E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pasojat e drogës, jo vetëm vite burgu

Fshati nuk vuan vetëm nga dukuria e transportimit të drogës. Jo pak prej të rinjve kanë qenë përdorues të rregullt të saj. Madje ka pasur edhe viktima. Të paktën pesë persona kanë gjetur vdekjen pasi ndër vite kishin qenë konsumatorë të rregullt të bimëve narkotike. Një 28-vjeçar është ende në luftë me veten. Blerim Shkurti quhet. E pranon me dhimbje se ka përdorur për shumë vite marijuanën, që ai dhe shumica e shqiptarëve e njohin si hashash. "Si të tjerët, edhe unë vuajta dënimin me tre vjet. Kur dola nga burgjet e Greqisë rezultova i sëmurë. Tashmë jam invalid pa pension invaliditeti. A ka ndonjë qendër në vendin tonë që na shëron ne që kemi pirë drogë dhe tashmë i kemi shpallur luftë asaj?", pyet 28-vjeçari. Si ai ka dhe të tjerë.

Fshati duket i braktisur dhe i harruar krejtësisht nga qeveria qendrore. Madje edhe nga ajo lokale. Asnjë investim nuk është bërë për këtë fshat, asnjë ndihmë sociale, asnjë fermer nuk ka marrë kredi. Vetëm numri i invalidëve në moshë të re i kalon të 30 personat. Nga 350 familje, vetëm 5 trajtohen me ndihmë ekonomike. Kryetari i këshillit të fshatit, Idriz Shkëmbi, më tepër mbahet si organizator i luftës kundër vjedhjeve dhe promotor i harmonisë mes afro 90 fiseve, por i pafuqishëm që të ndryshojë fytyrën sociale të Dushkut e t‘i heqë atij "njollën" e drogës dhe të burgut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›