Dushku përplas krerët e forcave të majta
09/12/2004 Zgjedhjet në Dushk kanë sjellë dhe konfliktin e parë mes LSI-së dhe socialistëve. Në një tubim zgjedhor në këtë komunë të Fierit, deputeti i PS-së, Petro Koçi, tha se "Lëvizja Socialiste për Integrim është modeli i kthimit të korrupsionit politik në institucion parlamentar e partiak, i shndërrimit të ambicies për karrierë personale në parti dhe politikë". Sipas tij, misioni politik që i është ngarkuar LSI-së është ndihma që duhet të japë për të humbur PS-ja dhe të fitojë PD-ja. "Shpërblimi është një bashkëqeverisje PD-LSI mbas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2005. Kjo parti parimin tonë "një anëtar, një votë", e ka kthyer në "një anëtar, një karrige", tha Petro Koçi. Ndërkohë në fushatën elektorale për këshillin e komunës së Dushkut kanë zbritur dhe Arta Dade, Ben Blushi, Spartak Poçi, Agron Dibra etj. Pritet që ditën e premte në këtë komunë të zhvillohet dhe një tubim tjetër, ku do të marrë pjesë dhe kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano. Socialistët kanë deklaruar se pretendojnë të marrin 70 për qind të votave për këshillin e komunës. Në përgjigje të kësaj, po nga Lushnja, Meta shprehet se "Shqipëria është larg Evropës për shkak të politikës së mbrapsht të qeverisjes së Kryeministrit Nano, ndërkohë që vendi është mbërthyer nga monopolet dhe konfliktet e interesave". Gjithashtu Meta theksoi se, "LSI-ja është në kohën e duhur për të mirën e demokracisë dhe mirëqenies së qytetarëve". Kwtw deklaratw Meta e ka dhwnw nw prani tw 600 anwtarwve tw rinj tw LRI-sw nw Lushnje. Në këtë garë tashmë është përfshirë dhe LZHK-ja, si dhe PD-ja. Megjithatë gjithçka do të përfundojë ditën e diel, ku zgjedhësit e kësaj komune do t'i drejtohen kutive të votimit. Dushku është i njohur që prej zgjedhjeve të vitit 2001, ku u përfol skema e futjes së 12 deputetëve të majtë në Kuvend.