E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbyllen kopshtet dhe çerdhet pa kushte

Inspektorati i Higjienës në Drejtorinë e Shëndetit Parësor të Fierit ka mbyllur javën e kaluar disa nga institucionet arsimore parashkollore dhe ato të ciklit të ulët fillor. Çerdhet, kopshtet dhe shkollat në fshatrat e Rrethit të Fierit janë përballur me këtë vendim ekstrem. Shkak i mbylljes së këtyre institucioneve arsimore ka qenë mungesa totale e kushteve higjieno-sanitare dhe e infrastrukturës. Mbyllja e çerdheve, kopshteve dhe shkollave konfirmohet për gazetën nga kreu i inspektoratit Nuredin Kallashi. Sipas tij, masat ekstreme janë marrë në Cakran, Topojë e Kallm për shkak të mosrealizimit të kushteve higjieno-sanitare. Gjendja e godinave të mbyllura ka qenë e vështirë për zhvillimin e mësimdhënies. Vendimi është marrë pasi me fillimin e vitit të ri shkollor 2009-2010 disa njësi të pushtetit vendor nuk kanë zbatuar detyrat e lëna nga kontrolli i parë i inspektoratit në fjalë për plotësimin e kushteve higjieno-sanitare në këto institucione. "Është mbyllur konkretisht shkolla e Topojës dhe sot nxënësit marrin mësim në Seman. Mbyllja e kësaj shkolle do të vazhdojë deri në rregullimin e kushteve higjieno-sanitare. U mbyll shkolla e ciklit të ulët në klasën e katërt, e cila vazhdonte të zhvillohej në një klub të fshatit. U mbyll kopshti po për të njëjtat kushte në një lokal në fshatin Kreshpan", tha përgjegjësi i Inspektoratit të Higjienës në Fier. Ndërkohë nga kontrollet e ditëve të fundit të inspektorëve të higjienës në disa shkolla të tjera konfirmohet se përmirësimi i kushteve është bërë falë ndërhyrjes së menjëhershme të komunave dhe bashkive, si dhe drejtorive të shkollave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›