E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zgjidhja e pronave çame në Gjykatën e Strasburgut

09/12/2004  Gjykata e Strasburgut mund të jetë njëra prej rrugëve të zgjidhjes për pretendimet e komunitetit çam mbi kthimin e pronave të tyre. Por, sipas ligjeve ndërkombëtare, ankimi në Strasburg mund të vijë vetëm pasi ky problem të ketë kaluar në një nga shkallët e gjykatave greke. Juristët e të drejtës ndërkombëtare thonë se ankimi në Strasburg pranohet vetëm në rast se vendimi i marrë nga gjykata e një shteti cilësohet si i padrejtë nga personat që kanë hapur seancë për njohjen e pronës.

Megjithatë, sipas konstitucionalistëve në Gjykatën e Strasburgut askush prej personave, që pretendojnë se u është marrë prona gjatë viteve 1944-1945, nuk mund të ankimojë në mënyrë individuale. Ankimimimi në të duhet të bëhet në grup, dhe pasi njëra nga gjykatat greke të ketë marrë vendimin për këtë çështje. Në përfaqësimin e kësaj shkalle, gjithnjë sipas juristëve, nuk ka rëndësi kombësia apo shtetësia e avokatit mbrojtës, pra ai mund të jetë një avokat me nënshtetësi evropiane, por edhe shqiptar, i cili përfaqëson me anë të një prokure të përbashkët, të gjithë personat, të cilët më parë janë ankimuar në një nga shkallët e gjykatës greke. Në këtë mënyrë dhe një shoqatë ka të drejtën e

marrjes së një avokati dhe ngritjes së çështjes në gjykatën më të lartë evropiane.

Gjykata greke

Hapja e një seance gjyqësore të shkallës së parë duhet të kalojë më parë nëpërmjet procedurave ligjore greke. Sipas këtyre përcaktimeve, nuk lejohet që në gjykatat greke një preson të përfaqësohet me një avokat të një shteti tjetër. Kushti i parë ligjor i Greqisë mësohet se avokati duhet të jetë i regjistruar për ushtrimin e profesionit në gjykatat e këtij vendi. Pra, në rastin më të mirë të gjendet një avokat me nënshtetësi shqiptare, por që ka liçensën e ushtrimit të profesionit në gjykatat e vendit fqinj. Juristët shprehen se të interesuarit duan të shmangin burokracitë, atëherë mënyra më e mirë është që komuniteti çam të përfaqësohet në grup me një avokat me prokurë të posaçme, dhe që të plotësojë kushtet e mësipërme. Procesi gjyqësor për çdo individ nuk do të sillte gjë tjetër vetëm se do të zvarriste këtë çështje në pafundësi, ndërkohë që koha e skadimit të ligjit për ankimimet është e shkurtër.

Afati

Ardhja e dhjetorit të 2005, dhe skadimi i afatit të ligjit grek 2664, mbi të drejtën e ankimimit për shtetasit që banojnë jashtë Greqisë e bën thuajse të pamundur zgjidhjen e kësaj çështjeje. Konstitucionalistët shprehen se në këtë rast nuk ka më se çfarë t'u kërkohet as gjykatave greke, dhe as Gjykatës së Strasburgut. Sipas tyre, dhe afati kohor i mbetur për zgjidhjen e këtij problemi është shumë e pakët, dhe duhen nisur sa më shpejt procedurat për këtë qëllim. Janë rreth 10 mijë persona që pretendojnë se janë pronarët e rreth 2550 kilometrave katrorë tokë, pa përmenduar këtu objektet e ndërtuara, ose ullinj, vreshta etj. Evidentimi i çdo prone, duhet të shoqërohet me çertifikatat mbi pronësinë, që duhet të merren në hipotekat e shtetit grek. Për këtë duhet që personat, që pretendojnë se janë pronarë, duhet të udhëtojnë drejt Greqisë. Ky është dhe shkaku pse është kërkuar liberalizimi i vizave për këtë komunitet. Ndërsa vetë çamët pretendojnë se duhet të kenë shtetësinë greke, pasi ata janë shpërngulur me dhunë nga vendi i tyre. Megjithatë nga pala greke deri më tani nuk ka asnjë reagim pozitiv.

