E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy aksidente përgjakin Korçën, 1 vdes, plagosen 5 dasmorë

 

KORÇE - Fundjavë e përgjakur në rrugët e qarkut juglindor të vendit. Një person humbi jetën nga përplasja e një makine, ndërsa 5 dasmorë mbetën të plagosur pasi mjeti me të cilin udhëtonin doli nga rruga. Aksidenti me pasojë vdekjen ndodhi në pjesën që lidh Librazhdin me Pogradecin, në zbritje të Qafë-Thanës. Pirro Skira, 77 vjeç po kthehej në shtëpinë e tij, në fshatin Piskupat kur është goditur nga makina me targë TR 7770 H, në pronësi të Doganës së Korçës. Moti i keq dhe reshjet e rrëmbyera që shoqëruan ditën e djeshme kanë penguar drejtuesin e mjetit të kontrollonte rrugën. Për pasojë ka ndodhur përplasja me të moshuarin, i cili ndonëse u transportua me shpejtësi në spitalin e Pogradecit, ndërroi jetë. Sipas policisë, personi që shkaktoi aksidentin është 20-vjeçari Arnold Çekiçi, shofer i Drejtorisë së Doganës së Korçës. Në hetimet e para ai ka deklaruar se, shkak i aksidentit u bë terreni i vështirë nga lagështia e asfaltit dhe fushëpamja e kufizuar nga reshjet. Ai po kthehej nga Tirana në Korçë me mjetin e punës kur ka ndodhur dhe aksidenti. Po dje një tjetër aksident u shënua në superstradën Korçë-Kapshticë. Moti me reshje dhe stuhi u bë shkak që makina ku udhëtonin 5 anëtarë të një familjeje, të nisur për një dasmë doli nga rruga, duke rënë në një kanal anësor. Për pasojë kanë marrë plagë të pesë personat që ndodheshin në mjet, bashkë me drejtuesin 23-vjeçar Genti Lako. Mjete të rastit i kanë çuar në spitalin e Korçës. Përveç drejtuesit të mjetit rezultojnë të plagosur edhe shtetasit që udhëtonin me të: Koço Tona, Banushe Jankulla, Sotiraq Luarasi dhe Elvira Barboçi. Edhe pse ende të shtruar në urgjencën e spitalit ata janë jashtë rrezikut për jetën.                             j.gj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›