E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dushku, fshati me 70 të dënuar për drogë

Dikur fshati që priste të dënuarit e regjimit komunist, sot jeton me "përndjekjen" e bijve të vet, viktima të trafikut të drogës. Dushku, një fshat "ishull" mes 48 liqeneve të Dumresë, është ndoshta më i skeduari nga Policia e Elbasanit.

Edhe pse mes liqeneve, vetë fshatit nuk i ka rënë për hise të ketë një liqen të vetin, por ndonjë liqen si gjithë të tjerët. Për hise i ra të priste e të përcillte në heshtje rreth 70 familje të nomenklaturës komuniste, që regjimi i Enver Hoxhës do t‘i dënonte me internim në këtë fshat për agjitacion e propagandë kundër partisë, apo dhe për tradhti ndaj idealeve komuniste. Që atëherë, "banori" i parë i kategorisë të të internuarve, Bedri Spahiu, do të shprehej me alegori se "ne jemi të internuar të përkohshëm, por ju jeni të tillë të përjetshëm në këtë fshat". Dushku sot, si rrallë fshatra shqiptarë, vuan nga plaga sociale e bimëve narkotike, ku rreth 70 djem vuajnë apo kanë vuajtur dënimet në burgjet shqiptare dhe greke me të njëjtën akuzë "Trafik të lëndëve narkotike".

Fshati të ofron që larg një pamje të bukur të fushave e kodrave të buta plot gjelbërim, me parcela të rregullta të mbjella me grurë e njomishte për bagëtinë dhe plantacione me drurë frutorë e ullinj. Për fat të keq, kjo mbetet vetëm pamja e jashtme e fshatit Dushk, emri i të cilit është vënë vetëm gjysmë shekulli më parë, kur ata që e shndërruan në qendër të banuar u detyruan të pritnin pyjet shekullore të dushkut për të hapur tokë.

Atëherë, ishte luks për të ardhurit që të banonin në godinat 4-5- katëshe, të ndërtuara në një kohë rekord, aq sa vendasit bënin habi se "ku do të gjendeshin aq banorë?!". Por një ditë të bukur erdhën të gjithë ata me "njollë" në biografi dhe afro 50 familje nga zona të ndryshme të vendit për të populluar fshatin "e begatë"! Trishtohesh kur hyn në fshat. Shkolla mes hekurave të kryqëzuar jashtë e brenda, pa ujë e banja, fshati pa qendër shëndetësore. Kanalizimet e ujërave të zeza janë sipërfaqësore dhe në qendër të fshatit thuajse nuk shuhet kurrë një zjarr i ndezur me plehra. Rrugëve do të dëgjosh më shumti të rinj me prapambetje mendore, gra të veshura me të zeza për burrat nëpër burgje e që mbi shpinë kanë ngarkuar më tepër jonxhë e bar sesa do të mbante një kamion! Të rinj që sapo kanë dalë nga burgjet greke e sërish duan të nisen për andej, sepse këtu nuk ka asnjë shpresë për jetën.

Shifra e trishtueshme e të dënuarve për transport droge arrin në 70 persona. Janë relativisht të rinj, beqarë e të martuar. Gra të veshura me të zeza, jo si zakonisht për vdekje, por për vitet e gjata të burgut që duhet të vuajnë burrat e tyre. Pleq që mezi tërhiqen drejt kioskave që bëjnë kafe e nxjerrin raki, pse një pjesë e djemve të tyre as nuk kanë mundur t‘u thonë gjyshërve apo baballarëve sesa janë dënuar në shtetin grek. "Jam nënë me tre fëmijë, kunatin invalid, pa pension e burrin në burg, ndaj dhe rropatem arave vetëm për bukën e gojës", thotë Burbuqe Shkurti. Bashkëshorti i saj është dënuar me 15 vjet në Greqi. "Kupola" e drogës në shtetin helen i kishte premtuar se do t‘i jepte 500 euro për çdo rrugë me kanabis, por policia e kishte arrestuar vetëm pak kilometra pasi ishte nisur. Gjykata e Athinës nuk e kurseu: 15 vjet burg për 15 kile hashash. "Buri im është dënuar për të tretën herë", thotë Xhevrie Çela. Ajo tregon se kishte mbetur pa punë 3 muaj në Greqi dhe ishte gënjyer nga ata që merreshin me drogë vetëm si transportues i saj. 70-veçari, Ibrahim Muça ende nuk e di sesa është dënuar djali tij. Ai pohon se dënimi i tretë iu dha pse ai kishte thyer detyrimin me paraqitje në polici. Statistikat zyrtare e të dënuarve për transport droge sikur përqasen me ato që dëgjohen në këtë fshat. Janë rreth 70 persona. Edhe Policia e Belshit dhe bashkia konfirmon se 35 djem e kanë kryer burgun e janë kthyer në fshat, por ende 33 të tjerë vuajnë dënimin në burgjet e Greqisë. Askush nga familjarët nuk kërkon që njerëzit e të afërmit e tyre të transferojnë vitet e dënimit për t‘i kryer në Shqipëri. "Më mirë atje se kanë të hanë, sesa këtu, ku ne nuk kemi mundësi t‘u dërgojmë asgjë", thonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›