të zbatuar drejt ligjet e BE-së si dhe të kenë vullnetin politik për këtë.

Ato duhet të kenë ekonomi funksionale tregu dhe aftësi për të zgjedhur nën presionin e konkurrentëve në kuadër të tregut të brendshëm evropian.

Anëtarësimi në BE, do të thotë më shumë të drejta qytetare, perspektivë më e mirë ekonomike dhe standard më i mirë jetese, si dhe fqinjësi e bashkëpunim rajonal.

Bashkëpunimi rajonal është parakusht për tërheqjen e investimeve të huaja. Krijimi i rrjetit të përbashkët elektrik do t’i kontribuonte zhvillimit ekonomik. Financimet e BE-së, ndihmojnë vendet në rrugën e tyre drejt Evropës. Në çdo rast, shfrytëzimi i drejtë i këtyre mundësive varet nga faktet në terren dhe gatishmëria e tyre për ta luajtur rolin e vet si dhe për të marrë iniciativë për fillimin e projekteve produktive e të dobishme.

Krijimi i kapitaleve dhe bizneseve, në fund të fundit, varet nga aftësitë ndërmarrëse dhe risitë, për të cilat BE mund të ndihmojë, por jo dhe t’i diktojë.

Sipas mendimit tim, është shumë e rëndësishme të përparohet në procedurën e marrjes së vizave.

Kjo është Evropa e qytetarëve. Kam biseduar me kolegun Franko Fratini, nënkryetar i Komisionit Evropian, që të punojmë së bashku mbi propozime konkrete për ta shpejtuar procedurën e marrjes së vizave.

Natyrisht, dhënia e vizave bëhet në ambasadat e shteteve anëtare të BE-së, dhe janë ato që vendosin për zbatimin e rregullave, por ne do të bëjme çfarë është në mundësinë tonë, për t’i përmirësuar këto rregulla.

Vullneti i tyre për zbatimin e procedurave dhe shkalla e progresit në kuadrin e regjimit të vizave, varet nga shkalla e reformave që shteti ndërmerr në përmirësimin e sistemit të kontrollit të kufijve dhe luftës kundër krimit të organizuar e korrupsionit.

Bashkëpunimi rajonal nuk shfaq asgjë të re. Ai është parimi bazë i BE. Kur, Zhan Mone dhe vizionarë të tjerë formësuan idenë për integrim evriopian, plani i tyre ishte të integronin ekonominë evropiane, aq fort sa lufta në të të bëhej e pamenduar.

Ekonomitë evropiane, në atë kohë ishin të dobëta, si ekonomitë e këtij rajoni.

Prandaj Mone me themeluesit e BE-së punuan për lidhjen e tregut energjetik dhe liberalizimin e tregtisë, për të nxitur integrimin rajonal dhe ndërtuar atë në praktikë.

Çelësi i suksesit të BE-së është puna e njerëzve në projekte konkrete, prej të cilave kanë të gjithë interes të qartë, për të bërë të kuptojnë se janë të varur nga njëri-tjetri dhe për këtë të besojnë më shumë te njëri-tjetri.

Zhan Mone e ka quajtur "la solidarite’ de faits" ose solidaritet që fillon si fizik, por më vonë bëhet mendor e intelektual”. Unë dua që BE të ndihmojë në ndërtimin e këtij rajoni.

Përgatiti:*Fjala e mbatur nga komisioneri për Zgjerim i BE-së në një konferencë OJQ-sh në Beograd. Teksti është përshtatur nga redaksia

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›