E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dushku: Kjo Tiranë kurrsesi nuk është euforike

Nga ERJON SALIU

Këtë sezon e kemi nisur me hap pretendenti,me lojë dhe me rezultate. Kupa? Mundim Shkumbinin dhe dalim të parët në grup

Mbrojtësi i bardhebluve, Erjon Dushku, në këto pesë ndeshje është aktivizuar titullar dhe vazhdon të mbetet një nga pikat e forta të repartit difensiv te 24 herë kampionët. Pas pesë javëve ai analizon ecurinë e Tiranës dhe repartin ku bën pjesë. Në prag të përballjes së parë të grupeve të Kupës së Shqipërisë me Shkumbinin, që do të luhet sot në orën 14:00 në kryeqytet, Erjon Dushku theksoi:

Për mënyrën se si ndodhën gjërat, them se duhet të kënaqemi me një pikë, sepse edhe mund të ishim mundur në rast se Sukaj do të kishte shënuar. Më pëlqeu shumë grinta, madje të gjithë luajtën me mish e me shpirt, si titullarët ashtu edhe ata që u aktivizuan si zëvendësues. Por ndeshja me Vllazninë duhet harruar, sepse bëmë një futboll që u kënaqën të gjithë. Tirana sa vjen e po konsolidohet nga ndeshja në ndeshje.

Lojtarët me eksperiencë këtu janë më të shumtë se në çdo skuadër tjetër, kjo po duket edhe nga rezultatet pozitive që në kemi marrë javët e fundit, duke treguar diferencë edhe me rivalët. Kjo skuadër dhe kualitetet e saj po rikthejnë tifozët në stadium. E rëndësishme është që të marrim maksimumin e pikëve çdo javë.

Ambiciet Pasi fitova Kupën e Shqipërisë dhe Superkupën në vitin tim të parë me Tiranën, synimi është që të fitoj edhe titullin kampion. Akoma më mirë do të ishte që të mernim edhe kupën, ashtu siç bëmë edhe vjet. Megjithatë, dua që të shijoj titullin me fanellën bardheblu. Do të ishte një sukses shumë i madh dhe i paharruar për karrierën time.

Lufta për kreun Erjon Dushku e quan të ashpër rivalitetin edhe këtë sezon për skuadrat që do të synojnë kreun e tabelës. Mendoj që është fillimi dhe ne po rritemi në lojë, por duke marrë edhe rezultate pozitive. Jemi në rrugën e duhur, kjo është më kryesorja. Gjithsesi, kampionati është i gjatë dhe kemi kohën e mjaftueshme për të zënë vendin e parë dhe për të fituar titullin kampion.

Eksperienca në mbrojtje Kemi pësuar dy gola në Shkodër, por ata rrallë shihen nëpër stadiume për nga mënyra e ekzekutimit dhe ndodhin një herë në 100 ndeshje. Jam i bindur që kjo nuk do të përsëritet më dhe në përballjet e tjera do të shtrëngohemi më shumë për mos të pësuar më, qoftë edhe nga goditjet standarde. Jo se unë jam pjesë e repartit difensiv të Tiranës, por jemi mbrojtia më e mirë në Shqipëri. Ka lojtarë të cilët kanë fituar trofe dhe që e njohin shumë mirë lojën e njëri-tjetrit.

Kupa Dihet që në i synojmë të dyja, titullin kampion dhe Kupën e Shqipërisë. Kryesorja është që të fitojmë me Shkumbinin, madje do të synojmë që të dalim të parët në grup. Do ta vlerësojmë Kupën njësoj si kampionati. Në përballjen me Shkumbinin do të synojmë të fitojmë dhe të kënaqim tifozët që na ndjekin. Shkumbini është ekip superlige dhe me oshilacione këtë sezon, por për ne është njësoj sikur luajmë me një rival, – theksoi mes të tjerash mbrojtësi i bardhebluve, Erjon Dushku.

