E Hënë, 2 Nëntor 2026

USAID: Qeveria shqiptare më e korruptuara

09/12/2004  Qeveria shqiptare ngelet më e korruptuara në kontinentin evropian. Deklarata është lëshuar nga drejtori i USAID-it Harry Birnholtz, në një konferencë të zhvilluar në Shqipëri mbi luftën kundër korrupsionit. Sipas tij, "Shqipëria ka tentuar të luftojë korrupsionin, por fjalët mbeten rrugës dhe prapë qeveria radhitet ndër më të korruptuarat në Evropë". Në këtë mënyrë dhe një herë është theksuar se nuk mjaftojnë vetëm miratimi i ligjeve, por duhet zbatimi konkret i tyre. Sipas organizatorëve të këtij projekti, "pas vitesh të tëra përhapjesh, korrupsioni ka prekur nivelet e larta të qeverisjes shqiptare. Herë pas here qeveria shqiptare prodhon një farë retorike, që tingëllon ashpër, por nënvlerësimi i saj flet me zë më të lartë me fjalët se Shqipëria ka një nga qeveritë më të korruptuara në Evropë". Në takim Drejtoresha e NDI-së Xhenifer Butz ka theksuar nevojën për angazhimin sa më konkret në luftën kundër korrupsionit. Nga ana tjetër mbajtja e një procesi të pastër zgjedhor do të jetë një nga qëllimet e projektit të USAID. Kjo për vetë faktin se zgjedhjet demokratike konsiderohen lufta më e pastër kundër korrupsionit, pasi vota e qytetarit shkon tek i zgjedhuri real. Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Marsia Ries, ka kërkuar më shumë përkushtim nga ana e qeverisë në këtë luftë, duke theksuar se mbështetja nga shteti i saj do të jetë maksimal. Sipas Ries, "ky projekt ka për qëllim të ndihmojë Shqipërinë të konsolidojë dhe të zgjerojë arritjet në reformën politike të bërë gjatë kësaj dekade e gjysmë. Ka për qëllim që këto arritje të shkojnë në një nivel më të lartë. Së pari, shpresojmë që të ndihmojmë Shqipërinë që të mbajë zgjedhje të lira dhe të drejta", tha Ries në fjalën e saj. Në këtë mënyrë dhe një herë është deklaruar se do të jenë zgjedhjet parlamentare të vitit 2005, që do të përcaktojnë të ardhmen e Shqipërisë. Në të gjitha deklaratat e ndërkombëtarëve, zgjedhjet e lira dhe demokratike tashmë janë kthyer në një pikë kyçe. Ndërsa deklarata e drejtorit të USAID-it vlerësohet si një tjetër këmbanë e rëndë për korrupsionin në strukturat e larta të shtetit shqiptar. Për këtë qëllim është kërkuar angazhimi i mediave dhe i organizatave joqeveritare, pasi në këtë mënyrë zbatimi i ligjit do të kthehet në një detyrim. Konferenca për luftën kundër korrupsionit do të vijojë dhe sot me propozimin e një pakete ligjesh dhe masash.

Hollanda

Presidenca holandeze ka kërkuar angazhimin e qeverive të vendeve të Ballkanit për zbatimin e reformave në kuadër të integrimit në Bashkimin Evropian. Duke përmendur Shqipërinë, kërkohet një angazhim më i qartë i politikës si në luftën kundër korrupsionit ashtu dhe në zbatimin e rekomandimeve. Ndërsa sërish zgjedhjet cilësohen si pikat kyçe. Nga ana tjetër Presidenca holandeze ka vlerësuar se gjatë kësaj periudhe në vendet e Ballkanit ka hapa pozitivë në luftën kundër trafikut dhe krimit të organizuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›