Shqipëria ka nisur verifikimin e dokumentacionit

Burime qeveritare konfirmojnë për gazetën "Metropol" se është ngritur grupi që po merret me evidentimin e pronave të çamëve në Greqi. Gjithashtu, një punë voluminoze po bëhet dhe për evidentimin e pretendimeve të minoritetit grek në Shqipëri. Sipas të njëjtave burime, në përbërjen e këtij grupi marrin pjesë ekspertë të çështjes së pronave si jusristë, historianë, gjeografë etj. Një nga detyrat e grupit të punës pranë qeverisë është hartimi i legjislacionit përkatës, duke iu referuar dhe ligjit grek për çështjen e pronave. Fillimi i punës së grupit të ekspertëve ka ardhur pas negociatave dypalëshe të qeverisë shqiptare dhe asaj greke, ku është kërkuar dhe kthimi apo kompensimi i pronave të komunitetit çam në Greqi. Në fakt, në bisedime është kërkuar që përbërja e grupit të punës të jetë dypalëshe, por deri tani nuk është marrë asnjë përgjigje nga ana e palës greke. Volumi i punës që duhet të kryejë ky grup ekspertësh është tepër i madh, po të merret parasysh edhe sipërfaqja e madhe e tokave dhe pronave që duhet të evidentohet. Deri tani janë evidentuar rreth 10 mijë pronarë, që pretendojnë një sipërfaqe prej 2550 kilomtrash katrorë tokë. Në evdientimin e pronave të këtij komuniteti, dhe në ndarjen e kufijve të pronësisë, sipas specialistëve, një ndihmesë të madhe do të jepnin dhe dëshmitë e personave, të cilët posedojnë dokumentacionin përkatës për pronat e tyre në Greqi. Në fakt, nga komuniteti çam është mësuar se shumë persona kanë ruajtur dokumentet e tyre, fotokopjo të të cilave mund t'i vihet në dispozicion dhe grupit të punës.

Përfundimi i ankesave në vitin 2005 nuk mjafton

Shqipëria kërkon shtyrjen e afatit nga Greqia

Qeveria shqiptare do të kërkojë nga pala greke që të shtyjë afatet e përcaktuara në ligjin e miratuar në vitin 1998 për personat që pretendojnë se kanë prona në këtë shtet. Burimet kanë bërë të ditur se, duke iu referuar deklaratave të komunitetit çam, të cilët thonë se nuk i lejojnë që të shkojnë në Greqi për të kërkuar pronat e tyre, shteti shqiptar ka vendosur që shumë shpejt të paraqesë një kërkesë për të lehtësuar procedurat e ankimit të çamëve si dhe shtyrjen e afatit që ata do të kenë për të rimarrë pronat e tyre. Kështu, veç mundësisë për liberalizimin e vizave për këtë komunitet, do të kërkohet që përfundimi i afatit të ankimit, i përcaktuar në vitin 2005, të shtyhet së paku për në vitin 2006. Ndërsa shkak për këtë do të vihet marrëveshja e fqinjësisë së mirë, si dhe konventat ndërkombëtare për të drejtat e pronësisë. Për të sjellë një zgjidhje dhe më të shpejtë të problemit të tyre, vetë komuniteti çam ka kërkuar që ata të marrin shtetësinë greke, pasi ata janë përzënë me dhunë nga tokat e tyre 60 vjet më parë. Ndërsa është theksuar fakti që nuk është e drejtë që shteti shqiptar 40 vjet më parë ka detyruar këtë komunitet që të marrin shtetësinë shqiptare. Megjithatë burimet nga qeveria shqiptare kanë bërë të ditur se çështaj e së drejtës të pronave të komunitetit çam po ndiqet me vëmendjen e duhur nga shteti shqiptar. Për këtë është planifikuar dhe kërkesa për një afat më të pranueshëm, që çamët të kërkojnë pronat e tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›