Mes Pishës dhe Osmanit, zgjedh të parin

Kur e pyesim Erjon Dushkun se me kë është ndier më mirë në mbrojtje, me Tefik Osmanin, të larguar tashmë drejt Teutës, apo Arjan Pishën, i cili verën që shkoi iu bashkua bardhebluve, mbrojtësi shtatlartë shtoi: Është një pyetje pak me spec. Si Osmanin ashtu edhe Pishën i kam shokë dhe me të dy kam shkuar shumë mirë. Me Osmanin kam shkuar mirë për aq kohë sa kemi luajtur. Pisha ka më shumë eksperiencë se Osmani dhe unë, përderisa po luaj me Arjanin, ndihem më mirë me të në qendër të mbrojtjes.

 

Kombëtarja këtu më ka, e pres një ftesë

Unë gjithmonë e kam pritur një ftesë nga ekipi kombëtar, aq më tepër që po luaj titullar te Tirana dhe kam bërë një sezon të mirë vjet. Drejtuesit e ekipit kombëtar më kanë gati, më kanë ndjekur edhe në disa ndeshje, por asnjëherë nuk jam grumbulluar qoftë në miqësore apo ndeshje zyrtare. Askush nuk e refuzon fanellën kuqezi. Por, pavarësisht dëshirës sime, e kanë në dorë drejtuesit e kombëtares të më përfshijnë apo jo në ekip. Detyra ime është që të vazhdoj të jap më të mirën për Tiranën dhe të shtoj trofetë e fituara.

1 Gol ka shënuar qendërmbrojtësi Erjon Dushku këtë sezon me bardheblutë, pikërisht ndaj Kastriotit në ndeshjen e javës së dytë në Krujë, ku bardheblutë fituan me rezultatin 3-2

2 Sezone ka Dushku si pjesë e kryeqytetasve. Ai erdhi para se të startonte sezoni 2010-2011 nga Teuta dhe ka fituar një Kupë të Shqipërisë dhe një superkupë

Rubio frikë nga dëmtimet, alternativat të pakta

Largimet e shumta muajin e fundit të disa lojtarëve, si Etogo, Arita, Al Ajmi, Muça dhe Kërçiku, por edhe e Situmës, kanë bërë që te bardheblutë të mos ketë shumë alternativa në stolin e rezervave. Kështu, nga burime pranë stafit mësohet se trajneri Rubio, para ndeshjes së sotme me Shkumbinin, ka shprehur shqetësim për faktin se nuk ruan dot titullarët dhe ka frikë nga dëmtimet.

Madje është i detyruar që në kupë të aktivizojë lojtarët me të cilët luan çdo javë në kampionat. Trajneri spanjoll gjithmonë ka kërkuar të ketë sa më shumë alternativa në ekip, pasi gara është e gjatë dhe një skuadër si Tirana synon që të fitojë titullin dhe kupën këtë sezon. Ndryshe nga formacioni ku nuk mungojnë yjet, stoli ka vetëm 3-4 lojtarë cilësorë dhe në rast pezullimi apo dëmtimi lojtarësh, Rubios i duhet që ti kërkojë alternativat tek ekipi i të rinjve

Tirana, ende mendjen te Situma

Mesfushori kenian Xhejms Situma ka pak shanse që të rikthehet te Tirana pas u largua dy javë më parë drejt Kenias, ku u grumbullua nga përfaqësuesja e vendit të tij për ndeshjen me Ugandën. Mirëpo drejtuesit bardheblu, por edhe stafi teknik, kur i pyet, nuk të japin një përgjigje konkrete, megjithatë thonë se Situma do të vijë. Lojtari duket se ka probleme me lejen e punës dhe kjo është arsyeja që ai nuk po vjen. Pritej që Situma të vinte në Tiranë qysh të hënën e javës së shkuar, por vonesa e tij pa lajmëruar asnjë nga drejtuesit duket se nuk është kapërdirë dot në klub.

Sina me tre të verdhë, mungon ndaj Bylisit

Mbrojtësi i djathtë i bardhebluve, njëkohësisht edhe kapiteni i skuadrës, Elvis Sina, do të mungojë në ndeshjen e fundjvës për kampionat, me Bylisin. Sina ka plotësuar numrin tre të kartonëve të verdhë në ndeshjen e javës që shkoi ndaj Vllaznisë dhe do të jetë një mungesë jo e vogël në krahun e djathtë të mbrojtjes. Ka gjasa që në vend të tij trajneri Rubio të aktivizojë Afrim Takun, i cili ka bërë një paraqitje të mirë javët e fundit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›