E Diel, 1 Nëntor 2026

Lika: Nuk ka rëndësi shumë me sa gola fiton

Nga DORIAN AGOLLI

Trajneri i Teutës u përgjigjet kritikave të disave, që e cilësojnë ekipin durrsak pragmatist dhe me fat

Ajo që ka rëndësi janë pikët e plota dhe fitorja, aq më tepër kur ekipi e meriton atë dhe nuk mendoj se është e rëndësishme nëse fiton me një gol apo me shumë të tillë. Kështu shprehet trajneri i Teutës, Hasan Lika, i cili ka komentuar fitoren e fundit të durrsakëve, ndërkohë që ka folur edhe në lidhje me fitoret e ngushta të Teutës: Ne vërtet realizuam një gol edhe në Fier, por kishim mundësi për të bërë edhe të tjerë me rastet që krijuam, megjithatë ajo që vlen, janë pikët.

Në përgatitemi seriozisht dhe jemi më këmbë në tokë, duke vlerësuar çdo ndeshje dhe duke marrë maksimumin nga çdo ndeshje. Është e vërtetë që fitoret tona janë 1-0, por nuk mendoj se kjo është e rëndësishme, pasi rëndësi kanë pikët. Ne jemi në krye me meritë, por natyrisht ky është vetëm fillimi dhe puna vazhdon.

Goli i fitores për durrsakët është shënuar me 11-metërsh nga kapiteni Sheta,  edhe për faktin pse ishte pikërisht ai që goditi, trajneri Lika përgjigjet: Ne jemi një ekip mjaft i organizuar dhe kush godet penalltinë nuk caktohet në fushë. Çdo gjë përcaktohet në stërvitje, ku janë caktuar lojtarët që godasin goditje dënimi, ata që godasin goditje këndi, si dhe ata që godasin penallti.

Taktika Teuta në të gjitha ndeshjet ka pasur një armë të fortë dhe kjo ka qenë pikërisht taktika. Trajneri Lika, nga ana e tij, shprehet se disiplina taktike është e rëndësishme, sidomos në një kampionat të tillë kaq të fortë. Disiplina taktike është e rëndësishme në çdo ndeshje dhe lojtarët tanë përgjithësisht nuk dalin nga detyrat taktike.

Përveç forcës së grupit, edhe disiplina taktike është një armë e fortë jona në të gjitha ndeshjet dhe deri tani e vetmja ndeshje ku gabuam ishte në Shkodër, ku natyrisht edhe i paguam me humbje ato dy gabime tonat. Megjithatë, mund të them se ne mundohemi në çdo ndeshje të luajmë një lojë të logjikshme dhe në fund të arrijmë rezultatin logjik të asaj loje që zhvillojmë, thotë trajneri Lika.

Kupa Lika ka komentuar gjithashtu edhe grupin ku bën pjesë Teuta në Kupën e Shqipërisë, ku ndeshja e parë për durrsakët do të jetë në Durrës kundër Pogradecit: Është një grup mjaft i vështirë, sepse janë të gjitha ekipe të superligës, por gjithsesi ne synojmë patjetër kualifikimin dhe do të bëjmë makismumin për ta arritur, pavarësisht vështirësisë që paraqet ky grup. Me Pogradecin do të jetë ndeshje e vështirë dhe pa dyshim do të bëjmë maksimumin që të fitojmë në Durrës. Kupa është një objektiv i rëndësishëm yni dhe ne do të luftojmë për të arritur këtë.

Ndërsa në fundjavë do të presim Skënderbeut, që dihet që është një ekip mjaft i fortë dhe ndeshja do të jetë shumë e vështirë, ashtu si çdo ndeshje tjetër. Megjithatë, ne i marrim ndeshjet një nga një dhe jemi me këmbë në tokë. Do të përgatitemi seriozisht për të marrë një tjetër rezultat pozitiv, që të ruajmë vazhdimësinë. Gjithsesi, më parë duhet të kalojmë Pogradecin e më pas të mendojmë për Skënderbeun.

Osmani, dëmtimi më i lehtë nga sa u mendua

Pas analizave të fundit dhe rezonancës, duket se mbrojtësi Osmani ka një dëmtim më të lehtë se ai që menduan mjekët në fillim. Sipas presidentit Hasanbelliu, tashmë është marrë edhe përgjigjja përfundimtare nga mjekët e spitalit dhe Osmani do ti rikthehet fushës së blertë shumë shpejt.

Në stërvitjen e fundit, përpara ndeshjes së kupës me Pogradecin, edhe mbrojtësi Rustem Hoxha ka pasur një kontraktim të lehtë në këmbë dhe është në dyshim për ndeshjen e sotme. Edhe mbrojtësi Bakiasi është rikuperuar tashmë dhe do të jetë në formacion në fundjavë. Sa për ndeshjen e kupës, trajneri Hasan Lika do të luajë me formacion të plotë, ashtu si në kampionat.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›